Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka thënë se shqiptarët kanë rikthyer besimin te drejtësia për shkak të reformës dhe vettingut.
Sipas tij, gjyqtarët dhe prokurorët të cilët kanë dhënë dorëheqje për të mos kaluar në vetting duhet vendosur nën hetim dhe kjo sipas tij duhej bërë në një afat të shpejtë.
“S’mund të drejtosh gishtin se po ndërhyjmë dhe po cënojmë pavarësinë e gjyqësorin, ku jemi krijuesit dhe mbështetësit kryesor të Reformës në Drejtësi, jo me fjalë, por me vepra. Ne këtë parim që lidhet me shtetin e së drejtës dhe shtet-formimin e kemi në ADN tonë. Nuk kemi ndërhyrë as te drejtësia e vjetër, e aq më tepër te kjo e reja. Kush drejton gishtin te ne, duhet ta drejtojë gishtin nga vetja. Kur flasim për pavarësinë e gjyqësorit duhet të jemi të qartë se çfarë është. Pavarësinë e gjyqësorit e garanton Kushtetuta dhe ligji. PS, kryeministri dhe përfaqësuesit tanë, asnjëherë, edhe kur këto vendimmarrje kanë qenë të diskutueshme si ka diskutuar vendimet e gjykatës. Për ne vendimet e gjykatës zbatohen, nuk diskutohen. Të kërkosh performancën e institucioneve të drejtësisë, jemi në të drejtën tonë kushtetuese dhe ligjore.
Kjo është e matshme dhe e vlerësueshme. Në këtë pikë, kryeministri, por edhe unë si ministër i Drejtësisë, jemi në ngarkim të përgjegjësive që na ngarkon ligji. Lidhet me politikat e drejtësisë dhe ato janë atribut i kësaj mazhorancë që ka marrë votën për të qeverisur. Të kërkosh rritjen e perfromancës, të kërkosh angazhimin e organeve të drejtësisë në luftën ndaj kriminalitetin, kjo lidhet me treguesit e kriminalitetit. Dua ta nis me Vettingun. Ajo ka vlerësimin maksimal. Komponenti kryesor i Reformës në Drejtësi është vettingu. U konceptua si mekanizëm për të pastruar Reformën në Drejtësi. Vettingu ka arritur t’ia dalë me sukses këtij misioni. 800 gjyqtarë dhe prokurorë janë subjekt rivlerësimi. Në filtrin e vettingut kanë kaluar mbi 500 gjyqtarë dhe prokurorë. Ku është shqetësimi ynë sot? Nga 530 prokurorë dhe gjyqtarë që kanë kaluar filtrin e vettingut, qindra prej tyre janë shkarkuar për mungesë të burimeve financiare të pasurive të krijuara. 51 të tjerë, kanë dhënë dorëheqjen për shkak të procesit. Në këto 50 që janë tërhequr ka një shqetësim më të madh. 27 prej tyre kanë dhënë dorëheqje pasi kanë marrë rezultatet e vlerësimit, ndërsa pjesa tjetër, kanë dhënë tërheqje, por sot nuk dihet fati i tyre.
Ka afate për ushtrimin e ndjekjes penale. Po t’u referohemi këtyre afateve, për deklarim të rremë dhe fshehje të pasurive, për shkak të mos hetimit, rrezikojnë të parashkruhet ndjekja penale. Për çfarë e bëmë vetingun ne? Thjesht një proces për të pushuar disa gjyqtar dhe prokurorë? Jo. Vettingu duhej që qytetarët të kishin besim te drejtësia”, tha Manja.