Nga Kujtim Mateli
Poema “Bagëti dhe bujqësi”, e poetit të Rilindjes sonë Kombëtare Naim Frashëri, një nga më të bukurat në letërsinë shqipe, është një bashkëbisedim i poetit me Atdheun, me natyrën e bukur, me shqiptarët që jetonin në tokën e stërgjyshërve të tyre, por edhe me ata që ishin larguar dhe kishin krijuar një vendbanim të ri në hapësirat e botës ku jetonin. Jeta baritore dhe ajo e punëve në bujqësi, përbëjnë shtratin estetik prej nga vështrohet jeta e shqiptarit nga e shkuara e largët deri në horizontet e së ardhmes. Poemën e përshkon malli, por edhe shqetësimi për atdheun e vet në ato kohë të egra, pas Kongresit të Berlinit, që kërkonin copëtimin e trojeve shqiptare. Nga ndërthurjet midis mallit dhe shqetësimit, poema lartësohet dhe i shkon çdo shqiptari si thirrje dhe si lutje se, që atdheu të mbrohet dhe të përparojë, duhet që gjithsecili të mendojë për të dhe të punojë në vendin e vet që nuk i mungon as natyra e bleruar, as fushat e lulëzuara, as pasuritë tokësore dhe nëntokësore për zhvillimin e ekonomisë. E gjithë struktura poetike e poemës e ka të harmonizuar mirë gjithë qëllimin e Rilindasve për ta bërë Shqipërinë një vend të lulëzuar dhe të përparuar midis kombeve të tjera. Njerëz dalazotës të vendit të tyre i kishin mbushur malet me tufat e bagëtive dhe fushat pjellore me bimë bujqësore. Poeti gëzohet dhe qesh, kur lajmet i vijnë të mira; mërzitet dhe hidhërohet, kur lajmet i vijnë të këqija. Në zemrën e poetit gjendet harta gjeografike e trojeve shqiptare, me pamje konkrete, që janë copëza të Atdheut, të cilat të ngjallin dëshirën për ta kaluar jetën në ato vise ku rron dhe udhëton zemra e tij. Atdheu lartësohet në madhështinë e tij të pakufishme: me male të larta dhe fusha të lulëzuara, lumenj të kulluar dhe pyje të gjelbëruara, me njerëz mikpritës dhe punëtorë. Le të shohim hyrjen e kësaj poeme, e cila shpalos madhështinë e atdheut të ndërthurur me një bukuri të pashoqe. Poema hapet me një apostrofë, nga më të bukurat në letërsinë shqipe. Në një hapësirë plot dritë qiellore, ku në sfond shfaqen gjymtyrët e atdheut, plot gjallëri, me të gjitha nuancat e ngjyrave me të cilat ndërtohet një bukuri natyrore. Një varg 16 rrokësh, i cili shkon drejt kufijve maksimal të gjatësisë së një vargu, ecën paralel me gjerësinë e fushave dhe lartësinë e maleve, me gjatësinë e lisave dhe të lumenjve. Një varg i vrullshëm, çfarë të kujton se nuk ka kohë për qetësi dhe pritje:
“O malet e Shqipërisë e ju, o lisat e gjatë,
Fushat e gjera me lule q’u kam ndër mend dit` e natë,
Poeti hedh vështrimin përtej jetës baritore dhe bujqësisë. Edhe Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të zhvillohet si vendet e tjera. Edhe Shqipëria është një vend i pasur, i bekuar nga perënditë dhe dora e njeriut punëtor. Ka fusha “të majm’e pëllore” mbi bazën e të cilave mund të zhvillohet e të përparojë bujqësia, pyje të pasur me lëndë drusore ku dëgjojet “krism’ e sëpatës s’druvarit”, të cilat krijojnë mundësinë për degë të reja të ekonomisë, por mbi të gjitha ka një nëntokë të pasur, mbi të cilën mund të mbështetej e sotmja dhe e ardhmja e vendit:
“Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lulez’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,”
Poezia e Naim Frasherit ngrihet mbi një realitet estetik ku e bukura dhe e madhërishmja krijojnë shtratin mbi të cilën lulëzon poezia naimjane. Një natyrë e bukur që shkon drejt përsosmërisë, gërshetohet me një shpirt të bukur, ku mirësia dhe dashuria janë elementet bazë që e formojnë atë. Një vepër letrare, sado lirike që të jetë, mbart në vetvete mentalitetin dhe shqetësimet e kohës në të cilën është shkruar. Koha kur u shkrua poema “Bagëti e bujqësi” është ajo e pas Kongresit të Berlinit, kur Fuqitë e Mëdha evropiane kishin marrë vendimin famëkeq të copëtimit të trojeve shqiptare. Ky vendim, për t`u përligjur në formën e vet ligjore dhe politike, mbështetej mbi sajesa të tipit se shqiptarët ishin të ardhur vonë në këto troje dhe nuk përbënin ndonjë identitetet të veçantë, nuk kishin një gjuhë të shkruar, rrjedhimisht nuk duhej të formonin as shtetin e tyre. Si reagim ndaj këtij realiteti, Rilindasit tanë vepruan menjëherë: politikisht, shkencërisht, por dhe artistikisht. Si kundërvënie ndaj këtij realiteti, është shkruar edhe poema “Bagëti e bujqësia”. Një vepër artistike e ka më të lehtë udhën për të shkuar tek lexuesi, se çdo degë tjetër e dijes njerëzore. Kjo për arsyen, se që të ngrihesh në nivelin e poetit, duhet të kesh arritur në thelbin e disa degëve të dijes njerëzore, në mos në specifikën e këtyre degëve, në nocionet e tyre të përgjithshme. Të paktën poeti duhet të jetë filozof dhe teolog, gjeograf dhe historian, udhëtar dhe politikan. Duke u gërshetuar të gjitha këto dije të shoqërisë njerëzore në një qënie të vetme që quhet shkrimtar apo poet, produkti që del prej tij është ai estetik, krijimet e tij janë realitete estetike me ngarkesë të fortë emocionale, realitete që të bëjnë të reagosh në jetën reale të shoqërisë njerëzore dhe të bëhesh pjesë aktive e asaj shoqërie. Dy vargjet e Naimit tek poema “Bagëti dhe bujqësi”:
“Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr”,
Nuk mbetën më vargje që kishin dalë nga një zemër e vetme. Ato mobilizuan bujkun dhe blegtorin, luftëtarin dhe politikanin, teologun me zemër shqiptare dhe udhëtarin, filozofin dhe historianin, optimistin dhe pesimistin, të gjithë në një armatë të vetme. Në armatën e atyre që luftonin për tërësinë e trojeve shqiptare dhe lirinë e Shqipërisë. Askush tjetër nuk e formuloi dot më mirë dhe më qartë synimin e Rilindjes Kombëtare, se sa Naim Frashëri në këto dy vargje lapidare.
Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.
Gjuha poetike e Naimit është e pasur sidomos në krahasime dhe metafora nëpërmjet të cilave ka realizuar një vepër artistike që nuk e ka humbur freskinë as në ditët e sotme, edhe pse kanë kaluar 136 vjet që është shkruar. Enumeracionet e goditura, që vijnë para lexuesisht vazhdimisht si valët pranë bregut të detit, sjellin gjithë madhështinë e dukurive natyrore dhe atyre shoqërore. Epitetet me ngjyra vezulluese, fjalori i pasur i jetës baritore dhe i punëve në bujqësi që i përkisnin fondit të artë të gjuhës shqipe, lartësimi i ndjenjës kombëtare te çdo shqiptar, e bënë poemën një nga veprat më të dashura dhe e ngritën Naimin që në gjallje, në nivelin e Poeti Kombëtar. Figurat poetike të Naim Frashërit krijojnë mjedise të ngrohta, atje në viset e tia ndodhin procese natyrore që nuk ndodhen në vende të tjera. Është kjo arsyeja që ai kërkon t`i largohet vendbanimit ku jeton, kërkon të gjendet në ato vise shqiptare: “Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë.”
Pasi ke lexuar poemën “Bagëti dhe bujqësi” të duket se rron nën një qiell naimjan. Lëviz brenda kësaj hapësire të magjishme dhe e ndjen veten se ke diçka për të thënë. Mrekullohesh nga shkëlqimi i saj mahnitës. Naimi krenohet me kombin e vet. Kjo krenari i dha hapësirë mendimit të tij. Nuk do ta kishim këtë poemë brilante, nëse shpirti i poetit nuk do të trazohej dhe të shkulmonte si dallgë deti nga shqetësimi për Atdheun. Poema ngjan si kanatat e një porte ku kërkon që të hysh diku. Nëpërmjet kësaj porte hyn në kopshtin e bukur të poezisë shqipe. Naim Frashëri, krijuesi i këtij kopshti, ka ditur që aq bukur të krijojë vargje, me të cilat shprehet shpirti i shqiptarit, krenaria e tij, pika mbështetëse nga ku gjendet burimi i forcës për të ecur përpara. Krijoi me vargjet e kësaj poeme universin e tij poetik, rreth të cilit janë rrotulluar breza poetësh dhe kanë marrë prej tij dritën, ngjyrën, ëmbëlsinë e vargut, frymëzimin.
Poema “Bagëti e bujqësi” është vepra më popullore e Naimit Frashërit. Që nga koha kur u shkrua e deri më sot, çdo shqiptar ka gjetur aty veten e vet: si bari dhe si bujk, si atdhetar i zjarrtë e luftëtar i paepur për çështjen shqiptare. Ka bërë të vetat disa nga cilësitë më domethënëse të paraardhësve të tij duke ngritur në piedestal mikpritjen dhe bujarinë. Shqiptari lëviz brenda vargjeve të poemës me ritmin e vargut naimian, duhet të ecë shpejt për të arritur kohën e humbur nën pushtimin osman. Portreti i shqiptarit jepet i qeshur dhe i gëzuar, që nderon mikun e udhëtarin, por edhe i ashpër duke përbuzur të pabesin dhe hileqarin. E bukura dhe e madhërishmja janë dy nga kategoritë estetike mbi të cilën është ngritur poema. Atdheu ishte i madhërishëm deri në pikën më kulmore, prej tij shqiptari ndjehej krenar, i kishte krijuar identitetin e papërsëritshëm që e dallonte midis kombeve të tjera. Ndaj poeti nuk qetësohet dot në vende të tjera, por edhe kur është larg, në imazhin e tij është Atdheu në tërësinë e tij gjeografike, ndaj shkon me zemër e mendje në çdo cep të trojeve shqipare, krenar për historinë e të parëve të tij dhe për bashkëkohësit e tij. Kudo që shkon, shikon dhe prek të bukurën të krijuar nga natyra dhe dora e njeriut. Por kryebukuria e kësaj toke është vetë njeriu, është vasha bukuroshe e bariut që lëviz me shqerëza ndër duar staneve verore që lartësohen mbi supe malesh. Naimi dhe gjithë vepra e Rilindasve, ia arriti qëllimit që të vërtetonte përballë fuqive evropiane identitetin e kombit shqiptar, një nga më të vjetrit në Evropë: me gjuhë, tradita dhe zakone që shkonin deri në fëmijërinë e njerëzimit dhe që s`kishte asgjë të përbashkët me pushtuesit e saj dhe lakmitarët e trojeve shqiptare. Vetë poema “Bagëti e bujqësi” tregoi se shqipja nuk është vetëm një gjuhë e folur, por një gjuhë e vjetër në këto troje ballkanike që ngrihej deri në nivelin e një gjuhe artistike, se pasuria e saj gjuhësore ishte e krahasueshme me gjuhët e tjera, që kishin prodhuar vepra artistike dhe shkencore. Poema është një nga krijimet më të bukura në letërsinë shqipe duke u bërë për shqiptarët flamuri i tyre përbashkues shpirtëror. Kishin një atdhe sa vetë jeta njerëzore, me Hyjni që nga kohët homerike dhe më tej. Ishin një popull që jo vetëm besonte te Hyjnitë, por edhe i bekuar prej tyre. Poeti sjell para shqiptarëve, por edhe para pushtuesve dhe lakmitarëve se këto troje vazhdonin ende lidhje të ngushta dhe të forta me traditat e tyre mijravjeçare. Poema “Bagëti dhe bujqësi”, ishte një thirrje ndaj fuqive evropiane, se në këto hapësira ballkanike, ka një popull me rrënjë deri në krijimin e shoqërisë njerëzore, që duhet ruajtur si vlerë universale e njerëzimit. Duke e mbushur malin e Tomorit me hyjni të kohëve homerike, tregoi se shqiptarët janë jo vetëm krijuesit e besimit të tyre të stërlashtë, por dhe vazhduesit dhe transmetuesit e tij nga një epokë historike në tjetrën. Ky rit i stërlashtë i besimit të shqiptarëve, vërteton se ata nuk janë një popull i ardhur që gjetën strehë në këto troje, por një popull që ka hapësirën dhe historinë e tij që nuk mund të tjetërsohej as nga fqinjët, as nga ndonjë fuqi evropiane që qëndronte pas tyre. Ruajtja e trojeve shqiptare do të thotë njëkohësisht, ruajtje e vlerave të papërsëritshme, që janë krijuar për shoqërinë njerëzore.