Në këta vargje, të shkruara më shumë se para një shekulli nga poeti kombëtar Naim Frashëri, gjej veten në këtë pjesëz kohe, në të cilën fantazia ime don të bisedojë me ty, Atdheu im. Megjithëse nis me një rrëfim dashurie biseda jonë nuk do të jetë e lehtë. Në disa drejtime madje do të jetë e vështirë, mbasi marrëdhëniet tona nuk kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera, siç duhet të ishin ato mes nënës dhe birit. Ti je sjellë me mua si njerka dhe unë jam ndjerë si Hirushja që kërkonte princin e kaltër, që nuk arriti kurrë.
Të njoha shpejt, ti ishe ende në luftë kur unë erdha në këtë botë nën krismat e armëve. Që fëmijë u ngulitën në mëndje qielli yt, toka jote, njerëzit e tu. Çuditërisht më ka mbetur në mëndje një kujtim i pashlyeshëm, i gjallë dhe i qartë si një skenë filmi: një fëmijë tre vjeçe kacavirrej mbi hekurat e një porte burgu. I drejtohej një burri, babait të tij: “Babi hajde me ne, hajde në shtëpi…”, thërriste fëmija, por polici e shtynte duke e larguar nga porta…! I ati ishte dënuar me 15 vjet burgim, mbasi kishte marrë pjesë në një mbledhje, në të cilën ishte biseduar mbi krijimin e një partie politike në opozitë me qeverinë. Ai fëmijë isha unë.
Sjell ndërmend skenat e natyrës tënde, të lumenjve, fushave, kodrave, maleve të përshkuara një ditë, në një udhëtim të gjatë mbi një kamion me plaçka e me njerëz. Ai kamion na çonte në një vend të largët, mes malesh, në një “kamp shfarosjeje”, që nuk ja kishte aspak zilinë simotrave të tij nazistë e, që gjendej pranë një qyteze me emrin Tepelenë. Ai emër mbeti në kujtesë si sinonim i urisë, i mjerimit, i dhunës, i vdekjes…!
Më vonë, duke studiuar letërsinë, çuditërisht e gjeta atë pranë një emri të lavdishëm të poezisë botërore, atij të Lord Bajron-it, anglezit gjenial, që braktisi atdheun e tij “të padenjë”, në kërkim të aventurave romantike në vendet e ndryshme mesdhetare. Poeti arriti deri në Tepelenë dhe shkroi vargjet e famshme të poemës së tij “Çajld Harold”:
Është i çuditshëm fati im o vendi im. Për shumë kohë përfytyrimi yt është njësuar me një veshje blu të një polici që më ndiqte gjithandej, që ndryshonte fytyrën por jo qëndrimin. Ishte hija ime, një hije ogurzezë që tmerronte qenien time e vriste ëndrrat e mia fëmijërore. Nuk mund të harroj “ndëshkimin”, që m’u dha nga një polic, duke më lënë një natë vetëm në një qeli të errët në moshën gjashtë vjeçe, mbasi kisha gjuajtur gurë kundër derrave të komandës që, kullosnin të qetë jashtë telave me gjemba. Nuk mund të harroj një tjetër polic të radhës që godiste duart e mija, të cilat kapeshin me dëshpërim në karrocerinë e një kamioni që merrte me vete nënën time. Isha tetë vjeç e nuk pranoja të jetoja larg nënës sime, por dëshira ime nuk përputhej me planet e autoriteteve që vepronin gjithmonë “në interesin e popullit”…!
Kështu kaloi fëmijëria ime në kampet e përqendrimit, që mbinin si çibanë në trupin tënd të vogël e të drobitur, duke vrarë çdo ditë jetë njerëzore, dëshira, aspirata, projekte…! Gjithmonë më shoqëronte figura e njeriut me veshje blu, ishte trupëzimi yt, simboli i Shtetit në sytë e mi. Në mendjen time ishte si njeriu i keq që kishte hyrë në përfytyrim nga përrallat që më tregonte shumë e dashura gjyshja ime. Do të përplasesha me të në çdo çast, në çdo hap, në çdo lëvizje të jetës sime. Ndjehesha i ndjekur, i shkelur me këmbë, i dënuar në një qoshe. Nuk kuptoja arsyet, nuk shihja asgjë për t’u qortuar në vetvete, pra nuk arrija të shpjegoja një sjellje kaq të ashpër kundrejt një fëmije.
Ndjehesha i huaj në një realitet që më sprapste, që nuk më pranonte, që më urrente, duke më përplasur në fytyrë shprehjen “armik i klasës”. Çdo ditë e më tepër lartësohej mes ne të dyve muri i mërisë dhe i mosbesimit të ndërsjelltë, mbi të cilin vigjilonin të patrazuar njerëzit me veshje blu dhe të mëdhenjtë e partisë komuniste…! Ishte një nga ditët e para të nëntorit të shumë viteve më parë. Isha 17 vjeç dhe isha shkruar në vitin e fundit të një shkolle Pedagogjike, larg rrethit të qëndrimit të familjes, i strehuar tek të afërm të dashur e bujarë, që përpiqeshin të ndryshonin rrjedhën e nisur keq të jetës sime. Gjatë pushimit ndërmjet orëve të mësimit drejtori më thirri në zyrën e tij. Duke hyrë pashë të kudondodhurin njeri me veshje blu, që më njoftoi vendimin e Komisionit ministror të Internim-Dëbimeve: në gjendje arresti duhej të shoqërohesha pranë familjes time, për të vuajtur pesë vjet internimi. Shpata e Damokleut e Sigurimit të Shtetit, godiste pa mëshirë aspiratën e një djaloshi, që donte të ndërtonte jetën nëpërmjet mundit të tij në studim e punë.
Nën mbikëqyrjen e katër policëve, u largova forcërisht nga shkolla, i shoqëruar nga vështrimet e habitura, të ngurtësuara por mirëkuptuese të shokëve, shoqeve e mësuesve të mi. Ishte dita e fundit e shkollës në jetën time, ende një ditë e përcaktuar dhe e shënuar nga prania e veshjeve blu…! Mbas disa ditësh mora vesh se pothuaj të gjithë shokët e shoqet e shkollës, së bashku me mësuesit kishin vajtur tek të afërmit e mi për të shprehur solidaritetin e tyre, vlerësimin, dashurinë karshi meje e në të njëjtën kohë për të dënuar atë vendim arbitrar që më largonte nga gjiri i tyre. Qe një nga kënaqësitë më të mëdha të provuara në jetën time. Veprimi i atyre njerëzve më bëri të kuptoj se ti Atdheu im kishe dy shpirtra. Në ato çaste brenda meje u shemb muri i mërisë që na ndante, kuptova që pamja jote nuk mund të ishte vetëm veshja blu. Në ato çaste kuptova që ekzistonte dhe një tjetër Shqipëri, ajo e njerëzve fisnikë, që ruante dhe mbronte vlerat e saj kundër trysnisë dhe goditjeve të njërës nga diktaturat më mizore të shoqërisë njerëzore…!
Me kalimin e kohës, në shumë raste kam mundur të njoh fytyrën e vërtetë të kësaj Shqipërie, nëpërmjet sakrificave të mjaft njerëzve që, të vëne para zgjedhjes spiun apo burg me punë të detyruar, për të mbrojtur dinjitetin dhe nderin nuk nguruan të zgjedhin të dytin. Kam jetuar për dhjetëvjeçarë me radhë pranë asaj gjendje së cilës pushteti, me gjithë forcën e poshtërsisë së tij, nuk kishte mundur t’i ndryshonte as edhe një qime të karakterit. Ajo gjindje, megjithëse në kushte mjerimi e terrori, respektoi deri në fund, herë herë me çmimin e vetë jetës, vlerat themelore në të cilat besonte si ndershmëria, dinjiteti, mikpritja, besnikëria, mos dhunimi i fjalës së dhënë. Ishin këto vlera në bazën e strukturës mbajtëse të një shoqërie, patriarkale dhe e prapambetur në krahasim me Evropën që, me gjithë të metat, për shekuj shkoi përpara pa institucione shtetërore duke treguar një qëndrueshmëri të brendshme për t’u admiruar. Kam bashkëjetuar me qindra njerëz nëpër kazerma ku banonin forcërisht grumbull burra, gra, djem, vajza, pleq e fëmijë së bashku, pa qenë i pranishëm në asnjë skandal apo episod përdhunimi seksual, pa njohur as edhe termin pedofili.
Imazhi i kësaj Shqipërie ngrihej madhështor çdo 13 qershor, kur mijëra e mijëra shqiptarë të të tre besimeve, të të gjitha moshave, të dy sekseve, nga të gjitha krahinat, ngjisnin shtigjet mes shkëmbinjve të kodrës së Laçit, për të lutur e festuar Shën Ndoun. Ata prisnin mrekullitë e Shenjtit duke sfiduar partinë, shtetin, policinë, Sigurimin dhe deri Ushtrinë që, herë herë mundohej të ndalonte pelegrinazhin. Në një vend ku regjimi kishte ndaluar me ligj të gjitha besimet, duke masakruar e burgosur klerikë e besimtarë, këto shfaqje meritojnë të kujtohen si sfida më e fuqishme e më e vlefshme që i bëhej kulturës të së keqes, të personifikuar nga një pushtet i mbështetur në një ideologji që, si mbas të madhit Viktor Hygo, “varfëronte të pasurit, pa pasuruar të varfëritë”.
Më duket e detyrueshme të kujtoj një tjetër sfidë të njerëzve të tu të tjerë përçuesve të kulturës së vdekjes. Gjatë luftës së dytë botërore hebrenjtë shqiptarë nuk përfunduan në kampet naziste të shfarosjes dhe qindra oficerë e ushtarë italianë u shpëtuan nga reprezalje gjermane, megjithëse vendi ishte nën pushtim. Vetëm një vit më parë bota pati rastin të dëshmojë zemërgjerësinë e popullit tënd, përballë tragjedisë kosovare.
Për gati një gjysmë shekulli beteja mes dy shpirtrave nuk ishte e barabartë, fytyra jote fisnike mbeti e errësuar, sepse plotfuqia e së keqes e mbyste frymëmarrjen e saj. Shpirti yt i mirë ishte i plagosur dhe i duhej të duronte goditjet. Jeta jonë ishte një shkretëtirë e thatë ku sythet e shpresës asgjësoheshin pa mëshirë. Deri dhe në ndjenjat më intime e keqja diktonte ligjet e saj, logjikën e saj shkatërruese nëpërmjet trysnive,shtrëngimeve, terrorit.
Në një ditë të nxehtë gushti, mbi rërën e një bregdeti magjepsës, me dhimbje jetova fundin e një dashurie të madhe që kishte shënuar vitet e rinisë sime të trazuar. Vajza nuk mundi t’i qëndrojë më gjatë trysnive të drejtpërdrejta apo të tërthorta të një pushteti që kishte në dorë gjithçka dhe u dorëzua. Rrugët tona u ndanë. Ajo ishte një mësuese, ndërsa unë bëja pjesë në ushtrinë e të dënuarve me internim të përjetshëm. Megjithatë ajo i mbeti besnike ndjenjës së saj, duke vazhduar një jetë pothuajse prej murgeshe. Sa familje të prishura, sa jetimë, sa gra me shami të zeza peshojnë mbi ndërgjegjen e shpirtit tënd të keq o vendi im. Sa tragjedi njerëzore brenda kufijve të tu, kufij gjithnjë e më të ngushtë, pasojë marrëveshjesh të pandershme të të Mëdhenjve karshi teje?!
Çfarë fati mizor i yti! Luftërat, mohim i zhvillimit dhe qytetërimit, kanë shënuar ecjen tënde të gjatë e ndofta kanë përcaktuar dhe mbizotërimin e atij shpirti. Udhëkryq mes Lindjes e Perëndimit, ke qenë gjithmonë shënjestër ushtrish pushtuese që kërcënonin vazhdimisht brigjet dhe kufijtë e t’u. Çfarë mallkimi peshon mbi kryet tënd Atdheu im? Mbas njëqind vjetësh të vdekjes së Krishtit, ti kaptove mesazhin dhe përqafove doktrinën e Tij. Për t’a mbrojtur është derdhur gjaku yt një çerek shekulli e të shumtë qenë martirët në shekujt pasardhës deri në natën e gjatë të Antikrishtit. Është e vërtetë se Antikrishti është shfaqur disa herë nën shëmbëlltyra të ndryshme, por ai që polle ti ishte i një race të veçantë. Nuk e di se ku e ke ngjizur por jam i sigurt se Luciferi, do të kishte qenë i lumtur t’a njihte për birin e tij. E pra ti kishe lindur në shekuj burra të aftë e të denjë të drejtonin perandori si ato të Maqedonisë, të Romës, të Bizantit e të Turqisë pastaj artistë, mjekë, filozofë, poetë, inxhinierë që merituan respekt e vlerësim në gjithë kontinentin. Nga gjiri yt dolën arkitekti i Taxh Mahallit dhe projektuesi i Semeringut, madje dhe Nënë Tereza ishte bija jote, megjithëse ti e kishe mohuar e për popullin tënd për një kohë të gjatë ishte e panjohur…!
Ka diçka absurde në fatin tënd o vendi im: bijve të t’u më të mirë nuk i ke dhënë pothuajse asnjëherë mundësinë të të shërbejnë, ju ke dhuruar krahë të fluturojnë lart, por nën qiej të tjerë. Është një absurditet tragjik, i përcjellë nga shekujt dhe i sendërtuar përsosmërish në gjysëm shekullin e regjimit që shënoi triumfin e hiçit, mbizotërimin e anti kulturës, që u shfaq në njëqind mënyra por mbi të gjitha në asgjësimin e asaj klase intelektuale “borgjeze” që kishte lartësuar emrin tënd në universitetet më të mira të Evropës. Më kanë treguar një ngjarje të ndodhur nga fundi i viteve ’40-të e, që më duket mjaft kuptimplote në këtë drejtim. Nga Bashkimi Sovjetik kishte ardhur një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë, që në aeroportin e Tiranës ishte pritur nga një përfaqësi e së njëjtës Ministri shqiptare. Në dërgatën ruse, bënte pjesë dhe një shkencëtar i njohur, profesor në universitetin e Leningradit. Kur i takoi përfaqësuesit tanë, menjëherë pyeti: ku është doktor Shiroka? Tanët ju shmangën përgjigjes dhe ai e kapi fluturimthi situatën e tha: “Çdo vend i Evropës do të krenohej me një personalitet të tillë”.
Dr. Shiroka ishte njëri prej mjaft njerëzve të shquar por të nënvlerësuar, sepse nuk ishte anëtar i Partisë Komuniste, megjithëse fama i kalonte shumë kufijtë e vendit të tij. I laureuar me notat më të mira në universitetin e Gracit, qe më me fat se shumë të laureuar të tjerë, të ndershëm dhe të aftë që u dënuan me vdekje ose me burgje të gjata pune të detyruar. Ishte ky çmimi më i lartë që ti, Atdheu im, i paguaje përbindëshit komunizëm dhe ideologjisë së tij. Përbindshmëria peshonte mbi gjithë trupin tënd, duke goditur jo vetëm bijtë e t’u më të mirë por dhe lëndën tënde shpirtërore, pasurinë tënde kulturore, traditën tënde shekullore, ligjet e tua të shkruara e të pashkruara që kanë mbajtur në shekuj godinën tënde. U shkatërruan biblioteka me rëndësi themelore për historinë tënde, kisha e xhamia me piktura të një vlere të paçmuar në emër të luftës ndaj “botës së vjetër” dhe “ndërtimit të botës së re”. Pasuria jote materiale u përdor për të ndërtuar qindra mijra bunkerë të kotë donkishoteskë, që pushtojnë tokën dhe prishin pamjen e peizazhit tënd. Pasuria shpirtërore e morale e popullit tënd, u godit për vdekje, duke lënë pas një zbrazëtirë të pamatshme, me pasoja që i shohim çdo ditë në shërbimet e kronikës së zezë që mbushin faqet e gazetave në Shqipëri dhe në vende të ndryshme evropiane.
Mbarimi i ankthit gjysëm shekullor, që era e Lindjes paralajmëronte, kërkonte një tjetër çmim për t’u paguar. Goditjet e fundit të sistemit, tashmë në agoni, ndjeheshin me të shtëna mitralozash që rrëzonin të rinjtë që donin të thithnin ajrin e lirisë duke kaluar kufijtë e tu. Atëhere shpirti yt i mirë mbizotëroi. Gjindja jote u ndërgjegjësua për situatën, zbriti nëpër sheshe dhe vendosi fundin e diktaturës njëpartiake komuniste nëpërmjet një gjesti simbolik, rrëzimit të monumentit të diktatorit. Demokracia, kaq shumë e ëndërruar, duhej të rivendoste të drejtat e nëpërkëmbura të qytetarëve: lirinë, pronën private dhe besimin fetar. Duhej të hidhte bazat e rindërtimit të një ekonomie të asfiksuar nga pesëdhjetë vjet keqqeverisje, duhej të reformonte institucionet, të vendoste Vendin në aleancat e duhura, të sillte buzëqeshjen e shpresës mbi buzët e thara të bijve të tu brenda e jashtë kufirit.
Ajo kishte detyrën të ndërmerrte ndërtimin e një shoqërie të themeluar mbi punën e ndershme të secilit dhe respektimin e ligjeve të pranuara lirisht prej të gjithëve, mbi mundësinë e pjesëmarrjes ndershmërisht në garë të individëve apo grupeve dhe mbi solidaritetin ndaj atyre që kanë me të vërtetë nevojë.
Për fat të keq demokracia jonë rezultoi e çalë dhe e mangët, sepse ata që patën detyrën e mbarështimit të saj në fazën fillestare e më të rëndësishme nuk kishin mendësinë e drejtë dhe idetë e qarta. Një populli të katandisur nën kufijtë e mjerimit i futën në kokë idenë e pasurimit të lehtë me parullën: “gjithë shqiptarët të pasur e pronarë”, duke mbyllur të dy sytë përballë paligjshmërisë së çdo lloji. Në vend që të ndërmerrej rruga e vështirë por pa trauma e rimëkëmbjes së ngadalshme por të sigurt, pasojë e reformave themelore e të domosdoshme, si kthimi i pronës private, privatizimi me kritere të drejta dhe koncesionet pa gardhe e pengesa, ecëm drejt një anarkie ekonomike e financiare dhe një neoautoritarizmi institucional. Dështimi i iluzioneve të lehta, të krijuara nga financiaret, plotësuan kuadrin ogurzi që të çoi drejt njërit prej shkatërrimeve më të mëdha të historisë tënde, vendi im.
Shpirti yt i keq u rishfaq në gjithë shëmtimin e tij. Shkatërrimet, grabitjet, të shtënat e armëve, skena të padenja për një popull evropjan në pragun e vitit dymijë, paraqitën në sytë e botës vetëvrasjen tënde mizore..Vramë në pakë ditë besimin e të tjerëve karshi nesh, mbasi një Shtet që nuk është i aftë të mbrojë selitë e institucioneve të tij, spitalet, shkollat nga sulmet e bandave të manovruara është një Shtet që meriton të humbasë votëbesimin.
Më vijnë ndërmend vargjet e elegjisë së famshme të Pashko Vasës ”O moj Shqypni”, të shkruara një shekull më parë, por fatkeqësisht tepër aktualë në ditët tona:
“O moj Shqypni, e mjera Shqypni
Kush të ka qitun me krye në hi
Ti ke pas kenun nji Zojë e randë
Burrat e Dheut të quejshin Nanë…
Por tash Shqypni pa m’thuej si je?
Njashtu si lisi i rrxuem përdhe
Kalon i hueji e me kambë të shklet
E nji fjalë t’ambël kurrkush s’ta qet…”!
Kohët kanë ndryshuar. Kemi hyrë në erën e globalizimit, por kemi dështuar keq në takimin e parë me botën, në hapat e para drejt një realiteti të ri. Jemi vetë dënuar e kemi komprometuar të ardhmen e bijve tanë, mbasi e shkuara me mendësinë e saj na kushtëzon rëndë. Tashmë duhet të nxëmë mësimin e të jemi të vetëdijshëm që neve, vetëm neve na takon detyra tepër e vështirë, por jo e pamundur, e rimëkëmbjes. Nga të tjerët mund të presim ndihmë, solidaritet, këshilla por vendimet dhe përgjegjësitë do të jenë tonat e për to do t’i përgjigjemi gjykimit të historisë e të fëmijëve tanë, të cilëve ju prishëm fëmijërinë me të shtënat e kota të armëve të 1997-ës.
A do të jemi në lartësinë e detyrës? A do të dimë të shmangim vendimin fatal të historisë e të mos përsëritim gabimet e paraardhësve tanë që të dorëzuan një sistemi, i cili ndaloi përparimin tënd e përcaktoi prapambetjen? Sot kohët janë më të vështira. Për të mbijetuar duhet të hysh në garë, por si mbas ligjeve normale ekonomike e jo me paligjshmëri dhe imoralitet. Duhet të hyjmë në garë me punën tonë në një treg, ku konkurrentët e fortë janë të shumtë. Fatkeqësisht, si pasojë e gabimeve tona, hyjmë në këtë treg të pa favorizuar e me shumë vonesë. Para së gjithash duhet të mundohemi të rivendosim imazhin tënd në botë, mbasi e kemi shkatërruar pothuajse në mënyrë të pandreqshme në vitet e fundit.
Është një ndërmarrje e vështirë, e lodhshme dhe e gjatë. I ngjan ndërtimit të një piramide, në të cilin duhet të kontribuojnë gjithë bijtë e bijat e tua, duke filluar nga njerëzit e politikës, të cilëve ti u ke besuar detyrën e drejtimit të popullit tënd. Do të jenë ndershmëria dhe aftësitë e tyre qëndrueshmëria e themelit të saj, ndërsa neve të gjithë, brenda e jashtë kufijve të tu, mund të kontribuojmë si mbas mundësisë, duke vënë secili nga një gur, i madh apo i vogël qoftë. Secili prej nesh, me sjelljen e përditshme, në mjedisin ku jeton e punon, ndërton ose shkatërron imazhin tënd Atdheu im. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse përballë dhjetëra e qindra mijëra njerëzish për së mbari, që nderojnë emrin tënd, janë dhjetëra e qindra krijesa të tuat që, me prapësitë e tyre, hedhin baltë çdo ditë në fytyrën tënde e shumëzojnë me zero punën dhe sakrificat e të tjerëve.
A do të ketë rilindje për ty? A mund të ushqejmë shpresën për t’u kthyer një ditë e për të gjetur një vend normal ne të mërguarit? A do të mund të kthehet buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve të tu?A do të vazhdojë deti të gëlltisë ëndrrat dhe trupat e bijve e bijave të tua? A do të arrijë shpirti yt fisnik të mbizotërojë e të garantojë të ardhmen tënde? A do të vijë dita që poetët të të quajnë përsëri “Zojë e randë”? Janë pyetje që godasin si çekan çdo ditë mendimet e mija. Në tunelin e gjatë e të errët, që është rruga jote historike, shoh një dritëz shprese që, ndofta, do të bëhet siguri e vërtetësi me kalimin e viteve. M’a japin këtë shpresë qindra e mijra djem e vajza, të vegjël dhe të rij, që studiojnë, më të shumtit me rezultate shumë të mira, në shkolla të ulta, të mesme e universitete të njohura në Itali e SH.B.A., në Greqi e Belgjikë, në Gjermani e në Kanada, në Francë, si në Angli e në vende të tjera të botës.
Ndofta ata janë pasuria më e madhe që ke ti, Atdheu im, me përgatitjen, me dijen, me mendësinë bashkëkohore të formuar në shoqëritë e shkollat më të përparuara të botës, janë e ardhmja jote. Ata janë ajka e shtresës intelektuale që do të ketë barrën e rëndë të të drejtojë në shtigjet plot dredha të shekullit të ardhshëm. Ti duhet të jesh në lartësinë e detyrës për të ditur si t’i presësh e t’i nxisësh, mbasi ata janë si zogjtë që, kur nuk gjejnë mjedisin e përshtatshëm për të ndërtuar folenë, fluturojnë larg në kërkim të hapësirave të tjera. Ti duhet t’u besosh atyre, sepse vetëm një klasë drejtuese e re, e ndershme e moderne mund të shërojë plagët e trupit tënd të sfilitur dhe mund të sjellë buzëqeshjen në sytë e tu të shuar nga lotët e derdhura në këtë shekull sigurisht jo dashamirës.
Një klasë politike e tillë do të jetë e aftë të përfundojë ndërtimin e “ piramidës”, pra të imazhit tënd, si atë të një vendi që aspiron e mundohet të gjejë vetveten, pa komplekse përulësie, në hapësirën e një Evrope që synon të bashkohet për të përballuar sfidat e mijëvjeçarit të tretë. Kushtet për të arritur synimin nuk mungojnë. Pasuritë e tua natyrore, nëntoka, vendosja gjeografike, klima, dëshira e përparimit e shpirtit tënd të mirë, popullsia jote e re dhe e gjallë, së bashku me ndihmat, këshillat, përvojat dhe kapitalet e huaja duhet të të japin një të ardhme zhvillimi e mirëqenieje në afate të mesme e të gjata, Shqipëria ime e dashur.
Dua të përshëndes gjithë ata fëmijë e të rij, veçanërisht ata që u lindën e u rritën në kampet e përqendrimit e që sot realizojnë ëndrrën për të studiuar në shoqëri të lira. Duke ju uruar fat të mbarë dhe suksese në provimet që nuk mbarojnë kurrë, bashkohem me ty në të shpresuarit që në shpirtrat e tyre të ketë vend dhe për tokën “ku çdo gur i njeh dhe ju kujton fëmijërinë”. Me këtë urim, të cilin unë e bëj dhe për bijtë e mi, i afrohet fundi dhe bisedës sonë. Ajo mbeti në kuadrin e një vetë foljeje të përshkuar nga dëshira për t’u thelluar e për të bërë një bilanc të së shkuarës sonë, një analizë të së sotmes e ndonjë parashikim për të ardhmen tonë. Po i përdor mbiemrat në shumës mbasi fatet tona janë të lidhura përgjithmonë si ato të një biri me nënën e tij.
Në ditën që do të ketë mbaruar detyra ime, për t’i bërë të rritur, të laureuar e të pjekur tre qytetarë të Evropës, që janë dhe qytetarët e tu, do të kthehem përgjithmonë tek ti. Më pëlqen të mbaroj ditët e mia në gjirin tënd, në vendet e kujtimeve të hidhura e të trishtuara të rinisë sime, duke shpresuar se këtë herë ti do të jesh më bujar me mua, duke më kthyer dinjitetin e një qytetari të lirë, mbasi ëndrrat e thyera nuk mund të m’i kthesh më. Uroj që të jetë një ditë e lumtur për ne të dy. /Memorie.al/