Nga Rudina Koromani
Dikush që ka përjetuar disa vështirësi njëra pas tjetrës, aq sa gota është mbushur e nuk mban më, e megjithatë është ringritur e ringritur duke ecur para, sepse të gjithë i kanë thënë duhet të jesh i fortë, e i tillë ka qenë, por mjafton dhe vetëm një incident i vogël pas gjithë këtyre ngjarjeve që i kanë ndodhur (një debat me shokun e ngushtë) dhe ai thyhet… si ajo pika e ujit tepër që derdhet jashtë gotës sepse është tepër…a mund ta fajësojmë këtë person se nuk është i Fortë?
Edhe me të fortët nuk duan të jenë të fortë çdo ditë. Të qenurit i fortë vazhdimisht i kushton shumë një individi, qoftë burrë apo grua: sakrifica në punë, në familje, në shoqëri, më pak kohë për veten për tu qetësuar, pushuar e argëtuar, por mbi të gjitha mbingarkesa lidhet me rënien në një rutinë të përditshme duke mos lënë kohë për të kuptuar emocionet e vetes e ku spontaniteti mbetet një luks i programuar fundjave apo feste.
Kë quajmë të fortë: dikë të fuqishëm fizikisht, dikë që nuk është emocional, dikë të fortë mendërisht, dikë që di të thotë fjalën e duhur në momentin e duhur, dikë që gjen zgjidhje për gjithshka, dikë që shfaq emocione të përshtashme çdo herë?
Të fortë apo të dobët lidhet me disa predispozita për të qënë të aftë të përballojmë çdo situatë të vështirë, të kontrollojmë emocionet e të tejkojmë shëndetshëm krizat, kundrejt të dorëzuarit para një vështirësie, të mbyturit nga kaosi emocional e paaftësi përballimi.
Të dyja gjendjet janë prezente tek të gjithë ne, vetëm me ndryshimin se tek disa predominon njëra më shpesh për shkak të tipareve të personalitetit, skemave të të menduarit që posedojmë dhe ngjarjeve jetësore me të cilat jemi përballur, ku edukimi dhe niveli intelektual bëjnë diferenca të mëdha.
Me zhvillimin e njerëzimit, kultura të ndryshme kanë vlerësuar “ të fortët” e pothuajse të gjithë ne dëshirojmë të jemi të tillë. Dhe vërtet ka disa rreth nesh që janë të tillë e i admirojmë, por dhe ata kanë dobësitë e tyre, ashtu sikurse gjithsecili nga ne. Kush më shumë, e kush më pak, secili prej nesh ka dobësitë e veta që ja njeh e nuk ja njeh vetes në shumë raste.
Qënia njerëzore është kaq e larmishme e kaq e komplikuar njëkohësisht sa bëhet e vështirë identifikimi i saktë i këtyre njerëzve të fortë: ti sheh një burrë dy metra e mendon se është i fortë, ndërkohë që ky burrë ka ndjeshmërinë, butësinë dhe delikatësën e një fluture në zemrën e tij; shikon një grua të brishtë e mendon se mund të thyhet me një fjalë- teksa habitesh që ajo përballon më shumë sfida se ty, ndonëse ka më shumë ngarkesë e më pak mbështetje nga sa ti ke- kaq e çuditshme është qënia njerëzore që surprizon çdo çast.
Por gjithmonë e më shumë, teksa ndërgjegjësohemi se respektimi i limiteve të vetes merr rëndësi të madhe për mirqënien tonë fizike e mendore, kuptojmë se askush nuk mund të jetë i fortë gjatë gjithë kohës.
Përtej parametrave fizikë e adn-së që trashëgojmë, dikush ka më shumë të stërvitura muskujt fizikë e forca e tyre fizike është në parametra më të larta, dikush ka të stërvitur më shumë pjesën e të menduarit e kjo forcë mendore i ndihmon të kenë gjithmonë përgjigjet e duhura e disa të tjerë kanë të stërvitura emocionet e tyre, aftësi që i bën të duken të fortë emocionalisht.
Kombininimi i këtyre aftësive, tek secili prej nesh konfiguron sjellje apo reagime të ndryshme që ne i shohim e i quajmë të dobët apo të fortë.
Prirja njerëzore është rezistenca ndaj çdo shenje dobësie, por duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrën sesi i perceptojmë këto koncepte.
Nëse asociojmë mendime negative lidhur me konceptin “i dobët” për veten, me shumë gjasa jeni kritik shumë i ashpër i vetes tuaj duke menduar “ jam i dobët se nuk jam i zoti vetes”. Një skemë e tillë të menduari çon në gjëndje psikologjike ankthi e frustrimi duke u izoluar nga të tjerët e duke rënë në grackën e një cikli vicioz që ripërsëritet edhe pa dëshirën tuaj duke ju penguar të ecni para ashtu siç do dëshironit.
Jeta nuk vjen njësoj për secilin nga ne.
Dualiteti i fortë/ i dobët bashkëekziston tek secili prej nesh duke shërbyer si rregullatorë të proçeseve që përjetojmë. Të qenurit i fortë, më shumë se aftësia për të përballur gjithshka nënkupton të respektosh veten dhe emocionet e tua në momentet e tua më të vështira kur nuk ke mbështetje nga askush.
Të mos përjetosh ankth, depresion apo shqetësime me mendime e sjellje të caktuara nuk do të thotë se je i fortë mendërisht.
Mund të jesh i fortë mendërisht edhe nëse je duke u përballur me probleme psikologjike.
Është njësoj si individi që ka stërvitur muskujt e tij, por jo domosdoshmërisht volumi i atyre muskujve garanton forcën që mund ta ketë një fizik me më pak muskuj.
Të qenurit i fortë mendërisht e emocionalisht lidhet me aftësitë për të përballuar emocionet negative në mënyrë të shëndetshme:
– të kuptosh emocionet e tua duke njohur faktin se kur të përfshihesh e kur të tërhiqesh
– të jesh i aftë të mendosh objektivisht e ti flasësh vetes pozitivisht
– nuk do të thotë të shtypësh emocionet apo të mohosh vuajtjen/ dhimbjen që ndjen, por t’i njohësh vetes çfarë ndjen dhe pse e ndjen duke pranuar të përjetosh dhe emocionet e papërshtatshme.
– lidhet me sjelljet proaktive por duke i lejuar vetes për tu përkujdesur kur ndjehet i lodhur.
Mënyra sesi e mendojmë ndikon në mënyrën sesi ndihemi dhe mënyra sesi ndihemi ndikon në mënyrën sesi sillemi.
Mënyra sesi sillemi, nga ana tjetër ndikon në mënyrën sesi mendojmë e sesi ndjejmë – ky është cikli vicioz.
Të qenurit i fortë lidhet me të mësuarit, me eksperiencat, me mënyrën sesi jemi rritur, nga kush jemi rritur, si ka qenë jeta jonë, a ma mësoi kush sesi të jem?
Fatmirësisht, edhe nëse dikush nuk i ka mësuar aftësi të tilla, nuk është kurrë vonë t’i mësojë, mund t’i mësojë në çdo kohë.
Psikoterapia është njëra prej tyre, e cila ka për qëllim parësor aftësimin e individit të bëhet i Fortë. Ashtu sikurse muskujt kane nevojë për stërvitje me qëllimin që të jenë në formë ashtu dhe mënyrat tona të shëndetshme të të menduarit, të ndjerit dhe sjelljeve tona kanë nevojë për stërvitjen e tyre me qëllimin që të ruajmë ekuelobrat e domosdoshëm psikologjikë.
Ama, të jesh i fortë gjithë kohës është një barrë e madhe, një mbingarkesë që disa i rrëzon, disa i thyen, disa i ezauron duke ju hequr dhe motivin për të jetuar.
Të qenurit stoikë gjatë gjithë kohës, sepse kështu është mësuar familja, kështu do shoqëria, kështu më vlerësojnë në punë, “të gjithë varen nga unë”, – privon të kesh kohë për veten e për përjetimin e reflektimin e emocioneve të tua, duke mos ditur ku të fshihesh e të qash, duke rrezikuar të humbasësh veten.
Të qenurit i fortë lidhet me të menduarin e gabuar të mosshfaqjes e mospërjetimit të emocioneve, ku disa kultura ende e stigmatizojnë një dukuri të tillë duke e quajtur dobësi. Por, ne jemi qenie njerëzore, me arsyetim por dhe me emocione, ku çdokush ka momentet e tij/saj të lodhjes, të mbingarkesës, momente që meritojnë vëmëndje.
Çdo njeri nga ne ka limitet e veta. Njohja e këtyre kufijve se sa mund të mbajmë garanton dhe mirqënien tonë fizike e psikologjike në termat afatgjatë e afatshkurtër.
Mbajtja e emocioneve të paproçesuara ndikon negativisht në shëndetin tonë psikologjik, ku gjetja e një balance mes përdoromit të Forcës që kemi dhe respektimit të Dobësive që na mundojnë merr rëndësi jetike për ekzistencën tonë.
“Asnjëherë nuk ke për ta kuptuar sa i fortë je, derisa “të jesh i fortë” mbetet zgjedhja jote e vetme” Bob Marley
Përgatiti Rudina Koromani
Psikologe Klinike