Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka njoftuar mbylljen përkohësisht të shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballen me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. AKSHI sqaron se për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedenta dhe të rrezikshme, janë detyruar që të mbyllin sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike.
E-albania dhe disa faqe të tjera zyrtare dhe qeveritare kanë pezulluar përkohësisht shërbimet si pasojë e një sulmi kibernetik. Lajmi është bërë më dije nga vetë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit që kontrollon këto faqe e cila bën me dije se pezullimi i shërbimeve është vendosur si masë për të shmangur që sulmi kibernetik të marrë përmasa më të mëdha. AKSHI iu kërkon qytetarëve të tregojnë mirëkuptim për mbylljen e përkohshme të shërbimeve publike online deri në neutralizimin e sulmeve armike. “Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i bën me dije qytetarëve shqiptarë se është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballemi me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë”, thuhet në njoftim. Sipas AKSH-it, për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedenta dhe të rrezikshme, janë detyruar të mbyllin sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike. “Ftojmë qytetarët, mediat, bizneset dhe gjithë aktorët e tjerë të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është në gadishmëri të plotë dhe po punon gjatë të gjithë kohë me ekipin e Microsoft, ekipin e Jones Group International, dhe ekipet e kompanive shqiptare në fushën TIK për të mos lejuar që ky sulm kinerbetik të dëmtojë apo cënojë sistemet shqiptare të informacionit”, thuhet në njoftimin e AKSH-it.
Reagimi i Kryeministrisë
Kryeministria ka reaguar përmes një deklarate për mediat në lidhje me sulmin kibernetik që çoi në mbylljen e përkohshme të platformës qeveritare e-Albania si dhe të faqeve të tjera zyrtare. Në njoftimin e Kryeministrisë shkruhet se sulmi i hakerave vjen nga jashtë Shqipërisë dhe se ai është shumë i sofistikuar dhe sinkronizuar. Më tej, në njoftim thuhet se faqet do të jenë përkohësisht jashtë funksionit deri në shmangien e dëmeve. “Shqipëria është gjendur ditën e sotme nën një sulm masiv kibernetik, të pandodhur kurrë më parë. Sulmi kriminal kibernetik rezulton të jetë i sinkronizuar dhe i sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Për të mos lejuar që kjo goditje të dëmtojë sistemin tonë të informacionit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare. Sistemet qeveritare do të qëndrojnë të mbyllura deri në neutralizimin e sulmeve armike, teksa AKSHI po punon me ekipin e Microsoft, me ekipin e Jones Group International dhe kompanitë shqiptare në fushën TIK, për të penguar cenimin e sistemit tonë të informacionit nga ky akt kriminal”, shkruhet në njoftimin e Kryeministrisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sali Berisha: Po ndihmohen patronazhistët për zgjedhjet e ardhshme
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për sulmin kibernetik që sipas AKSHI-t dhe Kryeministrise ka nxjerrë dje jashtë shërbimit portalin shtetëror e-Albania dhe sherbimet online. Por për Sali Berishën kjo është një ngjarje e pa ndodhur më parë për të cilën përgjegjës është kryeministri Edi Rama. Për Berishën, hakerat që sulmuan e-Albanian janë të Edi Ramës, pasi ai ka publikuar dhe një mesazh të qytetarit dixhital, i cili thekson se të dhënat personale do përdoren nga patronazhistet për zgjedhjet e ardhshme. “Shqipëria është gjendur ditën e sotme (dje) nën një sulm masiv kibernetik ndaj portalit e-Albania, të pandodhur kurrë më parë. Në të gjenden informacionet më të rëndësishme të çdo shtetasi shqiptar, që tashmë janë nën kërcënimin e përdorimit të paligjshëm nga autorë të panjohur. Si mundet kjo qeveri, e cila e ka sforcuar me dhunë që portali e-albania të kthehej në një “institucion dixhital” për pothuajse çdo dokument të rëndësishëm, të lejojë një akt të tillë kriminal? Si mundet të ndërmerren nisma të tilla pa pasur një polici profesionale të krimit kibernetik? Si mundet Edi Rama dhe qeveria e tij të luajnë me privatësinë e qytetarëve në këtë menyrë?”, tha Berisha. Sipas Berishës, ky sulm cënon gjithësecilin prej nesh, por Edi Rama nuk është dhe aq i shqetësuar, sepse ai ka kryer vetë sulme kibernetike. “Të dhënat me pagat, kartat e identitetit, numrat e telefonave, vendet e punës ishin në dorën e patronazhistëve gjatë githë kohës. Por si ndodhi kjo? Nga i morën kriminelët kibernetikë, të ashtuquajtur “patronazhistë”, këto të dhëna? Edi Rama dhe qeveria e tij me mendësinë komuniste përndjekin çdo hap të qytetarëve, njësoj siç bënin etërit e tij. Edvin Rama, ka përdorur çdo informacion privat të qytetarëve te portalit E-Albania për shantazhe gjatë kohës së fushatës elektorale”, tha Berisha.
Vasili ngre dyshime/“Qeveria në hall të madh për shkak të dokumenteve asgjësuese”
Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka reaguar pas rënies së shërbimeve online duke ngritur dyshime për një bllokim të qëllimtë. Ai deklaron se qeveria në mënyrë të trashë po kërkon të legjitimojë dhjetëra milionë euro tender për gjoja mirëmbajtjen e AKSH. Sipas tij, kjo ngjan si dy pika uji edhe me gjoja emergjencën e plehrave, që shpalli qeveria, për të justifikuar hajdutllëkun me inceneratorët. “Por me kryesorja është se ne kemi parë që marrin ‘flakë’ hipotekat dhe prokuroritë atje ku ka dokumente ‘përvëluese’ për qeverinë. Mbyllja e shërbimeve publike on line ngjan si dy pika uji me zjarret ne hipoteka, sepse edhe ne këtë rast qeveria, që është në ‘hall të madh’ për shkak të dokumenteve asgjësuese, qe po publikohen përditë kërkon të ‘çlirohet’ me çdo mjet prej këtyre dokumenteve”, shkruan Vasili. Por ai thekson se ky është një mundim i kotë sepse shejtani tashmë ka dalë nga shishja.