Nga Plator Nesturi
Nuk është hera e parë që ndërsa fillon stina e verës piketohemi tek turizmi, por menjëherë pas saj ngecemi te një problem që ende mbetet një problematike e pazgjidhur multimilionere. Është ëështja e pronësisë mbi tokën që mbetet një ngërc i pazgjidhur, bllokuese për ekonominë e vendit e për ardhmërinë e shumë qytetarëve pronarë. Por njëkohësisht pronësia mbetet dhe një handikap që ushqen abuzivizmin e korrupsionin, makutërinë e sekserëve të hipotekave dhe grykësinë në vendime gjykatash që tjetërsojnë çdo gjë nën trysninë e pushtetit të parasë. Në këtë kalvar të gjatë të çështjes së pronës nëpër dekada, ndryshimet e shpeshtatë politikave dhe procedurave mbi pronën veçse sollën një kaos më të madh. Kaos që ka lënë si trashëgimi ende probleme të pazgjidhura sidomos në zonat më të lakmueshme të vendit dhe ku fatura e shkeljeve mund të vijojë të fryhet në dëm të ekonomisë së vendit. Në të gjitha rastet, sidomos kur flitet për pronarë dhe për ish pronarë, (problem ende ekzistent ky), dhe vlerësimet janë mbi kahe diametralisht të kunderta. Vendimi i dikurshëm për pezullimin e regjistrimit të pronave të marra nëpërmjet ligjit 7051 në zonat bregdetare, pati ngjallur reagime të dyanshme. Kritikët vunë theksin se kjo është shkelje dhe se një vendim i Këshillit të ministrave vendoset mbi ligjin dhe Kushtetutën, duke penguar ushtrimin e të drejtës së përfitimit të marrjes në pronësi qoftë edhe nëpërmjet këtij ligji që kundërshtohet prej vitesh prej pronarëve të vërtetë e që ligji nuk ua njeh të drejtën e trashëgimisë mbi të. Të tjerë mendojnë se me këtë vendim abrogohet në këtë mënyrë vetë ligji 7051 dhe se pronarët mund të rimarrin pronat e tyre dhe kjo shihej me pozitivitet. Por si rezultoi kjo inisiativë? Një nga kushtet që ka vënë BE për çështjen e integrimit të vendit është dhe ajo e pronësisë mbi tokën. A mund të shihet ky vendim si një hap për të shkuar te prona të zotit apo prej saj mund të përfitojnë të tjerë? Me anë të kësaj inisiative mund të goditej abuzivizmi pasi këto parcela kanë qenë kryesisht livadhe dhe jo toka bujqësore, që mund të përdoreshin si objekt për tu shpërndarë me ligjin 7051. Por për fat të keq, abuzivizmi nga njësitë vendore vijoi pasi nuk u ndërpre dhënia e titujve të pronësisë po në emër të ligjit 7051, duke i mbivendosur mbi pronësitë e kullotave, të cilat sipas ligjit u takojnë pronarëve të vjetër sipas trashëgimisë. Dhe ky fenomen më së shumti nuk reshti pikërisht në vijën bregdetare që i përkasin zonës turistike. Së dyti, bllokimi i regjistrimit të tyre, mund të hapte e studimeve mbi zonat përkatëse, që ato të zhvillohen si pjesë e strategjisë për turizmin, ose të shërbejnë për kompensimin e ish pronarëve nga zona të tjera. E thënë në këtë formë, atëherë kjo do të thotë se nga bllokimi i regjistrimit të parcelave të 7051, pronësia mbi to kalon në favor të shtetit dhe jo të ish pronarëve, dhe kjo hapi sërish debat, pasi me çfarë të drejte shteti mund të marrë në pronësi diçka që nuk e ka. Dhe për më tepër që tua shpërndajë të tjerëve, atyre që ai dëshiron, pra kush do jetë investitor strategjik në turizëm apo për të kompensuar kë do me anë të këtyre tokave në bregdet. Të gjitha këto pyetje kanë hapur debat. Kjo dhe për formën se si po orientohet sektori i turizmit dhe se strategjia e qeverisë për turizmin është ende me shumë boshllëqe që në shumë raste hapin probleme sesa krijojnë zgjidhje të zhvillimit të qëndrueshëm.
Ligji për turizmin ripunohet vazhdimisht prej vitesh. Që nga viti 2007 kur BE imponoi që vendi duhet të kish një ligj që duhet të rregullonte ketë sektor të rëndësishëm, por pak të shfrytëzuar të vendit, maxhorancat e ndryshme kanë dryshuar apo kanë bërë modifikime të tij Në kërkim të rregullimit me çdo kusht të sektorit turistik shqiptar, ndonëse ky sektor, si privat që është më shumë ka funksionuar me rregullat e veta sesa ato të shtetit. Pa pretenduar shumë. Por edhe pa ofruar shumë. Përderisa në Shqipëri, ende nuk ka një ligj komplementar të turizmit si të tillë, i cili të ofrojë qartësisht rregulla preçize dhe standarde turistike, nën një sistem unifikues. Për të mos folur pastaj për një strategji të mirëfilltë qeveritare të turizmit, e cila të caktojë saktësisht shtyllat e një plani kombëtar veprimi afatgjatë, rreth të cilave turizmi jo vetëm të orientohet, por edhe të disiplinohet. Për të pretenduar paskëtaj, si rezultante të tyre, një ofertë të mirëfilltë dhe kualitative turistike shqiptare, që megjithë “ekspansionin” e njësive të tij akomoduese, bareve apo restoranteve të panumërta, ende operon larg standardeve që garantojnë cilësinë si të tillë. Prej vitesh, Ministria e Turizmit, nuk bën gjë tjetër, veçse orvatet mes përpjekjeve sporadike, për “të futur duart” në një ligj që edhe atë, mezi e bënë ndërkombëtarët dhjetë vite më parë, saktësisht Organizata Botërore e Turizmit, nëpërmjet asistencës holandeze. Dhe që atëherë, disa herë është ndryshuar ky ligj, teksa ministria e Turizmit, ka deklaruar se ka filluar nga puna sërish për rishikimin e tij. Kështu ish pohuar dhe në të shumëpërfolurën “Strategji e Turizmit”. Por edhe ndërhyrjet në ligj shpeshherë kanë qenë “turistike” në qasjet apo përpjekjet e reja. Turizmi gjithësesi, edhe pa to, po mbijeton. Madje ka arritur t’i japë një leksion të madh politikës, duke arkëtuar gjithmonë e më shumë para në arkën e buxhetit dhe duke i treguar kësisoj, se teksa shteti është në kërkim të një strategjie, ai është në kërkim të mbijetesës. Dhe dihet, se lufta për këtë të fundit, gjeneron gjithmonë energjitë më të forta dhe të fshehura tek gjithkush. E mesa duket, edhe tek turizmi. Ndoshta këtu, qëndron dhe suksesi i tij, edhe pse ende pa “ombrellën” shtetërore të një strategjie të mirëfilltë dhe një ligji të kopsitur një herë e mirë.
Turizmi në strategjinë e re të ministrisë që mbulon këtë sektor ka shpallur se do të ketë një vëmendje më të dedikuar ndaj Mjedisit dhe Zhvillimit Urban. Duke i mëshuar kësisoj, rolit të padiskutueshëm që sipas saj, ushtron secili nga këta elementë tek njëri-tjetri. Për të pretenduar në fund, ofrimin e një produkti cilësor turistik. Shqipëria është mjaft interesante në llojin e vet, pasi trashëgon një amalgamë të vërtetë të tyre, e cila pse jo, e bën edhe unike ndër vendet e rajonit, me traditë në fushën e turizmit. Për këtë u tentua dikur se do të iniciohej një rishikim dhe ndryshim tjetër të ligjit mbi turizmin për të harmonizuar faktorët e zhvillimit. Kjo është diçka pozitive, veç të mos harrojmë se mosfutja e shumë kompanive me emër në botë ne sektorin e turizmit vjen si shkak dhe i moszgjidhjes se problemit të pronësisë mbi tokën. Dhe këtu duhet të hyjnë në lojë institucione të tjera shtetërore që duhet të zgjidhin këtë problem. Është paradoksale fakti që në pjesën me joshëse dhe më premtuese të zhvillimit të turizmit, në bregdetin e jugut, jemi në nivelin më të ulët të regjistrimit të pronave në rang kombëtar. Dhe kjo nuk sjell vetëm mungesë të investimeve të kompanive të huaja e presigjioze në bregdetin tonë, pasi ata nuk marrin rriskun të investojnë në një terren ku nuk dihet pronari, por sjell dhe agravim të problemeve sociale. Mangësia në regjistrimin e pronës bëhet pengesë dhe për vetë planet e zhvillimit që mund të ketë qeveria shqiptare. Rasti i Himarës, ku çështja e pronësisë mbi tokën dhe truallin ka sjellë përplasje që herë agravohen e herë bien në letargji, dëshmon se vetë shteti është defiçitar në përmbushjen e detyrimeve të tij ndaj qytetarëve, atë të garantimit dhe regjistrimit të pronës.
Një faktor tjetër që mund të sjellë një devijim me pasoja të pariparueshme në sektorin e turizmit, janë lëshimi pa kriter i lejeve për resorte turistike. Shqipëria ka një vijë bregdetare dhe ajo aq është, nuk mund të shtohet më tej. Në rast se lëshohet dora për leje pafund ndërtimesh për turizëm pa kritere të qarta e gjithë kjo do të shndërrohet në bumerang. Fshatrat turistikë më së shumti janë komplekse banimi me vila dhe apartamente që u shiten qytetarëve dhe nuk funksionojnë si fshatra turistikë. Në këtë mënyrë ato shndërrohen thjesht në komplekse banimi, dhe që skanë të bëjnë me industrinë e turizmit. Vija bregdetare kështu do të humbasë vlerën e saj për të siguruar të ardhura nga turizmi. Ajo do të shndërrohet në një fitim të shpejtë nga shitjet për kompanitë ndërtuese, por që do ndikojë rëndë për vetë të ardhmen e turizmit. Vendet më të mira të bregdetit do të shndërrohen në shtëpi e vila private duke bërë një betonizim sipas modelit të Sarandës. Ndërsa turizmi konkurues me vendet e rajonit do të humbasë thjesht si një ide e pashfrytëzuar.