Nga Elton Qyno
Petrit Fusha, ish-kryeprokurori i Tiranës rezulton të jetë marrë i pandehur për akuzën e “Deklarimit të rremë të pasurisë”.
Komunikimi i akuzës është bërë dy muaj më parë nga prokuroria e Durrësit, ku gjatë hetimeve të kryera është arritur në konkluzionin se prokurori i nivelit të lartë, Petrit Fusha, nuk ka deklaruar pasurinë. Kjo pasuri konsiston në prona të ndryshe, si përfaqe toke, dyqane dhe apartamente me qira.
Por edhe në shuma të mëdha financuara të padeklaruara në organet shtetërore, të cilat janë luajtur nga ish-kryeprokurori i Tiranës Petrit Fusha, në baste sportive dhe kazino.
Këto shpenzime sipas prokurorisë konsistojnë në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2016. Fusha ka mbajtur poste të larta në prokurorinë e Tiranës, duke e nisur si prokuror dhe më pas në Zv/drejtues e deri në drejtues prokurorie.
Ndërsa më pas është transferuar me urdhër të Adriatik Llallës, në Prokurorinë e Përgjithshme, duke drejtuar një nga seksionet e rëndësishme, si ç është dekriminalizimi.
çështja penale kundër Fushës vijon të jetë në dorë të prokurorit të Durrësit Afrim Shehu, i cili megjithëse i ka komunikuar akuzën kolegut të tij, ende nuk e ka çuar në gjykatë dosjen.
Kjo pasi Petrit Fusha, ka kërkuar kryerjen e një akt-ekspertimi kontabël mbi pasuritë dhe të ardhurat e tij, si dhe një disa veprime shtesë hetimore. Sipas dosjes hetimore kallëzimi penal ndaj Petrit Fushës, është bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në ish-prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Kallëzimi është shoqëruar me një raport mbi rezultatin përfundimtar të hetimit administrative, për ish-prokurorin Petrit Fusha.
Në dosje kërkohet të hetohet për faktet në kuadër të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve.
“…ky fakt ka shërbyer për regjistrimin e çështjes penale, në ngarkim të Petrit Fushës dhe pas kryerjes së veprimeve hetimore, është krijuar bindja për marjen e Fushës, në cilësinë e personit të pandehur…”-thuhet në dosje.
Nga hetimi i çështjes, rezulton së shtetasi Petrit Fusha, në deklaratat periodike vjetore dhe gjatë procesit të rivlerësimit, ka deklaruar rrethana të rreme në lidhje me pasuritë që ai disponon dhe që kishte në pronësi.
Për mënyrën e fitimit të pronësisë mbi këto objekte dhe sipërfaqe toke, si dhe ka kryer veprime fiktive në lidhje me dhënien me qira të disa objekteve në pronësi të tij.
Kjo pasi ka rezultuar se qiramarrësit, nuk kanë patur aftësi financiare për të paguar të ardhurat nga qiraja si dhe Petrit Fusha, nuk ka deklaruar shpenzime të kryera në lojërat e fatit gjatë viteve 2010 deri në 2016, shpenzime që kapin vlera të konsiderueshme financiare.
Ish-kryeprokurori i Tiranës Petrit Fusha kishte miqësi të fortë me Adriatik Llallën. Fusha u larguar nga sistemi i Drejtësisë me dorëheqje, duke mos pranuar të përballet me anëtarët e “Vettingut”.
Fusha njëherësh ka pasur probleme me pastërtinë e figurës, pasi sipas një dosje hetimore të drejtësisë Spanjolle, rezulton se vëllai i Fushës, shtetasi Sulejman Fusha alias Shkalla është i dënuar për “Trafik heroine” dhe “Grup të strukturuar kriminal”. Grup në të cilin bënte pjesë dhe oligarku i betonit Anton Gjinaj.