Autoriteti i Dosjeve ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për pastrimin e figurës. Autoriteti shkruan se nëpërmjet një email anonim ka ardhur informacion që Ilir Meta i ka shërbyer Sigurimit të Shtetit. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka dalë në një deklaratë për mediat ku e quan tronditëse që emri i ish-Presidentit të jetë pjesë e sigurimsave.
Sapo Ilir Meta ka marrë drejtimin e partisë së vjetër me emër të ri, i ka ardhur edhe “mandata” nga institucionet shqiptare. Autoriteti i Dosjeve konfirmon që ish-presidenti Ilir Meta, ka qenë bashkëpunëtor me Sigurimin e Shtetit në kohën e diktaturës komuniste, por pa dhënë detaje për rolin e tij. Autoriteti i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë ku këkron disa ndryshime ligjore, si dhe rivlerësimin e figurave që janë pajisur më parë me certifikatë pastërtie, pasi emri i Ilir Metës ka rezultuar në dosjen e Sigurimit të Shtetit.
Kërkesa e Autoritetit
Edhe pse Ilir Meta e ka dorëzuar postin e Presidentit të dielën që lamë pas, Autoriteti i Dosjeve ka kërkuar që të kalojë në filtrin e pastërtisë edhe njëherë Ilir Meta, pasi sipas këtij institucioni kanë ardhur denoncime sikur ky i fundit ka qenë bashkëpuntor i Sigurimit të Shtetit. “Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucionin tonë mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të larta të shtetit, siç është Presidenti i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konfirmuar nga ana jonë me vendim të datës 28.04.2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit. Nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit të pastërtisë së figurës së shtetasit Ilir Metaj, gjë të cilën nuk na e lejon neni 29, pika 4, e ligjit funksional, rezultatet e kërkimit do të ndryshonin”, thuhet në kërkesën që Autoriteti i Dosjeve i është drejtuar Kuvendit. Pasi u njoh me kërkesën e Autoritetit të Dosjeve, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zhvilloi takime me krerët e grupeve parlamentare, të cilët i njohu me materialin. Një ditë më parë, ish-zëdhënësi i Metës, tani bashkëpunëtor në Partinë e Lirisë, Tedi Blushi, reagoi duke i lënë Autoritetit barrën e provës, si dhe ironizoi faktin se Autoriteti e publikoi njoftimin dhe ftesën për ndryshime ligjore një ditë pasi Meta u rikthye në politikë.
Nikolla takon krerët e grupeve parlamentare: Ilir Meta ka qenë sigurims
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha se rasti i bërë publik nga Autoriteti i Dosjeve për përfshirjen e ish-Presidentit Meta në Sigurimin e Shtetit e bën të detyrueshëm reagimin e institucionit që ajo drejton. “Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër. Prandaj kam thërritur kryetarët e grupeve parlamentare. Dua të falënderoj Autoritetin e Dosjeve për reagimin e drejtë dhe kurajon për adresimin e këtij rasti. Në respekt të ligjit nuk mund të flas më shumë në këtë fazë”, tha Nikolla. Fatmir Mediu tha se nuk ka mësuar emra të përveçëm nga Nikolla, por shtoi se uron që çështje të mos ketë nuanca politike. “Autoriteti ka paraqitur një dosje për kërkesë për ndryshime ligjore. Do të diskutojmë me kolegët e grupit se kush është qasja politike dhe ligjore. Do të shpresoja që të mos jetë kazus politik. Nuk jam njohur me emrat e veçantë, por ligjet nuk bëhen për individët, por çështje të caktuara. Kuvendi duhet të mbajë një qëndrim të qartë”, tha ai. Ndërsa Mesila Doda, gjithashtu e pranishme në mbledhjen e kryetarëve të grupeve parlamentare, tha se emrat e personave të përfshirë në Sigurimin e Shtetit duhen bërë publikë. “Nuk mund të vazhdojmë më me iniciale, duhet të dalin me emra dhe kryetarja e Kuvendit të kërkojë pastërtinë e figurës për të 140 deputetët”, tha ajo.
Patozi: I kërkova Metës të ndryshonte ligjin e dosjeve, propozimi u hodh poshtë me konsensus
Astrit Patozi ka komentuar lidhur me pretendimet e Autoritetit të Dosjeve se Ilir Meta figuron në dosjet e Sigurimit të Shtetit. “Disa vite më parë, kur shqyrtohej ligji i dosjeve në parlament, në cilësinë e deputetit të opozitës, i pata kërkuar Ilir Metës, si kryetar Kuvendi, që verifikimin ta fillonim nga deputetët, si përfaqësues të institucionit më të lartë të vendit. Propozimi im sigurisht që nuk u përfill dhe pati një injorim total, jo vetëm prej tij dhe prej maxhorancës socialiste të kohës, por çuditërisht edhe prej grupit parlamentar të PD. Konsensus i plotë, me një llaf”, shkruan Patozi në Facebook. “Sot, më shumë se kurdoherë tjetër, është rasti për të provuar se investimet serioze nuk shkojnë dëm asnjëherë. E thënë me gjuhë popullore, hidhe të mirën në det, se ta kthen kripa në gjellë. Edhe pse ndoshta pa asnjë përfitim konkret, duhet theksuar se nuk është pak asnjëherë që të mbjellësh farën e një qasjeje të re të moralit politik në një shoqëri të traumatizuar nga deformimet e tmerrshme për shkak të abuzimit me pushtetin. Të cilat, jo rastësisht, në Shqipërinë e këtyre 30 vjetëve kanë për autorë dhe protagonistë subjekte me hije të tmerrshme të integritetit të figurës së tyre”.
Meta kalon “pastërtinë” në 2017, bëhet pis në 2022
Në vitin 2017 kur Ilir Meta ishte kandidat për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, ai ka marrë konfirimin edhe nga Autoriteti i Dosjeve në lidhje me pastërtinë e figurës së tij. Në vitin 2017, Autoriteti i Dosjeve i dha Kuvendit dritën jeshile se Meta mund të bëhej President i Republikës. Në dokumentin e publikuar lexohet se si AIDSSh i kthehu përgjigje Kuvendit, që po verifikonte kriteret e kandidaturës së Metës në atë kohë si president i propozuar nga maxhoranca, duke thënë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të mos kandiduar. “Gjithashtu, në zbatim të ligjit nr, 45 të vitit 2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, në dokumentacionin shoqërues të zotit Ilir Meta konstatohet se ka paraqitur një vërtetim nga autoriteti për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në të cilin vërtetohet se zoti Ilir Meta nuk ka asnjë pengesë ligjore të parashikuar nga neni 29, pika 2, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të ligjit “për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Më tej thuhet se vetë Meta ka deklaruar nën përgjegjësinë penale se nuk ka qenë anëtar apo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.
Meta i prerë: Nuk jam spiun, kam kaluar çdo filtër
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj letrës së Autoritetit të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit që i dërgoi Kuvendit ku përfshihej emri i ish-Presidentit. Në një konferencë për mediat nga selia e Partisë së Lirisë, Meta e konsideron si një sulm që është bërë ndaj tij për të fshehur aferën e inceneratorëve.
Ish-Presidneti Ilir Meta, tashmë drejtuesi i Partisë së Lirisë ka reaguar menjëherë pas publikimit të lajmit se ai ka qenë pjesë e sigurimit të shtetit. Duke i konsideruar këto si sajesa për të shmangur vëmendjen nga aferat e Qeverisë, Meta nuk kurseu akuzat ndaj Autoritetit të Dosjeve dhe Kuvendit të Shqipërisë, duke i bërë thirrje që t’i publikojnë të gjithë dokumentet e zbuluara. Ish-Presidenti, tashmë i kthyer në politikën aktive, i quajti të nxitura politikisht këto materiale, me qëllim dëmtimin e figurës së tij: “Është për të ardhur keq për sjelljen e “Autoritetit të manipulimit të Dosjeve”. Sepse e dinë që çfarë ka të manipuluar në ato dosje. Me një e-mail anonim, që kur të zbulohet do gajaseni të gjithë, na qenka zbuluar që pas 30 e ca vitesh, I.M. qenka ky njeri i cili që në mars të vitit 1992 është bërë deputet dhe iu është nënshtruar të gjithë filtrave të të gjithë komisioneve të të gjitha kohërave. Që nga filtri i Berishës, ku nuk kaloi gjysma e atyre që ishin pjesë e partisë ku unë bëja pjesë, tashmë të kthyer në parti patronazhistësh dhe fuksash”. Kryetari i Partisë së Lirisë duke e quajtur Autoritetin e Dosjeve si autoriteti i manipulimit dhe kriminalizimit, tha se ata e dinë kush është personi me inicialet I.M që ka dosje në strukturat e Sigurimit të Shtetit. “Unë njoh nja 40-50 Ilir Metaj”, tha ish kreu i shtetit duke theksuar se ne ato vite, “kam qenë vetëm Sekretar i Rinisë në Fakultetin e Ekonomisë”. Shprehjes së lindida Nikollit, se rasti ishte tronditës ka marrë edhe përgjigjen e ashpër nga Ilir Meta. “Lindita e Ramës në Parlament që përdoret për nevojat personale të tij. Ai është parlament patronazhistësh, një parlament i korruptuar dhe me një opozitë plot me Lulushë. Përderisa del ajo pula e Kuvendit aty, përdoret në atë mënyrë dhe u thotë shqiptarëve që ne do të zbulojmë I.M., turp i madh, faqezezë”, është shprehur Ilir Meta. Akuzat e ish-Kreut të Shtetit nuk munguan as për vetë insitucionin e drejtuar nga Genta Sula: “Ilir Meta është këtu pas 30 vitesh angazhimi në politikë, jo që nuk ka bërë gabime, por jo vetëm kaq, por do të vazhdojë edhe nja 30-40 vjet të tjera. Është autoriteti i 17 majit ky”. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar se ai do qëndrojë në politike edhe për 30-40 vitet e ardhshme. Meta tha se ka ëndrra e tij është që të bëhët kryetari i Referendumit që të çojë në shtëpi qeverinë Rama dhe Parlamentin e ‘deleve’, siç i quajti ai. “Ka marrë peng popullin e Shqipërisë, tani Partia e Lirisë e ka mbyllur hesapin me esatin. Dua të siguroj të gjithë qytetarët që Ilir Meta është këtu pas 30 vitesh angazhimi në politikë, jo se s’ka bërë gabime padyshim, por është këtu se do jetë gjithmonë i pastër në ndërgjegjen e tij dhe në të vërteta e tij, por jo vetëm kaq por do të vazhdojë dhe nja 30-40 vite të tjera, ëndrra ime të bëhem sa më parë kryetari i referendumit. Një kryeministër del kundër popullit shtypet butoni i referendumit dhe fap ikën”, tha ai.
Reagimi i Partisë së Lirisë
Partia e Lirisë ka reaguar përmes sekretares për marrëdhëniet me publikun për një letër të publikuar nga Autoriteti i Dosjeve ku thuhej se në 17 maj 2022, është informuar shtetasi I.M për dokumentet ku përmendet në dosjet e Sigurimit të Shtetit. “Autoriteti i Dosjeve nuk i ka vendosur kurrë në dispozicion me kërkesë të tij, z.Ilir Rexhep Meta një dosje të ish-Sigurimit për shtetasin I.M. Vendimi i Autoritetit të Dosjeve, siç rezulton nga vendimi i është dorëzuar shtetasit I.M, që e ka kërkuar, në një “datë historike”, 17 majin e martesës Rama-Basha, por kurrë z.Ilir Rexhep Meta. Ky vendim provon se Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Rexhep Meta nuk ka asnjë lidhje me shtetasin I.M”, tha Silva Caka. Ajo tha se “lidhur me vendimin 227, datë 17.5.2022, të Autoritetit të Dosjeve, të publikuar në media, konfirmojmë zyrtarisht se: Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Rexhep Meta nuk i është drejtuar kurrë Autoritetit të Dosjeve me asnjë kërkesë për informim”, tha Caka.
Berisha në mbrojtje të Metës: E ka kaluar pastërtinë, nuk është ish- sigurims
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, me anë të një postimi në Facebook, deklaroi se kryeministri Edi Rama ka urdhëruar “fallsifikimin dhe manipulimin e dosjeve”, duke sulmuar “në një akt hakmarrjeje të verbër, nëpërmjet veglave të tij, ish-Presidentin e Republikës, Ilir Meta, duke aluduar se ai paska qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”. berisha shkruan se pasi e ktheu Shqipërinë në monizëm, ka falsifikuar edhe dokumentet e dosjeve. “Pas inaugurimit të monizmit të plotë, Edi Rama, në traditën më të shëmtuar të bllokmenëve hoxhistë, i tmerruar nga opozita, urdhëron fallsifikimin dhe manipulimin e dosjeve dhe sulmoi në një akt hakmarrjeje të verbër, nëpërmjet veglave të tij, ish-Presidentin e Republikës, Ilir Meta, duke aluduar se ai paska qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”, shkruan Berisha në rrjetin social. Berisha i ka dalë në mbeojtje Ilir Metës duke thënë se Meta e ka kaluar filttrin e pastrimit të figurës në vitin 1996. “Pa dyshim një fallsifikim dhe manipulim i shpifur ky. Ish Presidenti Meta si parlamentar i është nënshtruar nga viti 1996 deri sot verifikimit periodik si kandidat opozite dhe mazhorance për deputet në Parlamentin e Shqipërisë, nga i cili në të gjitha rastet ai ka rezultuar pa asnjë lidhje me policinë sekrete. Me këtë sulm të ulët dhe amoral, Edi Rama përpiqet të vendosë në harresë firmën prej xhelati të Kristaq Ramës në varjen e poetit Havzi Nela dhe pushkatimin e qytetarëve të tjerë të pafajshëm. Me këtë sulm Edi Rama përpiqet të krijojë tymnajë për vjedhjet e tij të tmerrshme gjatë 23 viteve në pushtet si kryetar bashkie dhe kryeministër, ai përpiqet të sfumojë akuzën për 200 milionë euro të fshehura prej tij në bankat offshore të denoncuara në Raportin e OSBE-së në vitin 2014, për të cilin heshti si fije bari”, shton Berisha.