Pse po e ndalon Rusia furnizimin e Evropës me gaz?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rusia ka zvogëluar sasinë e gazit natyror që dërgon në Evropë, duke mbyllur një turbinë në tubacionin Rrjedha e Veriut 1. Spekulimet se do ta bënte një gjë të tillë, kanë rritur tashmë çmimet ndërkombëtare të gazit. Kritikët akuzojnë Qeverinë ruse për përdorimin e gazit si armë politike.

Çka është Rrjedha e Veriut 1 dhe me çfarë sasie furnizon?

Tubacioni Rrjedha e Veriut 1 është 1.200 kilometra i gjatë dhe shtrihet nën Detin Baltik, nga bregdeti rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermaninë verilindore. Ai është hapur në vitin 2011 dhe mund të dërgojë maksimum 170 milionë metra kub gaz në ditë nga Rusia në Gjermani. Tubacioni zotërohet dhe operohet nga kompania Nord Stream AG, aksionare kryesore e së cilës është kompania shtetërore ruse, Gazprom. Gjermania importon 55% të gazit të saj nga Rusia dhe pjesa më e madhe e tij sigurohet përmes Rrjedhës së Veriut 1, ndërsa pjesa tjetër nga tubacionet me bazë tokësore. Gjermania, po ashtu, ka rënë dakord për ndërtimin e një gazsjellësi paralel – Rrjedha e Veriut 2 – por ai nuk është bërë kurrë funksional, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Si i ka reduktuar Rusia furnizimet dhe si po e dëmtojnë ato Evropën?

Në maj, Gazprom ka mbyllur tubacionin e gazit Yamal, i cili kalon përmes Bjellorusisë dhe Polonisë dhe dërgon gaz në Gjermani dhe vende të tjera evropiane. Pastaj, në mes të qershorit, Gazprom ka zvogëluar dërgesat e gazit përmes Rrjedhës së Veriut 1 për 75% – nga 170 milionë metra kub gaz në ditë në afërsisht 40 milionë metra kub. Në fillim të korrikut, kompania ka mbyllur Rrjedhën e Veriut 1 për dhjetë ditë, për arsye të, siç ka thënë, mirëmbajtjes. Tani, shumë shpejt pas rihapjes së tubacionit, Gazprom ka përgjysmuar sasinë që dërgon në 20 milionë metra kub. Një ditë më herët, kur Rusia ka paralajmëruar se do të kufizojë furnizimet, çmimet e shitjes me shumicë të gazit në Evropë janë rritur për 10%. Çmimet e gazit janë tani 450% më të larta seç kanë qenë vitin e kaluar në këtë kohë. “Tregu është aq i shtrënguar në këtë moment saqë çdo ndërprerje në furnizim shkakton rritje më të madhe të çmimit të gazit”, thotë për BBC-në Carole Nakhle, shefe e analistëve në kompaninë Crystol Energy. “Kjo mund të shkaktojë ngadalësim në ekonomitë evropiane dhe të përshpejtojë rrugën drejt recesionit”, shton ajo.

Lexo edhe :  Opozita në protestë, Alma Kaçi në shesh për të mbështetur Partinë Demokratike

Si ka reaguar Evropa ndaj zvogëlimit të furnizimeve?

Gazprom ka thënë se është duke zvogëluar furnizimet, sepse duhet të mbyllë një nga turbinat për mirëmbajtje, por në Evropë pak e besojnë këtë. Qeveria gjermane ka thënë se nuk ka arsye teknike që Gazprom t’i kufizojë furnizimet. Gazprom planifikon të mbyllë një tjetër turbinë tubacioni në Gjermani. Shefja e politikës energjetike të BE-së, Kadri Simson, ka thënë se veprimet e Rusisë janë “të motivuara politikisht”. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka cilësuar ato si “luftë e hapur gazi që Rusia po zhvillon kundër një Evrope të bashkuar”. “Rusia po e bën gazin armë gjithnjë e më shumë”, thotë për BBC-në Kate Dourian, bashkëpunëtore në Institutin e Energjisë, me qendër në Londër. “Ajo po përpiqet të tregojë se është ende një superfuqi energjetike dhe se mund të hakmerret [kundër] sanksioneve që i ka vënë Evropa”, shton ajo.

Çfarë mund të bëjë Evropa?

Që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, Gjermania ka bërë përpjekje të sigurojë furnizime alternative me gaz nga Norvegjia dhe Holanda. Ajo po blen gjithashtu pesë terminale lundruese, për të importuar gaz të lëngshëm natyror nga Katari dhe SHBA-ja, thotë Dourian.

A ia del Evropa pa gazin rus?

Megjithatë, kjo kërkon edhe ndërtimin e tubacioneve të reja nga bregu deri në pjesën tjetër të Gjermanisë – gjë që do të zgjasë disa muaj. “Ju nuk mund të krijoni varësi nga gazi rus, siç ka krijuar Gjermania, dhe t’i ndryshoni shpejt burimet tuaja të furnizimit”, thotë Nakhle. Italia dhe Spanja po përpiqen të importojnë më shumë gaz nga Algjeria. Gjermania është duke rritur gjithashtu përdorimin e qymyrit dhe do të zgjasë jetën e termocentraleve, që ka planifikuar t’i mbyllë – pavarësisht ndikimit të tyre në ndryshimet klimatike. “Të gjithë po ndërmarrin hapat e tyre për të zgjidhur çështjen e mungesës së energjisë dhe po bëjnë marrëveshjet e tyre”, thotë Dourian. Si po e redukton Evropa nevojën për gaz? BE-ja ka përpunuar një marrëveshje, në bazë të së cilës, vendet anëtare do të ulin përdorimin për 15%. Shumë qytetarë evropianë po ndërmarrin hapa edhe vetë. “Në Gjermani”, thotë Nakhle, “njerëzit po blejnë soba me dru dhe po instalojnë panele diellore. Të gjithë po ndërmarrin hapa për të reduktuar përdorimin e gazit”. BBC

Të fundit

A reflekton vota e diasporës mendimin e emigrantëve?

GJERGJ EREBARA - Shumë janë shprehur të zhgënjyer për shkallën më të thellë të fitores që partia në pushtet...

39,1% e shqiptarëve vuajnë nga hipertensioni

39,1% e shqiptarëve vuajnë nga rritja e presionit arterial ose hipertensioni, i cili është dhe shkaktar i sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru...

Ilir Meta refuzon mandatin: “Nuk pranoj asnjë marifet”

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, hodhi poshtë mundësinë që të marrë mandatin e deputetit përmes largimit të kandidatëve të partisë së tij...

Merz po verifikon modelin italian të azilit me Shqipërinë

Kancelari gjerman Friedrich Merz e sheh të mundshme të zhvillohen procedura azili në vendet jashtë BE-së për të frenuar migrimin e parregullt në...

Ina Kollçaku prezanton partnerin: Çifti i ri rrëmben vëmendjen në rrjete sociale (Foto)

Një nga figurat e njohura, Ina Kollçaku, ka surprizuar ndjekësit duke ndarë për herë të parë momente intime me partnerin e saj. Nëpërmjet disa...

Lajme të tjera

Web TV