Nga Elton Qyno
Qeveria e kryministrit Edi Rama dhe Instituti i Statistikave (INSTAT), duket se janë në prag të dështimit me planin për zhvillimin e procesit të censusit të popullsisë, që ishte planifikuar të mbahej në muajin Tetor 2022.
Projekti për të blerë 8080 copë tableta elektronikë dhe bateri “Poëer Banks”, që do shërbenin për rregjistrimin e popullsisë në të gjithë vendin, tashmë ka dështuar duke u kthyer në pikën zero.
Kur na ndajnë vetëm dy muaj nga koha e zhvillimit të Censusit, e gjithë situata është kthyer përmbys, për shkak të këtij vendimi 32 faqe, që është marë në datë 22 korrik 2022 nga anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Anëtarët e këtij komisioni vendosën të anullojnë dhe nxjerin “nul” të gjithë praktikën, tenderuese të zhvilluar nga INSTAT për blerjen e 8080 tableta elektronikë.
Me këtë vendim të marë kundrejt raportit 3 anëtarë pro dhe 1 kundër, KPP-ja nxori “nul” dhe ofertën fituese të kompanisë prestigjoze “PC Store”.
Në muajin Maj 2022, oferta prej 1 miliard e 696 milion lekë të vjetra e kësaj kompanie, u shpall fituese e tenderit për blerjen e tabletave dhe baterive “Poëer Banks”.
Por vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në INSTAT, u kundërshtua në KPP, nga dy kompanitë humbëse “Ligus” dhe “Infosoft”, të cilat kishin hyrë në këtë garë tenderuese përkatësisht me ofertat 194.7 milion lekë të reja dhe 197.8 milion lekë të reja.
Ankimi i këtyre dy kompanive konsistonte në shfuqizimin e vendimit të KVO, për shpalljen fitues të kompanisë “PC-STORE”.
Në datën 22 korrik 2022, katër anëtarët e KPP-së Joanid Myzyri, Fiorent Zguro, Kreshnik Ternova dhe Anila Malaj, vendosën të anullojnë të gjithë praktikën tenderuese, duke çuar drejt një kolapsi të sigurt të procesit të Censusit të popullsisë në vend.
Komisioni është ndarë në një qëndrim 3 pro dhe 1 kundër Joanid Myzyri, duke argumentuar teknikalitetin e këtij procesi.
“…komisioni i Prokurimit Publik gjykon, se mospërputhja e krijuar midis kërkesave të parashikuara nga autoriteti kontraktor në specifikimet teknike dhe specifikimeve teknike kombëtare të miratuara nga institucioni përgjegjës AKSHI, ndikon drejtpërdrejtë në hartimin e ofertës ekonomike të operatorëve ekonomikë të interesuar, si dhe në vlerësimin e ofertave nga ana e KVO-së…”-thuhet në vendimin e shumicës së anëtarëve.
Kjo gjë shprehet KPP-ja, është haptazi jo në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik, ndaj, përbën shkak për anulimin e procedurës së prokurimit, me qëllim trajtimin e barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë.
“…në këto kushte, KPP-ja gjykon se autoriteti kontraktor, duhet të anulojë procedurën e prokurimit dhe në rishpalljen e saj të mbajë në konsideratë konstatimet e këtij vendimi…”-sqarojnë tre anëtarët që kanë mbajtur këtë qëndrim.
Ndërsa anëtari Joanid Myzyri, i cili ka dalë në pakicë, duke mos qënë dakord me pretendimet dhe ankesat e shfaqura nga dy kompanitë humbëse “Ligus” SHPK dhe “Infosoft Systems”.
“…një ndër qëllimet kryesore të ligjit për prokurimin publik është ai i efiçencës dhe efikasitetit të procedurave të prokurimit, ndërkohë që anulimi i një procedure në tejkalim të objektit të ankimit dhe të lidhjes shkak-pasojë me pretendimet që parashtrohen nga operatori i kualifikuar për operatorët e tjerë të kualifikuar, nuk i shërben efikasitetit dhe efiçencës së zhvillimit të procedurave të prokurimit publik…”-thotë Myzyri.
Ky i fundit argumenton në vendimin e pakicës se:
“…proporcionaliteti në anulimin e një procedure prokurimi lidhet vetëm me rastin kur në dokumentet e tenderit konstatohen gabime ose mangësi të rëndësishme. Ndërkohë që në rastin konkret, në vlerësimin tim nuk ndodhemi para gabimeve të rëndësishme…”.
Aq më më tepër, që autoriteti kontraktor, pasi i ka paraqitur argumentet e nevojshme për përdorimin e specifikimeve teknike për pajisjet objekt-prokurimi, të ndryshme nga ato të miratuara nga AKSHI, ky i fundit, ka shprehur dakordësinë në lidhje me to.
Për këtë arsye Joanid Myzyri, ka vendosur të dalë kundër anulimit të tenderit për blerjen e 8080 tabletave elektronikë, se sipas gjykimit të tij nuk ekzistojnë gabime thelbësore në dokumentet e tenderit, për anulimin e kësaj procedure prokurimi të realizuar nga INSTAT.