Kujtimet e ish-kryehetuesit të regjimit: Enveri të hiqte qafe nëse të shihte si…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Qemal Lama

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Tragjedia e luftës politike për pushtet nga viti 1943 deri në fund të vitit 1990

Në historinë e re moderne shqiptare fatkeqësisht vazhdon akoma pasiviteti i organeve shtetërore dhe si pasojë akoma nuk është arritur të gjenden eshtrat e të pushkatuarve dhe të të zhdukurve në rrethana të pasqaruara e të mbetura mister. Opinioni shoqëror është i shqetësuar dhe kërkon të sqarohet drama që ekziston për mungesën e varreve, mosgjetjen e eshtrave të të përndjekurve politikë, të cilët janë dënuar me vdekje me pushkatim.

E vërteta është e domosdoshme të zbardhet për gjithë periudhën historike duke filluan nga koha e luftës, pas vendosjes së pushtetit popullor, me gjyqet kundër armiqve kriminelë të luftës dhe bashkëpunëtorë me fashizmin dhe nazizmin, gjatë luftës së klasave dhe deri në kohën e mëvonshme të rënies së regjimit të shtetit të diktaturës së proletariatit. Studiues dhe autorë të veprave e shkrimeve me tema historike kanë dhënë mendime të ndryshme për kohën kur lufta politike është zbatuar me rreptësi dhe ashpërsi të pamëshirshme për eliminimin e kundërshtarëve politikë dhe arritjen e qëllimeve të caktuara për marrjen dhe ruajtjen e sundimit politik nga Enver Hoxha dhe sistemi politik i socializmit të zbatuar në formën diktatoriale, si pushteti popullor me mekanizmin shtetëror të diktaturës së proletariatit.

Për këtë qëllim pranohet ndarja e dy periudhave: – E Luftës Nacionalçlirimtare dhe – Periudha e diktaturës me pushtetin popullor deri në vitin 1990. Studiuesit mbrojnë pikëpamjen e ndarjes së periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare nga pushtimi fashist më 7 prill 1939 e deri më 29 nëntor 1944, si Dita e Çlirimit të Shqipërisë. Periudha e socializmit pas 29 nëntorit 1944 deri më 8 maj 1990, kur u bënë ndryshimet kushtetuese dhe u hapën mundësitë e ndryshimit të sistemit politik për kalimin nga socializmi diktatorial në kapitalizmin demokratik. Studiues të ndryshëm mbrojnë idenë se 28 nëntori 1944 është dita e çlirimit sepse menjëherë pas luftës, më 1945, u festua kjo ditë.

Për ata, dita e 29 nëntorit nuk duhet vlerësuar si dita e çlirimit, por e fillimit të diktaturës, e persekutimit politik që vazhdoi deri në vitin 1990. Kjo ide bazohet edhe në kërkesat që ka parashtruar një pjesë e të përndjekurve politikë. Përkrahësit e kësaj ideje vlerësojnë se që nga viti 1943, kur u formula Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, vrasjet e kryera në kohën e luftës me qëllime politike shënojnë fillimin e persekutimit politik nga komunistët. Në bazë të kësaj pikëpamjeje, ata mendojnë se viktimat e komunizmit në Shqipëri është e nevojshme të llogariten duke filluar nga viti 1943 e deri në vitin 1990.

Në bazë të këtyre argumenteve, këta studiues vlerësojnë se Shqipëria ka të ekzekutuar me dhe pa gjyqe: – 5037 burra dhe 450 gra; – plus 640 të vrarë në kufi (statistika shtetërore). – Nga këta, 2000 të ekzekutuarve u janë gjetur eshtrat nga familjarët e të pushkatuarve dhe u është ndërtuar një varr, ku çdo përvjetor të ekzekutimit të tyre nderohen e kujtohen nga antikomunistët shqiptarë ish-të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të diktaturës komuniste. – Por 4500 të ekzekutuarve nga komunistët enveristë që nga viti 1943 e deri në fund të vitit 1990 akoma familjarët nuk ua kanë gjetur eshtrat dhe ka plot 24 vite që enden zyrave të “shtetit demokratik” në kërkim të njerëzve të tyre të dashur, takojnë presidentë e kryeministra, kryetarë parlamentesh, lloj-lloj sorollopësh, demagogësh të nomenklaturës diktatoriale duke iu kërkuar eshtrat e familjarëve të tyre, të pushkatuar pa të drejtë.

Në disa të dhëna jo të plota të arkivit të Ministrisë së Brendshme, të publikuara nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, thuhet se: – nga viti 1944 deri në 1990, gjatë regjimit të shtetit të diktaturës së proletariatit u vranë 5157 njerëz dhe vdiqën nëpër burgje 9052 veta; – u burgosën si të dënuar politikë 17 900 njerëz dhe – u internuan për motive politike 30 383 të tjerë. Në bazë të statistikës shtetërore, pas Çlirimit të vendit, në periudhën nga viti 1945 dei në vitin 1989, për krime kundër shtetit, si dhe për bindje politike të shfaqura ose të dyshuara nga personat që vlerësoheshin me rrezikshmëri shoqërore për Partinë e Punës dhe sistemin politik të diktaturës së proletariatit, në formën e pushtetit popullor, janë zhvilluar:

– 14 000 procese penale politike; – 10 835 persona të dënuar me akuza politike; – 950 persona të dënuar me vdekje për krime kundër shtetit; – 28 000 persona të internuar dhe dëbuar për motive të qëndrimeve politike. Statistika e institucioneve përkatëse shtetërore mbetet dokumenti zyrtar për vlerësime e marrje vendimesh me fuqi detyruese. Të dhënat statistikore të ndryshme nga ato shtetërore është e nevojshme të analizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, ku është Regjistri i të Dënuarave, për t‘u unifikuar të dhënat. Qeveria e Shqipërisë ka njohur të drejtën e dëmshpërblimit për të dënuarit e të persekutuarit politikë dhe trashëgimtarët e tyre sipas ligjit dhe vendimit të Këshillit të Ministrave.

Por ky proces pas tri dekadave të sistemit të ri politik akoma nuk ka përfunduar. Të gjithë treguesit flasin se përdoret politikisht gjatë fushatave zgjedhore. Periudhat historike është e nevojshme të mbeten të ndara ashtu si kanë qenë ato objektivisht. Mendimi më i drejtë që mbrohet në përgjithësi nga studiuesit dhe pranohet nga shumica e popullit, është ndarja e dy periudhave historike. Është me rëndësi jetike për popullin, kombin dhe shtetin shqiptar ndarja e dy periudhave. Pa Luftën Nacionalçlirimtare Shqipëria do të cilësohej si vend humbës i luftës dhe do t‘i nënshtrohej ndarjes e copëtimit të mëtejshëm territorial si ndodhi me shtetet humbëse, siç u veprua me Gjermaninë.

Greqia ishte më e interesuara që Shqipëria të mos vlerësohej si vend fitues. Për shkak të ligjit të luftës të miratuar që në kohën e pushtimit fashist italian dhe të bashkimit të realizuar me mbretërinë italiane, do të bëhej copëtimi i Shqipërisë në favor të vendeve fqinje dhe Greqia do të arrinte të merrte nën sundimin e saj Shqipërinë e Jugut e të realizonte ëndrrën e Vorio Epirit. Po këto qëllime kërkonte të arrinte edhe Serbia për të marrë nën sundimin e saj Shqipërinë Veriore, duke filluar nga lumi Shkumbin.

Për këto arsye, vlerësimi i drejtë i Luftës Nacionalçlirimtare është një e vërtetë historike me të cilën krenohet e nderohet me të drejtë populli dhe kombi shqiptar kudo në botën e qytetëruar. Njëkohësisht, ajo është edhe shpëtimtare për pavarësinë dhe integritetin territorial, duke u shtrirë më gjerë edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, e në të gjitha territoret etnike ku jetojnë shqiptarët në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Greqi etj. Për ruajtjen e identitetit e sovranitetit kombëtar meriton vlerësimin e merituar politik ndarja e Luftës Nacionalçlirimtare si luftë e drejtë që e radhiti vendin tonë me Aleancën e Madhe Antifashiste, me aleatët e mëdhenj, Rusinë-Britaninë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe solli si rezultat njohjen e Shqipërisë si vend fitues, nga e cila ruajti pavarësinë dhe integritetin territorial dhe iu bashkua zhvillimeve demokratike historike.

Mendimet për vlerësimin e vrasjeve politike, gjetjen e kufomave dhe eshtrave dhe simbolikën e një varri të merituar për çdo viktimë si në kohën e luftës dhe në kohën e diktaturës janë qëndrime humane që meritojnë vëmendje dhe kërkohet të merren masat përkatëse nga organet shtetërore. Përfundimi kryesor është vlerësimi human i viktimave të luftës politike në çdo kohë dhe rrethanë që janë kryer. Shoqëria dhe shteti ynë kërkohet të zgjidhin këto probleme ashtu siç meriton vlerësimi i kontributit historik të brezave të luftës dhe të pasluftës.

Detyrë me rëndësi mbetet sqarimi i mistereve të krimeve politike, asgjësimi i kufomave dhe eshtrave të të dënuarve dhe të zhdukurve në rrethana të paqarta, të padokumentuara, apo të falsifikuara me qëllime të caktuara politike. Për këto konkluzione është e nevojshme që të gjenden dhe vlerësohen provat, të dhënat dhe dokumentet e ekzekutimit, koordinatat e varrimit, emrat e personave që kanë kryer ekzekutimin, të cilat janë zhdukur me paramendim etj. Për këtë qëllim duhet të ndihmojnë edhe personat që janë përfshirë në këto veprimtari dhe jetojnë akoma. Mbetet detyrë që të zbulohet dhe dokumentohet në gjerësi dhe thellësi gjithë veprimtaria kriminale politike që është organizuar dhe realizuar me qëllime të caktuara, për të fshehur gjurmët e krimeve dhe për të mos lënë prova që mund të përdoren më vonë për të akuzuar dhe dënuar udhëheqjen e pushtetit të diktaturës së proletariatit.

Eliminimi i kundërshtarëve politikë

Karakteristikë e sistemit politik para vitit 1990, që nga gjeneza e deri në rënie, ishte lufta e ashpër e klasave dhe dhuna për marrjen e për ruajtjen e pushtetit autoritar. Analiza në gjerësi bëhet më reale me kontributet dhe përgjegjësitë e personaliteteve të kohës, nga të cilët ndikoheshin edhe fatet e popullit e të kombit. Me këto këndvështrime referohemi edhe në qëndrimet zyrtare të paverifikuara me ndonjë referendum popullor. Politika pas viteve ’90 dënoi luftën e klasave për pushtet dhe e cilësoi si diktator Enver Hoxhën për përgjegjësinë e tij direkte dhe la në heshtje rolin për çlirimin dhe ndërtimin e vendit.

Lufta e klasave e propaganduar si nevojë për ruajtjen e pushtetit të popullit, ishte në fakt politika e hekurt për mbrojtjen e pushtetit absolut. Politika penale dhe procedura për eliminimin e personave që humbnin besimin dhe ishin të rrezikshëm zbatohej me ritualin e njohur politik dhe ligjor të gjyqeve të popullit. Asnjë autoritet tjetër nuk mund të ndalte makinën politike, shtetërore e të drejtësisë që viheshin në lëvizje me urdhër nga Komandanti. Qëndrimi i rreptë i udhëheqësit ndaj cilitdo që rrezikonte pushtetin e tij ishte bërë i qartë që në kohën e luftës. Me ashpërsi, urrejtje, bindje të plotë, pa mëshirë ai urdhëroi edhe pushkatimin e kunatit të tij Bahri Omari. Enveri nuk u ndal me kaq.

Ai pushkatoi edhe kushërinjtë e Bahri Omarit. Enveri me pushtetin e tij të pakufizuar ka urdhëruar dënimet me vdekje për personat që kanë shkaktuar tronditje të thella për regjimin në fuqi, si Grupi i Deputetëve, Bomba në Ambasadën Sovjetike, Revolta e Spaçit më 21 maj 1973, Revolta e Qafë Barit më 22 maj 1981, grupet komplotiste në ideologji, ushtri, ekonomi, kryekomplotin e kryeministrit etj. Krimet e rënda shtetërore të njohura publikisht si dhe ato të mbetura enigmë për shkak të fshehjes të së vërtetës për autorin e gjithëpushtetshëm që i ideonte dhe bashkëpunëtorët që i realizonin janë realizuar me dhunën e fshehtë apo të hapur të instrumenteve të diktaturës.

Lexo edhe :  SHBA/ Gruaja thirri policinë pasi e la vrasësin të huazonte telefonin

Veprat makabre të vrasjeve të personaliteteve të njohura të kohës kanë shkallën më të lartë të mundshme të fantazisë së ideimit, qëllimeve të konkretizimit, vullnetit të realizimit dhe perfeksionimit të falsifikimeve të ngjarjeve e të propagandës zyrtare në kohën e socializmit diktatorial. Në fillim u kopjuan dhe zbatuan me vullnet të hekurt metodat e fshehta e të hapura staliniste të ideuara nga Stalini e të realizuara nga Berja. Më pas ato u përsosën me metodat kineze të ideuara nga Mao Ce Duni në Revolucionin Kulturor e të zbatuara hapur nga gjithë organet partiake e shtetërore të internimeve masive, si dhe të vrasjeve të personaliteteve, si ai i eliminimit të Lio Shao Çi-së. Enver Hoxha, me anë të shtetit të diktaturës së proletariatit dhe pushtetit të tij absolut, sundoi me ashpërsinë e vullnetit, me zbatimin me rreptësi të politikës së luftës së klasave me pasoja të rënda për popullin dhe shtetin.

Lufta për eliminimin e kundërshtarëve të tij politikë vazhdoi me gjykimin e njohur të hekurt, me metodat agjenturore dhe përdorimin e teknikës së sofistikuar të kohës. Këto metoda u zbatuan pa dallim edhe për bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë gjatë luftës e më pas të atyre të deklaruar të vetëvrarë, si Koçi Xoxe, Nako Spiru, Omer Nishani dhe së fundi deri te Mehmet Shehu. Enver Hoxha krijoi dhe përdori pushtetin e tij në bazë dhe sipas parimeve dhe normave kushtetuese, ligjore. Problemi qëndron në faktin se ai imponohej duke vënë në plan të parë partinë që drejtonte. Ai pothuajse asnjëherë nuk fliste me emrin e tij, por të partisë. Nuk formulonte fjalën “unë”, por “partia”.

Me ombrellën e partisë udhëheqësi autoritar realisht impononte vullnetin e tij të hekurt për të vendosur për çdo gjë dhe mbi gjithçka dhe reagonte me ashpërsi dhe me masa drastike të propaganduara si ligjore, por në fakt të kundërligjshme. Enveri propagandonte drejtimin e partisë-shtet publikisht me metodën si masovik, kolegjial në marrjen e vendimeve. Ndërsa në realitet ishte tipik autoritar. Kjo metodë dallohej menjëherë në situatat që i rrezikohej pushteti. Ai urdhëronte direkt e me urgjencë si Kryekomandanti, njëlloj si në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare për eliminimin e “armiqve” realë apo të fantazisë së tij. Gjatë afro 40 vjetëve të sistemit socialist propaganda zyrtare i kushtonte rëndësi zbatimit të Kushtetutës dhe ligjeve. Dihet se Enver Hoxha reagonte dhe mbante qëndrime të rrepta ndaj çdo shkeljeje të rëndë të ligjshmërisë. Me kërkesën për zbatimin e ligjeve ai ruante rendin dhe pushtetin e tij. Ai njihej edhe për marrjen e vendimeve ekstreme personale duke i maskuar me formën kolegjiale ndaj qytetarëve.

Kërkesat për ruajtjen e rendit shtetëror e shoqëror ishin dukuri e qëndrimeve zyrtare. Ndërsa për ruajtjen e pushtetit të tij ai kishte ndërtuar sistemin e mekanizmave të Ministrisë së Brendshme dhe drejtonte direkt agjenturën e kundërzbulimit e të zbulimit të Sigurimit të Shtetit. Enver Hoxha i jepte aq shumë rëndësi të posaçme kontrollit të gjithanshëm, për të ndjekur dhe eliminuar menjëherë çdo kundërshtar të tij potencial apo të imagjinuar, sa kërkonte të dinte për çdo detaj të jetës dhe veprimtarisë së personave të dyshuar. Organet e agjenturës ngarkoheshin me detyra speciale për të kontrolluar dhe njoftuar edhe për intimitetet e rëndomta të bisedave në kafenetë apo shtëpitë e qytetarëve të zakonshëm. Agjentura punonte me intensitet edhe për zbulimin e autorëve të letrave anonime e të thashethemnajave popullore.

Tipike kanë qenë sidomos provokimi dhe nxitja e personave të ndryshëm me anë të agjenturës për të folur ashtu siç kërkohej nga legjendat agjenturore, për të bërë të mundur krijimin e provave për arrestime dhe dënime të tyre apo të personave të tretë, të piketuar e paragjykuar për t‘u arrestuar e dënuar dhe bërë shembull për të mbajtur të ndjeshme frikën nga diktatura. Këto përbëjnë edhe shkelje të hapur të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ato kanë qenë në kundërshtim me parimet e kushtetutës dhe rregullat ligjore, të cilat përbënin de jure vepër penale, por de fakto ato do të kishin këtë vlerësim, pasi ishin të orientuara nga vetë udhëheqja. Pas fillimit të luftës kundër liberalizmit dhe deri në komplotin në ekonomi, të kryesuar nga Abdyl Këllezi, komplotit në ushtri të kryesuar nga Beqir Balluku dhe pastaj të kryekomplotit të kryesuar nga Mehmet Shehu, në vitet 1974 deri më 1981, përpunimi agjenturor dhe goditja me anë të këshillimeve, arrestimeve dhe dënimeve të elementëve të dyshimtë për udhëheqjen morën përmasa të rënda për kushtet e vendit tonë dhe përbënin një rritje të theksuar të krimeve kundër shtetit në raport me numrin e popullsisë, në krahasim me vendet e tjera socialiste.

Deri tani nuk janë bërë të njohura të dhëna të sakta për përpunimet agjenturore. Sipas të dhënave të hetuesisë, prokurorisë dhe gjykatës, numri i të arrestuarve dhe të dënuarve arriti në më shumë se 470 persona në vitet 1980-1981. Për të tërhequr vëmendjen nga gjendja e rëndë ekonomike dhe dështimet në ekonomi dhe të politikës së ndërtimit të plotë të socializmit duke u bazuar kryesisht në forcat tona, udhëheqja intensifikoi politikën penale. Përfaqësuesit e klasave të pasura dhe mbështetësit e nazifashizmit ishin dënuar dhe kishte rënë veprimtaria e tyre aktive me luftën e ashpër të klasave. Persekutimit iu nënshtrua në vazhdim të kësaj politike masa e gjerë e popullit, ishte baza që kishte mbështetur atë dhe Partinë e Punës që nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe më pas në ndërtimin e socializmit. Në kushtet e liberalizmit dhe të dështimit të plotë të sistemit politik u thellua lufta brenda partisë dhe në popull, për ta mbajtur gjendjen nën kontroll me anë të dhunës së pushtetit të zbatuar nga organet e punëve të brendshme dhe të mbështetura edhe nga prokuroria dhe gjykata.

U intensifikuan edhe përpunimet agjenturore, arrestimet dhe dënimet. Ndjekja bëhej pa dallime për cilindo që mendohej i rrezikshëm. Nuk zbatoheshin as parimet themelore kushtetuese që ishin në fuqi. Deputeti nuk mund të ndiqej pa marrë miratimin nga Kuvendi Popullor. Përpunimi agjenturor për deputetët miratohej nga udhëheqja. Praktika tregon se personalitetet që vlerësoheshin të rrezikshme arrestoheshin edhe pa dijeninë e prokurorit e më pas merreshin formalisht miratimet për heqjen e imunitetit si deputet.

Komiteti Qendror ishte qendra e kreut të piramidës së kuqe të partisë-shtet, nga e cila ai drejtonte me pushtetin dhe autoritetin e pakufizuar që i kishte krijuar vetes së tij si kryetar i shtetit dhe të indoktrinimit me politikën imponuese të bindjes së verbër ndaj mësimeve, direktivave, porosive, urdhrave dhe udhëzimeve të detyrueshme dhe me fuqi më të madhe se ligjet në veprimtarinë e përditshme të mekanizmin e sofistikuar të diktaturës së proletariatit. Po këtë rëndësi merrnin edhe shtëpia e pritjes, jashtë orarit zyrtar, në mbrëmje, si dhe më pas kur sëmundja rëndoi gjendjen e tij shëndetësore, vilat e tij në Tiranë, Durrës dhe Vlorë ishin qendrat ku bëhej dhe drejtohej politika zyrtare për punët e mira të zhvillimit ekonomik dhe kulturor të vendit, si dhe veprimtaria e fshehtë me direktivat e këqija të luftës së klasave dhe politikës së rëndë penale që zbatohej me arrestime dhe dënime të ashpra deri edhe kapitale, me vdekje.

Po këto pallate të ëndrrave të këqija ishin në fakt njëkohësisht edhe kryeqendra agjenturore e fshehtë e prapaskenave të asgjësimit të kundërshtarëve politikë, me anë të masave të maskuara të agjenturës së Sigurimit të Shtetit. Ndjekja dhe dënimi i armiqve më të rrezikshëm të partisë dhe popullit ishin qartësisht vendime që orientoheshin dhe miratoheshin personalisht nga udhëheqësi. Ai urdhëronte se cili do të ndiqej nga Sigurimi i Shtetit, do të firmosej automatikisht vendimi i arrestimit nga prokurori dhe do të jepej pa diskutime vendimi i dënimit të rëndë ose kapital me vdekje nga gjykata. Udhëheqësi kishte pushtetin më të lartë në shtet.

Nga të dhënat e pakta të dokumentuara, Enveri ka qenë shumë i rreptë që në kohës e Luftës Nacionalçlirimtare. Ata që e kishin njohur nga afër kanë thënë se ai të vriste po të konstatonte se bëheshe i rrezikshëm për pushtetin e tij, ose po të dyshonte se nuk i qëndroje besnik. Është e njohur frika ndaj reagimit të ashpër deri me vrasje. Mehmet Shehu i ka thënë ndërmjetësit amerikan se duhet të kem kujdes, se Enveri të vret po krijoi dyshimin më të vogël. Këtë rrezik real e të vazhdueshëm e dinte, e ndiente dhe kësaj i kishte frikën gjithë jetën e tij Mehmet Shehu dhe e pësoi ashtu si e kishte parandier. Në dokumentet arkivore të mbetura pa u asgjësuar është gjetur dhe botuar edhe shënimi “plumbin prapa koke”, që Enver Hoxha e ka pasur karakteristikë të qëndrimeve të tij që në kohën e marrjes së drejtimit të Partisë Komuniste dhe komandimit në kohën e luftës dhe deri sa vdiq, në vitin 1985.


Të fundit

Donald Trump çel fushatën për zgjedhjet presidenciale 2024

KOLUMBIA, Karolina e Jugut – Ish-Presidenti Donald Trump filloi fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 me...

“Më shiti kokainë të prishur”, zbardhet dëshmia e shqiptarit që vrau “amerikanin”

38 - vjeçari shqiptar i akuzuar për vrasje me paramendim të 47-vjeçarit “Amerikani” ose “Gus”, mëngjesin e 20 janarit ka dhënë dëshminë e tij. “Amerikani”...

Thyen rregulluat/ Luizi dhe Olta e pësojnë keq, ja vendimi që ka marrë ‘Vëllai i madh’

Ka nisur mbrëmjen e sotme spektakli i madh i Big Brother VIP, teksa është dhënë dhe dënimi i parë. Luizi dhe Olta kanë qenë kryefjalë...

Misteri i vrasjes së vajzës që erdhi nga Italia/ Shefi i Sigurimit e thirri pas shkolle..

Narta është fshati, që fillin e ka të lidhur me lagunën. Në dajlan gjuhet peshku, kapen ngjala që të llapashitet nëpër duar. Vreshtat e...

Pësoi defekt, skafi me 4 persona në bord mbetet në det të hapur

Një skaf me katër persona ka mbetur në det të hapur në Vlorë. Sipas njfotimit, skafi ka pësuar defekt dhe ka qenë kapiteni ai që...

Lajme të tjera

Web TV