Ashtu siç ishte angazhuar dhe pas rezolutës së miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik, Shqipëria ka ndërmarrë hapa për të dënuar në Këshillin e Evropës raportin e Dick Marty, i cili shpalos pretendimet e pabaza për tregtinë e organeve në Kosovë dhe Shqipëri dhe krimeve të tjera gjatë luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar zyrtarisht Këshillit të Evropës rezolutën kundër raportit të Dick Martyt për trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri. Shqipëria kërkon të hartohet një raport i ri në të cilin të shqyrtohen akuzat për tregti të paligjshme të organeve njerëzore, të cilat sipas Tiranës janë të pabazuara. Rezoluta u është dërguar vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të KiE, sekretares së Përgjithshme të KiE-s si dhe Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. “Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i kërkohet të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë; Në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”, thuhet në rezolutë. Rezyoluta që u miratua në Kuvednin e Shqipërisë do të “hyjë” në 6 porta. Ajo ju është dërguar Vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës; Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës; Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës; Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Miratimi
Pas debateve të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës në seancën maratonë të së enjtes (21 korrik), Kuvendi miratoi në orët e vona të mbrëmjes Rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”. Rezoluta e propozuar nga shumica i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një raport i asamblesë së Këshillit të Europës, sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autoritetet deklaruan se do të kërkojnë nga Këshilli i Evropës rishikimin e rezolutës së vitit 2011 duke qenë se të gjithë hetimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asnjë provë apo fakt të tillë. Seanca e parlamentit u shoqërua me debate të forta dhe akuza të ndërsjella mes shumicës dhe opozitës për qëndrimet e palëve ndaj zhvillimeve në Kosovë.
Bajram Begaj ‘nuk e prish’ traditën, e nis me Kosovën vizitën e tij të parë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj të hënën nis vizitën e tij të parë jashtë vendit dhe do të jetë pikërisht Kosova. Ashtu siç është tashmë traditë e krerëve të shtetit shqiptare, edhe Bajram Begaj ka zgjedhur Prishtinën si kryeqytetin e parë për vizitë zyrtare 3 javë nga marrja e detyrës. Lajmi është dhënë edhe nga Kuvendi i Kosovës, i cili në një njoftim për media, ka bërë me dije se të hënën e 15 gushtit krye parlamentari kosovar Glauk Konjufca, do të presë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Begaj do të takohet në Prishtinë me krerët e shtetit dhe të politikës atje. Bajram Begaj mori detyrën më 24 korrik përmes betimit në Kuvend dhe ceremonisë në Presidencë. Begaj mori besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Në seancën parlamentare të 4 qershorit 2022, Begaj u zgjodh President i ri i Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim (83 deputetë morën pjesë në votim).
Rama publikon fotot, më 12 shtator hapet gjimnazi i ri ‘Sami Frashëri’
Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e djeshëm duke publikuar foto nga gjimnazi ‘Sami Frashëri’. Ndërsa ka ndarë pamje nga ambientet e reja të gjimnazit, Rama shkruan se më në fund shkolla do të hapët dyert këtë shtator, e cila ka kapacitet për të pritur deri në 1500 nxënës. Rama shton, se ‘Sami Frashëri’ është 1 nga 12 shkollat që do të hapin dyert këtë vit shkollor, me ambiente të reja e kushtet më moderne. “Mirëmëngjesi dhe me gjimnazin “Sami Frashëri” që është një nga 12 super shkollat e reja, që do të hapë dyert në shtator në Tiranë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama. Gjimnazi ‘Sami Frashëri’ iu nënshtrua rikonstruksionit pas tërmetit të 26 nëntorit. Shkolla do të ketë 49 klasa me kapacitet për 1500 nxënës. Kati nëntokësor i shkollës, është vendndodhja e laboratorëve. Në katet e sipërme janë klasat dhe mjedise të tjera të konceptuara sipas standardeve më bashkëkohore. Po ashtu palestra dhe ambientet sportive zënë një hapësirë të konsiderueshme, dyfish më të madhe sesa ajo që ishte. Kjo është 1 nga 160 shkollat që po rindërtohen në kuadër të programit të Rindërtimit.