Në dy ditë vizitë, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj pati dy përplasje. E para ndodhi me homologen Vjosa Osmani dhe dje me kreun e LDK-së Lumir Abdixhiku, ku ky i fundit nuk ka pranuar ta takojë në ambientet e Kuvendit, por në seli. Presidenti në linjën e Ramës, apo në kërkim të “pavarësisë institucionale”?
Kreu i shtetit Bajram Begaj, vizitën e parë zgjodhi ta bëjë në Kosovë tek vendi simotër, pa i hequr as pikë e as presje çdo paraardhësi në atë post, por jo gjithçka shkoi në linja të njëjta mes dy vendeve. Shqipëria dhe Kosova sa afër janë aq dha largohen politikisht. Edhe Begaj në të dyja ditët e qëndrimit në Kosovë ka pasur përplasje e kjo duket sikur është në rrugën e kreut të qeverisë, i cili është në parplasje të shpeshta me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Edhe presidenti që në takimin e parë pati “mosdakordësi” gjeopolitike me Osmanin. Në takimin e ditës së hënë Osmani kërkoi një bashkëpunim ushtarak mes dy vendeve, por Presidenti Begaj i dha një përgjigje jo të drejtëpërdrejtë, duke nënvizuar se me këtë merret NATO dhe se gjithçka Shqipëria do e bëjë në kuadrin e Aleancës ushtarake. Ndërsa të martën Presidenti është përplasur me kreun e LDK-së Lumir Abdixhiku, i cili nuk ka dashur ta takojë. Kjo tregon dhe një mos rakordim mes protokollit të Presidencës dhe atij të LDK-së. Por dy “incidente” nuk janë pak për një vizitë që parashikohej të ishte vetëm dakordësi, shtringime duarsh dhe deklarata thuajse të ngjashme. Presidenti Begaj është në linjën e Ramës, apo po këkron të vendosë një staturë personale për të dhënë mesazhin se nuk është thjasht si i “emëruar” në atë post nga mazhoranca aktuale. Gjithsesi Ilir Meta me të cilin bëri rrotacion të “fronit presidencial”, kishte një linjë tësisht tjetër në raport me Kosovën, ndoshta si një kundërpeshë ndaj Ramës. Në momentin e zgjedhjes si opozita, ashtu edhe një pjesë e madhe e analistëve politik e konsideruan Begajn një personazh i cili do të jetë gjithnjë nën ndikimin e Ramës. Në fakt Begaj është në këtë post vetëm me votat e mazhorancës, ku Rama tregoi forcën e tij brenda grupit parlamentar socialist të cilët nuk firuan asnjë votë. Edhe përplasjet e fundit të Begajt në Kosovë deri më tani po shihen si vijim i linjës Rama, por gjithsesi koha pritet të jetë tregues, sidomos në dekretimet ose jo të ligjeve të cilat kundërshtohen nga opozita dhe një pjesë e qytetarëve.
Përplasja e kreun e LDK-së
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku nuk ka pranuar që të zhvillojë një takim me presidentin Bajram Begaj, i cili ndodhej në një vizitë zyrtare në Kosovë. Abdixhiku nuk e ka pranuar takimin, pasi nuk ka dashur që ai të zhvillohej në Kuvend, aty ku Begaj ka programuar edhe takime të tjera. Takimi ishte parashikuar të zhvillohej ditën e nesërme. Në një kohë kur nuk ka pranuar të takojë Begajn në Kuvend, duke kërkuar që takimi të zhvillohej në selinë e LDK, muaj më parë Abdixhiku ka zhvilluar një takim me Milo Gjukanoviç, presidentin e Malit të Zi në një hotel. Por në fakt kjo sjellje e kreut të partisë opozitare në Prishtinë është me dy standarde kur bëhet fjalë për takimet e tjera të mëparshme të tij. Me një tjetër president të një vendi tjetër në rajon ai ka vepruar totalisht ndryshme. Tre muaj më parë, në maj, Abdixhiku e kishte takuar presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviç dhe për të shkoi në një hotel në Prishtinë. Dhe ky nuk është rasti i vetëm që rrëzon arsyetimin e tij dhe të LDK-së për mos realizimin e takimit me Begajn. Abdixhiku më 20 qershor të këtij viti e k takuar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në një kafene në Prishtinë. “Kafen e mëngjesit e pimë bashkë në Prishtinë; afër Sheshit Skënderbeu. Kosova dhe Shqipëria kanë të ardhme të mirë kur trajtojnë hapur e afër çdo temë e rrugëtim”, shkruante atëherë Abdixhiku në Facebook.
Takimi me Kurtin
Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Duke e uruar për marrjen e detyrës, kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës që vizitën e tij të parë zyrtare pas marrjes së detyrës presidenti Begaj e realizoi në Kosovë. Ai e përgëzoi Shqipërinë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ritheksoi përkushtimin dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, si dhe thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve tona. Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, u diskutua rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë e sidomos e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka u kërkua bashkëpunimi i të dyja vendeve në këtë drejtim. Presidenti Begaj shprehu përkrahjen e plotë për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Po ashtu, shprehu mbështetjen për vendimet e qeverisë rreth reciprocitetit për targat dhe dokumenteve identifikuese, dhe e përgëzoi kryeministrin Kurti për maturinë dhe qetësinë e treguar rreth zhvillimeve të 31 korrikut. Begaj tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe theksoi përkrahjen për qëndrimet e Kosovës në dialogun me Serbinë, që siç tha ai, duhet të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare që në qendër ka njohjen reciproke. Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në BE dhe të forcimit të Aleancës Veri-Atlantike.
Takimi me komandatin e KFOR
Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është takuar në selinë e Kuvendit, me drejtues të opozitës parlamentare shqiptare dhe përfaqësues të partive minoritare. Presidenti Begaj nënvizoi se mbështet plotësisht të drejtën legjitime të Kosovës për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në. Sipas tij dialogu me Serbinë është e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm. Kreu i shtetit nënvizoi si shumë të rëndësishëm dialogun dhe qëndrimin e përbashkët mes të gjithë faktorëve politikë në Kosovë për sfidat madhore me të cilat përballet vendi. Për presidentin Begaj, bashkëpunimi ndërparlamentar dhe ndërinstitucional mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të vijohet me punë intensive dhe të matshme për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve dypalëshe si dhe shtimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, sidomos në atë ushqimore dhe energjitike. Pas takimit me krerët e partive politike, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në bazën e NATO-s në Kosovë, ku dhe është takuar me komandantin e KFOR-it.