Dy drejtuesit e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, kanë premtuar se fundi i shtatorit nuk do e gjejë Ramën kryeministër, duke shpallur rrëzimin e qeverisë. A ka gjasa të ndodhë dhe a rrezikojnë dy krerët e opozitës që premtimi tu kthehet kundër nëse nuk realizohet? Përse opozitat premtojnë gjithnjë se “në shtator priten ndryshimet e mëdha”? Mbi zhvillimet politike në vend komenton për gazetën “Fjala” analisti Plator Nesturi.
Nga Fernada Cenko
Presidenti i Republikës Bajram Begaj vizitën e parë sapo mori detyrën e zhvilloi në Kosovë. Në takimin me homologen Vjosa Osmani u “përplas” për bashkëpunimin ushtarak ndërsa në ditën e dytë pati një incident me kreun e LDK-së. Në optikën tuaj si do të jetë bashkëpunimi Kosove- Shqipëri në këtë nivel? Pyetja vjen nga marrëdhëniet që ka Rama me Kurtin?
Presidenti ka më tepër një rol honorific dhe kontributi I tij në marrëdhëniet ndërshtetërore me vendet e tjera është më shumë sinjifikativ. Këto marrëdhënie janë më tepër prerogativë e kryeministrit si kreu I qeverisë dhe I Ministrisë së Jashtme që e ka në funksion direkt. Në këtë mënyrë dhe vizita e presidentit të ri Begaj nuk mund të dalë jashtë kësaj kornize. Por në rastin konkret, dhe për veçantitë që kanë marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, kjo ishte vizita e parë shtetërore e kreut të shtetit dhe vlera e vërtetë e kësaj vizite ishte vendosja në kushte optimal dhe vëllazërore e pikave të kontaktit me lidershipin politik të Kosovës. Në këtë aspekt u pa se erërat e ftohta deklarative të udhëheqësisë së Prishtinës kanë ndikuar në klimën e mjedisit në të cilën u zhvillua vizita e presidentit Begaj. Kortezia protokollare nuk arriti të mbulojë egon e protagonizmit provincial të eksponentëve të veçantë të politikës në Kosovë për tu dukur të parët e fshatit dhe që kësisoj veç krijojnë ndarje atje ku duhet të ketë bashkëpunim. Vetë presidentja Osmani nuk arrin të shkëputet nga deliri që i jep të drejtën të japë këshilla se çfarë duhet të bëjë Shqipëria dhe të hiqet vizionare për ide që vetëm vision nuk kanë brenda vetes. Pa shkuar më tej me plotësimin e protokollit të takimeve me eksponetë vendas që mbeten ende të mbyllur brenda kullës partiake. Kam përshtypjen se realiteti është i ndryshëm dhe dëshirat popullore nuk e mbështesin këtë cic mic deklaratash dhe karshillëku midis Tiranës dhe Prishtinës. Të vraposh vetëm për tu dukur interesant dhe ti shërbesh protagonizmit personal kur e gjithë kjo veç dëmton peshën e qeverisjes së Kosovës, është një luks që nuk I shërben qytetarëve që në fund të ditës nuk do tu interesojë shumë imazhi personal i udhëheqësve vendorë, por sa ka shërbyer kjo për vendin dhe ekonominë e shtetasve të vet. Gjithkush e kupton që ka një ngërc në linjën Prishtinë Tiranë dhe ndërlidhja midis dy qendrave të shqiptarëve ka interferencë dh zhurmues komunitativë. Vetë vizita e presidentit Begaj, aq më tepër të një personazhi që nuk është përfshirë në piruetat politike dhe xhelozitë ndër shqiptare, mund të shërbente si një fillim I mirë që prej rifillimit të komunikimit normal të niste të vendosej ura e një bashkëpunimi më të ngushtë e më intensiv. Ky shans edhe këtë herë humbi. Të paktën të shërbejë si një reflektim se ftohja e mëtejshme midis dy palëve veç do të dëmtonte një të mirë më madhe, dhe secilin veç e veç. Shpresojmë që ky reflektim të jetë I shpejtë e të gjenden mënyra të reja bashkëpunimi real për të mos humbur më kohë me tollovitë e qëndrimeve pa bereqet e me kokën mënjanë.
Ish- Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PL Ilir Meta po bëjnë një opozitë të fortë duke u sinkronizuar edhe në përmbajtjen e deklaratave. A do të ketë ngjarje në shtator që mund të sjellin ndryshime?
Do të ish mirë që realisht të kemi një opozitë dhe kjo të ish e fortë, por që kjo të mund të përfaqësohej nga Berisah e qoftë edhe Meta, atëherë vetëm opozitë nuk është. Padyshim kemi një përpjekje të dy këtyre aktorëve politikë për të ridimensionuar vetveten, por pak e vështirë të besohet se e ardhmja opozitare të jetë e lidhur me emrat e tyre. E ripërsëris prej kohësh që këta thjesht po e mbajnë peng të ardhmen e opozitarizmit në vend, dhe po I bëjnë dëmin më të madh, sidomos Partisë Demokratike. Ju shpreheni se po bëjnë opozutë fortë… Do të thosha që spo përtojnë të dalin çdo ditë në konferenca mediatike e të bllokojnë ekranet e TV, por pyetja qe ngrihet është nëse kjo I shërben opozitës apo thjesht imazhit të tyre? Është absurd ky vetëmohim për tu ricikluar pambarimisht e për të qenë në krye të partive respective, çka I ndërpret rrjedhat evoluitative, ku çdo brez politikanësh duhet të ketë ngritjen, shkëlqimin dhe përmbylljen e karrierës së vet. Nuk besoj se Berisha apo dhe Meta janë diej që nuk perëndojnë. Këta personazhe thjesht janë digë për të bllokuar kontributin e një brezi tjetër e të ri që I duhet për të transformuar këto parti në forca politike modern e që të krijojnë besim e frymëzim tek qytetarët. Deri më tani, veçanërisht Berisha, ka patur betejën për të rikapur partinë e për të dhënë mesazhin se mbetet më I forti në krahasim me të tjerët, por lufta Brenda partisë me luftën e pëlqyeshmërisë në elektorat ka një dallim esencial. Dhe të rroftë që mbetesh i forti i partisë kur elektorati të lë pendët.
Thuajse çdo opozitë për shumë vite e konsiderojnë muajin shtator si “kohë ndryshimesh”, por koha ka treguar se asgjë nuk ndodh. Përse politika në vend apo opozitat nuk ngjisin për të nxitur frymë qytetare në protesta për padrejtësitë që bëhen? A mund të vijnë ndryshimet me “gusht pushimesh”, “mitingje të sforcuara”, apo “deklarata të përditshme” në media?
Ndërsa mbeten të njëtët personazhë që deklarojnë si zakonisht për bëmat e shtatorit, vështirë se mund të ketë surpriza. Në fund të fundit çfarë kanë më shumë sesa forcën e deklaratave. Kur nuk ngjit më, ske çtë bësh, sado mitingje të sforcuara të bësh e të sokëllitësh nëpër ekrane televizive. Nuk bëhet do me zor, ca më tepër se të kap ligji.
Qeveria gjithsesi është nën akuzë publike kryesisht nga opozita për korrupsion, por nga ana tjetër edhe SPAK ka disa dosje të nxehta teksa po verifikohen zyrtarë të nivelit të lartë, ministra, ish-ministra dhe kryetarë bashkishë. Si lëkundet mazhoranca qeverisëse nga reagimi i opozitës duke mbledhur militantët e saj, apo të pakënaqurit, apo nga sistemi i drejtësisë?
SPAK ka detyrë dhe object të punës së tij pikërisht pastrimin dhe goditjen e korrupsionit në vend e në administratë. Dhe për të gjithë është e qartë se oborri është mbushur plot ndër vite me mbeturina që u duhet gjetur vendi. Nisur nga kjo do të vlerësoja çdo trysni të opinionit public për të pastruar çdo abuzues të pushtetit dhe të korruptuar në vend. Ashtu siç marr me dyshim cdo akuzë të lançuar nga politika në dëm të kundërshtarëve. Do të dëshiroja të mos e paragjykojë por janë bërë aq shumë abuzime, nga të dikurshmit e të tanishmit, saqë çdo akuzë e një palë do e përthjeja me ndikim ndaj gjyqësorit për tu fokusuar aty ku do akuzuesi, për të shmangur pikërisht mëkatet që ka bërë vetë diku tjetër. Qytetarët kanë sy dhe memorie për bëmat e çdokujt dhe zhurmat e akuzat veç u trashin kokën për tua bërë të qartë se sa zullume janë bërë, si dikur dhe tani.
Rama nga ana tjetër ka vendosur që të heshtë këto kohë, duke tentuar të “injorojë” akuzat e Metës dhe Berishës. Është një strategji e Ramës për të relativizuar deklaratat e kundërshtarëve politik apo në nisjen e sesionit të ri Parlamentar do kundërpërgjigjet me dy çështje: “non gratat” e Berishës dhe dyshimet se Meta mund të ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit?
Tërheqja pas akuzave dhe kundërakuzave mund të jetë kurthi që mund tu shërbejë më shumë Berishës dhe Metës. Për më shumë Berishës që do të relativizojë gjithshka kur mbi të rëndon dhe shpallja non grata për abuzim me pushtetin dhe korrupsion sinjifikativ. Si qytetarë nuk na intereson se si do të përgjigjet rama a dikush tjetër, pasi kjo do t ëish thjesht një spektakël në shërbim të politikës, ne na intereson se si dhe kur do ti çojë në krye SPAK hetimet që ka nisur dhe të japë kontributin e vet për pastrimin e vendit nga ferrat e korrupsionit dhe të abuzimit me pushtetin.