Nga Leonard Veizi
Kur Banka e Shqipërisë na dha lajmin se do të hidhte në treg një bankonotë 10.000 lekëshe, si shumëkujt edhe mua, gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte: inflacioni. Domethënë, shkurt e qartë, që të mos futemi në të thella: deri dje nëse do të bëje shpenzimet e javës në një supermarkatë, do të të mjaftonte një kartëmonedhë 5.000 lekëshe. Ca vite më parë, të njëjtën gjë e bëje dhe me një kartëmonedhë 2000 lekëshe. Nga sot duhet të kesh në kuletë kartëmonedhën e re prej 10.000 lekë që të mund të përballosh shpenzimet.
Sipas teorive të konspiracionit Bordi i Bankës, kur ka marrë vendimin, me siguri do ketë ditur diçka për lëvizjet e ardhshme në rang global. Fjala vjen: e dinte që po afrohej kriza e Kovidit që do të përshkallëzohej me krizën e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, që do të sillte ngritjen e çmimeve zinxhir e që vazhdimësia e krizës mund të jetë ose me linë e majmunit, ose me hapjen e ndonjë fronti të ri lufte. Ndaj mori pasa paraprake.
Dhe mirë bëri, tek e fundit. Kartëmonedha e re është birinxhi. Si puna e 1.000 dollarëshit amerikan, por që është rezervë federale e nuk del në qarkullim.
Arsyeja është e thjeshtë: inflacioni zhvlerëson lekun. Ndaj duhet rritur rroga. Mirëpo ty të rritet rroga por jo standardi i jetesës. Sepse gjithmonë do të blesh po aq sa ke blerë për nevojat e tua. Dhe kur mendon se do kesh kursyer diçka, në fund të muajit ke mbetur përsëri me qindarka.
E që të jemi të qartë, kjo llogari merr vlerë kur qeveria të ç’dëmton duke të llogaritur një shtesë mbi pagën, që ka të bëjë me indeksimin e çmimeve. Në një kohë kur ti prej vitesh nuk e merr këtë indeksim, dhe rroga jote është po ajo e 7-8 viteve më parë, padyshim që je bërë për për të të qarë hallin e do të të duhet, o do t’i thuash ndonjë miku të të huajë ca para që të paguash faturat, o të marrësh “eurobond”.
Në një vend si Shqipëria, rroga përdoret për të ngrënë e për të blerë ndonjë rrobë maksimumi. Se lakuriq nuk do dalësh në rrugë. Nuk flas këtu që vëllai emigrant të sjell një makinë të përdorur që t’i ta prishësh duke bërë xhiro te Blloku. Flas për mesataren e njerëzve dhe të rrogave. Dhe këtu nuk futen as multi milionerët që duam apo nuk duam ne e kapën veten, qoftë dhe duke privatizuar me “letra me vlerë”, – pra për 5 para gjë, – pronat e ish-shtetit. Dhe sot ata cilësohen si investitorë strategjikë.
Iku ajo punë.
Rritja e çmimeve, dukej si fjalë goje në fillim dhe shpesh për të ngushëlluar njëri-tjetrin kemi thënë: po ec o burrë se 100 lekë të reja për asortiment janë rritur çmimet? Ia dalim!
Dhe ç’është e vërteta, kjo është e vërtetë kur bëhet fjalë për biznese popullorë që mbajnë të njëjtin nivel klientele.
Mirëpo jemi në stinën e pushime verore, dhe nëpër plazhe dora nis e lirohet nga pak. Por llogaria në fund të lë pa mend. Dhe si përfundon “me sukses” pushimet plazhore të verës 2022 të bie në mend ajo shprehja e famshme: “The king is dead, long live the king!” e cila edhe pse përfaqësuar më së shumti në gjuhën angleze fillesën e ka nga Franca. Në rastin konkret, shqip ajo transkriptohet më së miri: “Rrofshin pushimet.., poshtë pushimet”!
Ja, do bëjmë një llogari të thjeshtë të një familjeje me katër persona që shkon me pushime në mënyrë modeste. Kjo që të kuptojmë më mirë dhe inflacionin, edhe indeksimin dhe rritjen e çmimeve, edhe xhepat e pantallonave në fund të aventurës.
Do nisesh me pushime me karburant që varion deri në 100 lekë të reja ngritje për 1 litër. Sepse në këmbë nuk shkon dot.
Një dhomë fshati – nuk po flasim për hotelet – është rritur me 500 lekë të reja dhe një çadër me dy shezllone 200 lekë të reja. Pra 700 lekë pa nisur dita. Nuk po fusim në këtë mes, kafe, akullore e ndonjë misër të pjekur që ambulantët ta fusin me zor te goja dhe ec e mos e ha po deshe. Sepse në fund të fundit jemi me pushime. Dhe po të pjesëtojmë edhe sasinë e karburantit vajtje-kthim, këtu na duhet të shtojmë nja 200 lekë më tepër.
Ndalemi te dreka. Çdo asortiment në restorant ka një rritje prej 100 lekësh. Katër veta, d.m.th katër pjata, katër gota birre apo vere dhe dy pjata mesi. Gjithsej në 10 asortimente kemi 1000 lekë të reja shtesë, shkuan 1900 deri në drekë.Llogari e trashë kjo ore, se mos mendoni që i kam marrë nga Instituti i Statistikave. Se po qe për statistika… e kemi thënë dhe më parë: ne kemi marrë ccmim për ushqimin kur s’kishim bukë të hanim.
Vazhdojmë me hesapet e tjera.
Që ta dini, jemi me pushime. Nuk kemi shkuar për të bërë punë vullnetare e duhet të marrim tenxhere me presion, tiganë, kanoçe e kusi me vete. Pra në djall le të shkojë, se kursejmë një vit që të bëjmë një palë pushime, ashtu “të hajrit”.
Në darkë përsëri në një restorant popullor. Pak më të kursyer këtë herë meqenëse sipas të dhënave që jep “shëndetësia falas” nuk duhet të rëndohemi se na bën keq. Po e ulim dorën me 500 lekë të reja shtesë. Shkuan 2400 lekë shtesë në fund të ditës.
Po qe se ke ndërmend të qëndrosh 10 ditë në plazh, shtesa mbi kuotë do të shkojë 24 mijë lekë të reja. Ndërkohë që rroga mesatare është 35 – 40 mijë lekë…
Të keqen e pushimeve në Turqi, Greqi, e në Spanjë po deshe…
E habiten pastaj se pse ka shkuar turizmi për lesh.
Në këto kushte e mira është që të tërheqësh kuzhinën me vete: e të fillosh përsëri të ziesh fasule e të trashësh orizin për pilaf, meqenëse kanë proteina e fibra dhe të mbajnë. Se deti të lodh e të këput, dielli gjithashtu. Ndaj duhet të hamë që ta përballojmë.
Jemi apo s’jemi me pushime djalli e mori?!
Hajde pushime të mbara!