Në Shqipëri po strehohen aktualisht mbi 3 mijë shtetas ukrainas, qysh nga nisja e sulmit rus ndaj Ukrainës 6 muaj më parë. Ambasadori ukrainas në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, thotë që pjesa më e madhe e tyre janë të vendosur për t’u kthyer në Ukrainë dhe për të rindërtuar vendin e tyre pas luftës.
“Një falenderim të veçantë kemi për popullin e Shqipërisë, i cili ka mbledhur ndihma të ndryshme, në fonde, në ilaçe, ushqime dhe produkte të tjerë” – thotë ambasadori Shkurov.
Ai dha këto komente për Zërin e Amerikës, pas veprimtarisë Libri Ukrainas në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.
Kjo është nisma e Zonjës së Parë të Ukrainës, Olena Zelenska, në mënyrë që ukrainasit e strehuar në Shqipëri të gjejnë libra në gjuhën e tyre.
“Kemi marrë një mbështetje shumë të fortë nga SHBA-të edhe nga shtetet e NATO-s dhe këto ndihma dhe mbështetje kanë ndikuar në ecurinë e luftës” – tha ambasadori ukrainas.