Në ditën e sotme fokusi kthehet nga Spanja, aty ku Barcelona do të përballet me Manchester City-n në një ndeshje miqësore. Ndeshja është krijuar për të mbështetur kërkimin e ALS në emër të ish-ndihmës trajnerit të Pep Guardiola, Juan Carlos Unzue, i cili u diagnostikua me sëmundjen në fillim të vitit 2020.
“Shumë më tepër se një ndeshje” është titulli i “Sport”. Barça përballet me Manchester City-n në një miqësore solidariteti.
Në Britani, “Mirror Sport” nxjerr në pah mbrojtësin në vështirësi. “Harry: i kuq dhe i varrosur”. Maguire ka frikë se duke ngrohur stolin tek United, ëndrrat e tij për të marrë pjesë në Kupën e Botës do të shuhen”.
“Leao nuk preket” ka shkruar e përditshmia italiane ”La Gazzetta dello Sport”. Chelsea mendon për portugezin, por Milani thotë jo.
“Corriere dello Sport” thekson merkaton e bardhezinjve: “Milik, ishte fat”. Depay është shumë i shtrenjtë, prandaj Juve zgjedh polakun Milik si zëvendësues të Vlahovic.
“Mendime të vogla për Allegrin” është titulli i torinezes “Tuttosport”. Vlerësimet e tregut të transferimeve dhe zgjedhjet taktike lënë të hutuar jo vetëm tifozët.
Gazeta madrilene “AS” e hap ditën duke shkruar “Katërshja fantastike”. Sipas raportit teknik të UEFA-s: Benzema është lojtari më i mirë në Ligën e Kampionëve 2021-22, Courtois portieri më i mirë, dhe Vinicius lojtari i ri më i mirë.
“Yjor” ka shkruar katalanasja “Mundo Deportivo”. Sot përballja Barça-City në orën 21:30, në një ndeshje miqësore.
Prestigjozja “Marca” fokusohet gjithashtu tek yjet e Realit duke shkruar: “Akuj”. Real Madridi, me Ancelottin, Benzema dhe Courtois, do të mbretërojë nesër në ceremoninë gala të UEFA-s në Stamboll.