Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta dorëzoi në SPAK kallëzimin penal ndaj kryetares dhe anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve, me akuzën e falsifikimit të dokumentave. Reagon Autoriteti i Dosjeve: “Dokumentat janë autentike, kemi zbatuar ligjin”. Dyshohet se Ilir Meta (Metaj) ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dorëzuar në SPAK kallëzimin e paralajmëruar ndaj Autoritetit të Dosjeve, të cilin e akuzon zyrtarisht për 6 vepra penale. Dje ai ka njoftuar se ka bërë kallëzim pranë autoriteteve, pasi sipas tij kanë bërë shkelje të rënda ndaj ligjit. “Sot kam kallëzuar penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i kanë bërë ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për manipulimet dhe falsifikimet flagrante në shërbim të shantazhit politik, për llogari të Edi Ramës”, tha Meta. Në SPAK, Meta ka paditur kryetaren e Autoritetit, Gentiana Sula, si dhe anëtarët Albert Nikolla, Altin Hoxha, Gjergj Marku dhe Skënder Vrioni. Akuzat ndaj anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve janë për falsifikim i dokumenteve shtetërore; falsifikim kompjuterik; falsifikim i vulave, i stampave ose formularëve; shpërdorim detyre; përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik; zbulim i akteve ose të dhënave sekrete. “Ata janë kthyer në vegla për të stisur dhe ekzekutuar një sulm politik të shëmtuar, me pasoja të rënda edhe për besimin e publikut në institucionet shtetërore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”, thotë Meta në kallëzimin e tij drejtuar SPAK. Ilir Meta, në një konferencë për shtyp, ka publikuar pjesë nga dosja e Sigurimit të Shtetit. “Autoriteti ka prodhuar gjeneralitete të rreme për qëllime të pastra politike. Në asnjë dokument, edhe ato të falsifikuara, nuk rezultojnë gjeneralitetet Ilir Rexhep Metaj. Autoriteti bën çuditërisht edhe propozime për Kodin Zgjedhor. U hetua për 24 orë dhe duke shkelur ligjin se gjoja personi me inicialet I.M. na ishte ish-Presidenti i Republikës. Autoriteti nuk pati asnjë dokument që mund të lidhte figurën e Ilir Rexhep Metajt si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”, tha kreu i Partisë së Lirisë. Ai më tej jep versionin e tij: “Në deklarimet autentike me shkrim dore të shtetasit F.T., të datës 9 Mars 1990, dhe që janë deklarime pjesë e dojes në ngarkim të këtij personi, ai shprehet qartë se ka komunikuar vetëm me dy persona për arratisjen e tij, I.M dhe A.Z, shokë fakulteti dhe konvikti me të. Në deklaratën me shkrim dore të shtetasit F.T. në datë 9 mars 1990, bërë përpara sigurimit të shtetit, nën presion, pasi i kishin vendosur përpara edhe denoncimin e I.M., edhe përgjimet me Teknikë Operative të bëra prej tij, rezulton se vetë F.T ka deklaruar se: personat e vetëm që ka biseduar për arratisje jashtë shtetit janë shokët e tij të konviktit I.M. dhe A. Z.; në asnjë rresht apo paragraf të kësaj deklarate autentike nuk përmendet asnjë Ilir Metaj (as Ilir Rexhep Metaj dhe as Ilir Mero Metaj)”. Duke folur lidhur me akuzat ndaj tij, Meta tha se në rastin konkret, Kuvendi “ka marrë në shqyrtim raporte krejtësisht të paligjshme, e për më shumë, i ka komunikuar edhe në media, në shërbim të skenarit mafioz politik”. Meta tha se e gjithçka është një skenar politik kundër ish-presidentit të vendit, duke theksuar se emri i tij nuk përmendet askund për veprimtari spiunazhi. Ai shton se gjithçka ka nisur nga një mail i dërguar me “regji nga lart”. “E gjitha është skenar mafioz politik kundër ish-presidentit. Gjithçka nisi nga një mail me regji, nisur vetëm 24 orë pasi nuk isha më president. Duke shkelur çdo parim, u arrit në përfundime se personi I.M ishte gjoja presidenti. U tha se bëhet fjalë për Ilir Metën, edhe pse nuk ka asnjë indicie për diçka të tillë”, tha Meta. Disa javë më parë, gjatë një seance në Komisionin e Ligjeve, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve kërkoi ndryshime ligjore, në mënyrë që të kishte mundësi që të riverifikonte emrat e funksionarëve shtetërorë që edhe pse e ishin pajisur më parë me certifikatën e pastërtisë së figurës, rezultonin me probleme. Si shembull për këtë ajo u tregoi deputetëve një dokument ku shkruhej se ish-presidenti, Ilir Meta, kishte qenë i përfshirë në Sigurimin e Shtetit gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Meta i hodhi poshtë akuzat.
Reagon Autoriteti” dokumentat janë autentike
Autoriteti i Dosjeve ka reaguar pas kallëzimit penal të kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta për manipulim dhe shkelje të sigurisë. Autoriteti garanton autenticitetin dhe integritetin e çdo dokumenti. Sipas tyre, materialet arkivore vihen në dispozicion, në zbatim të ligjit nr.45/2015 i ndryshuar, duke mbrojtur të dhënat personale. “Versioni origjinal ruhet në arkivin e Autoritetit. Autoriteti është i bindur në vlerën dhe impaktin publik të ndryshimeve ligjore, të paraqitura e kërkuara në mënyrë të përsëritur Kuvendit të Shqipërisë, (në nëntor 2018, shkurt 2020, korrik 2022) për shfuqizimin e nenit 29, pika 4 të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar, mbi komisionet “Mezini”-“Bezhani” dhe për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, për angazhim gjithëpërfshirës të subjekteve politike, për zbatimin e nenit 30 të ligjit 45/2015, i ndryshuar”, thuhet në deklaratën e Autoriteteve të Dosjeve.