Me efekt të menjëhershëm, Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Qeveria mori vendimin që brenda 24 orëve e gjithë trupa diplomatike dhe personeli ndihmës të largohet nga vendi. Shkak për këtë u bënë “provat e pakundërshtueshme” për sulme kibernetike.
Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Vendimi u bë publik dje nga kryeministri Edi Rama dhe arsyeja ka të bëjë me sulmet kibernetike ndaj institucioneve shqiptare të cilat kanë ardhur nga Irani. “Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Dëmet mund të konsiderohen të vogla. Asgjë nuk u zhduk pa kthim. Sulmi nuk ishte një operacion individësh, por një agresion shtetëror. Agresioni është orkestruar nga Irani”, njofton Rama. Për këtë arsye, Rama theksoi se ka vendosur me efekt të menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. “Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, së cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshirë edhe personelin e sigurisë”, u shpreh Rama. Shefi i Qeverisë tha se ka njoftuar edhe aletatët strategjik për këtë vendim dhe agresionin që i ka ndodhur vendit tonë. “Ne kemi informuar aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj vendit tonë. Nisur nga sa më lart, Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt të menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, së cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe personelin e sigurisë”, tha ai.
Sipas tij, kjo masë ekstreme, aspak e deshiruar po krejtësisht e detyruar “është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e kaosit në vend”. Rama tha se Shqipëria ka arritur një stad tjetër sa i takon luftës për sigurinë kibernitike. “Dështimi i këtij sulmi masiv mbi vendin tonë, falë rezistencës së sistemeve që kemi ngritur dhe ndihmës së grupeve speciale që na u bashkuan në këtë luftë, nuk është fundi i kërcënimit kibernetik, po thjesht prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë falë zhvillimit digjital në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike. Por lajmi i mirë është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë e si duhet ta bëjmë për të mos na prekur dot askush, ashtu siç dimë edhe se do t’i bëjmë siç duhet gjërat e duhura, sepse kemi partnerët e duhur”, është shprehur Rama.
SHBA mbështet Shqipërinë, bëjmë përgjegjës Iranin për sulmin kibernetik
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin vendimin e Shqipërisë për shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Me anë të një deklarate, Shtëpia e Bardhë shpreh dënimin më të fuqishëm për sulmin kibernetik ndaj vendit tonë, aleat në NATO, dhe kërkon që regjimi i Teheranit të mbahet përgjegjës për këtë ngjarje të paprecedentë. “Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-së dhe që krijojnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”, tha Adrienne Ëatson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Shtëpia e Bardhë thekson se “Shqipëria i sheh rrjetet qeveritare të prekura si infrastrukturë kritike”. Gjithashtu paralajmëron se aktivitetet keqdashëse kibernetike të një shteti për të dëmtuar qëllimisht shërbimet publike të një vendi tjetër do të hasin në reagim lokal, rajonal dhe global, gjë e cila mund të çojë në përshkallëzim dhe konflikt. Në reagim, qeveria amerikane tregon dhe nivelin e dëmit të shkaktuar nga Irani në të dhënat dhe shërbimet publike shqiptare. “Për javë të tëra, qeveria amerikane ka qenë në terren duke punuar së bashku me partnerët e sektorit privat për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për të zbutur, rikuperuar dhe hetuar sulmin kibernetik të 15 korrikut që shkatërroi të dhënat e qeverisë dhe ndërpreu shërbimet qeveritare për publikun”, shkruhet në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane. Ndërkohë, edhe Maqedonia e Veriut ka shprehur mbështetje për vendimin e Shqipërisë për ndërprerjen e raporteve me Iranin. Ministri I jashtëm, Bujar Osmani, dënoi sulmin kibernetik dhe kërkoi që autorët të mbajnë përgjegjësi.
Berisha: Vendim i vonuar dhe gjysmak
Ish-kryeministri Sali Berisha, deklaron se vendimi i qeverisë shqiptare për ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin pas sulmit kibernetik, është një akt i vonuar dhe gjysmak. Përmes një postimi në facebook, Berisha thekson se Partia Demokratike e ka kërkuar prej muajsh marrjen e një mase të tillë, por kjo nuk është marrë parasysh nga qeveria për shkak të lidhjeve të fshehta të kryeministrit Rama me regjimin e ajatollahëve. Teksa dënon sulmin kibernetik të Iranit, Berisha kërkon ndërprerjen e marrëdhënieve me këtë vend dhe jo vetëm pezullimin e tyre.
“Ngrirja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin një akt i vonuar dhe gjysmak. Republika Islamike e Iranit gjatë këtyre viteve ka projektuar për të ndërmarrë ndaj Shqipërisë një seri aktesh subversive dhe armiqësore të rrezikshme. Për këto akte, në mënyrë të përsëritur, kemi kërkuar ndërprejen e marrëdhënieve diplomatike me regjimin e ajatollaheve të Iranit. Por kërkesat tona nuk janë marrë parasysh nga autokrati i Tiranës. Kjo ka patur shkaqet e veta obskure të lidhjeve të përfolura të fshehta, Rama-Veliaj me regjimin e ajatollaheve, të denoncuara nga une mënyrë të përsëritur, në parlament dhe jashtë tij”, tha Berisha.
Ai mendon se prapa këtyre lidhjeve qëndrojnë edhe financime të fshehta të regjimit të ajatollaheve për ardhjen e PS në pushtet. “Duke dënuar me forcën më të madhe të gjitha aktet subversive të Iranit ndaj Shqipërisë, sot kërkoj, jo ngrirjen por ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Republikën Islamike të Iranit”, shkruan Berisha.