Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, pa praninë e një avokati, është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku është marrë në pyetje për hetimet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’. Report Tv mëson se Fatmir Mediu, është thirrur si person qe ka dijeni për rrethanat e hetimit për dosjen e kompleksit ‘Partizani’ dhe rolin e tij si ministër i Mbrojtjes gjatë kohës së qeverisjes së Sali Berishës, kohë kur u privatizua edhe ish-kompleksi ‘Partizani’.
Sakaq, ish-kryeministri Berisha do të thirret javën e ardhshme në SPAK për të dhënë dëshminë e tij për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Ndërkohë, përveç ish-kryeministrit, është planifikuar që të merret në pyetje si person që ka dijeni për procedurat dhe ish-ministri Arben Imami. Po ashtu në pyetje do merret dhe Xhemal Gjunkshi, ish-ushtarak i lartë.