Kryeminstri Edi Rama u tregua i vendosur se do e çojë deri në fund nismën për aministrinë fiskale. Ai tha se puna e ndershme e çdo shqiptari që punon në të zezë do të ligjërohen në bankat shqiptare. Bashkimi Europian është treguar skeptik dhe është kundër kësaj nisme dhe sot Rama pritet të ketë një takim me ambasadorë të vendeve të BE-së.
Kryeministri Edi Rama është i vendosur tek amnistia fiskale. Ditën e djeshme në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes së Qeverisë, Rama tha se “paratë e zeza” të emigrantëve janë para të ndershme. Rama shprehur edhe një herë sigurinë se ky ligj do të bëhet, por shtoi se ende po punohet për të shmangur ndonjë keqkuptim dhe për ta përsosur më tej. Rama ka sqaruar oponionon publik duke theksuar se nuk ka hequr dorë nga amnistia fiskale. “Ne nuk jemi tërhequr por diskutojmë dhe dëgjojmë për të sheshuar keqkuptimet. Amnistia fiskale do të bëhet, e përsëris, sepse e kërkojnë shumica e shqiptarëve, e keni parë dhe në këshillimin kombëtar, nëse i keni vënë re të gjitha pikat e këshillimit kombëtar ose kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes”, është shprehur kryeministri Edi Rama. Ai tha se nuk do ti penalizojmë emigrantët të cilët kanë punuar jashtë me punë të ndershme por në të zezë. “Me ç’të drejtë t’i privojmë qindra mijëra shqiptar nga e drejta për të formalizuar të ardhurat e tyre në të zezë në vendet e huaja? Pse? Dhe kush jemi ne që t’i paragjykojmë 99% të shqiptarëve për shkak të 1% që është pjesë e gjithë të këqijave që kanë të bëjnë me krimin e organizuar. Kush janë ata që na thonë ne se Shqipëria s’mund ta bëjë këtë, se thonë se shqiptarët janë kriminelë?”, tha Rama duke mbështetur çdo emigrant i cili punon në punë të pasiguruar jashtë vendit.
Lufta politike, shkak për imazhin
Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza mbi klasën politike e cila në luftë për mbijetesë në politike ka shkatërruar imazhin e Shqipërisë në botë. “S’u vë faj se janë politikanët tanë që kanë shkatërruar imazhin tonë për të luftuar kundërshtarin këtu me kosto që e paguajnë shqiptarët. Shqipëria ka xha gajdurët e vet si çdo vend, por atë që i bëjnë vetë disa shqiptar nuk ia ka bërë asnjë armik, këtu shtoj dhe ata që marrin përsipër të bëjnë katalizatorin e të vërtetave publike që kontribuojnë për mjegull dhe gënjeshtra”, është shprehur Rama. Shefi i Qeverisë kur u pyet për ligjin se BE është kundër amnistisë fiskale tha se do e çojë këtë gjë deri në fund për mbrojtjen e financave të emigrantëve. “Po ju me kë jeni me shqiptarët, apo me përrallat, se nuk e kuptoj? Hallin e kujt qani se nuk e kuptova? Unë jam këtu për të qarë hallin e shqiptarëve dhe këto ‘nëse’ janë në hava. Do mundohemi të krijojmë një bazë për dakordësi, nëse jemi dakord shumë mirë, nëse jo s’ka problem, pa shkelur norma e parime. Amnistitë fiskale i kemi parë nga thuajse të gjitha vendet e BE, aty janë bërë shumë amnisti, në Itali janë bërë edhe më shumë… kështu që s’po bëjmë shpikje dhe nuk duam të bëjë diçka që i shkon ndesh asnjë kornize që ka të bëjë me norma e parime te BE. Sa i përket parasë së zezë, të jemi të qartë se bëhet fjalë për para të kursyera nga puna në të zezë, jo para të zeza, ligji i ka të qarta kategoritë që nuk përfshihen në amnisti. Pak më shumë respekt kur flisni për ‘paranë e zezë’ të emigrantëve dhe pak më shumë vetëdije që ky nuk është ligj për mua apo politikanët, gjykatësit, prokurorët apo ata që kanë pasur funksione drejtuese në administratë. Është një ligj për ata që kanë lënë vite të tëra rrugëve për të kursyer paratë, ça keni ju më këtë? Pse nuk jeni ju mbetës të kësaj? Qani hallin tim, si do ia bëj unë? Është gjëja më pak e rëndësishme, nuk jam këtu për punët e mia personale, pavarësisht se ju mund të tregoni çdo përrallë dhe çdo kush mund të besojë… çfarë mund të bëj unë? Mund të ndaj me ju të vërtetat e mia, pastaj ju jeni në të drejtën tuaj t’i ktheni të gjitha në përralla, por nuk e kuptoj se këtë ligj e kërkojnë 60% e shqiptarëve dhe emigrantët dhe ju qani hallin sa do mërzitet BE dhe SHBA? Ca halli qani, ata i kanë punët në rregull, ne duet t’i bëjmë punët në rregull si ata dhe natyrisht duke bashkëpunuar me ta”, tha Rama.
Akuzat për PD
Kryeministri Edi Rama gjatë përgjegjes së pyetjeve të gazetarëve ka shigjetuar edhe Partinë Demokratike në lidhje me financimet ruse. “Unë mendoj se nëse politikanëve në Shqipëri u është dhënë e drejta të gabojnë më shumë se një herë, nëse kemi një parti që është financuar me para të një vend armik të demokracisë, nëse në atë parti sot kemi në krye defakto një person non-grata për të gjitha të zezat nga SHBA, dhe nëse me radhë mund të marrim të tjerë e të tjera që vazhdojnë të jenë në skenë, atëherë kush jemi ne?!”, tha Rama.