Në disa qytete të Francës është protestuar kundër çmimeve në rritje dhe reformës së pensioneve të planifikuar nga presidenti Emmanuel Macron. Për aksionet e protestës kishin bërë thirrje sindikatat.
Aksionet e protestave të zhvilluara në mbarë vendin në Francë kishin në fokus shërbimin urban dhe shkollat. Mbi 200 kolona demonstruesish u mobilizuan në mbarë vendin. Pjesëmarrja në protesta dhe pengesat prej tyre megjithatë ishin të përmbajtura. 20 deri në 30 përqind e personelit të shkollave iu bashkuan protestave, sipas të dhënave të sindikatave. Ndërsa Ministria e Arsimit bën fjalë për një kuotë pjesëmarrjeje prej njëmbëdhjetë përqind të personelit të arsimit.
Qarkullimi i trenave brenda vendit ishte i kufizuar, në Paris disa trena dhe autobusë të periferive qarkulluan më rrallë se zakonisht. Ndërkohë që trenat e distancave të largëta qarkulluan sipas planit.
Në demonstratën në Marsejë mori pjesë edhe ish-kandidati për president populisti i majtë Jean-Luc Mélenchon.
Kampi qeveritar një ditë më parë (28.09) kishte rënë dakord për të shtyrë konsultimet me përfaqësuesit e organizatave sociale në mënyrë që deri në dimër të paraqesin një projektligj. Ligji i ri do të duhet të hyjë në fuqi verën e ardhëshme. Në diskutim është që kufiri i moshës së pensionit të rritet me katër muaj për secilin vit në mënyrë që deri në vitin 2031 mosha e pensionit të arrijë për të gjithë në 65 vjeç.
Këtë herë jo protesta vjeshte?
Tradicionalisht në Francë në vjeshtë pasi popullsia kthehet nga pushimet e verës zhvillohen protesta në mbarë vendin për probleme të ndryshme dhe pakënaqësi sociale. Por të enjten (29.09) nuk pati protestë masive në rrugë kundër presidentit Emmanuel Macron, që u rizgjodh në verë dhe qeverisë së riformuar. Për shkak të ndihmave miliardëshe dhe vendosjes së një tavani për çmimin e energjisë inflacioni në Francë aktualisht është dukshëm më i ulët se në vendet e tjera europiane.
Sindikatat dhe opozita gjithashtu janë të përçara në protestën e tyre kundër qeverisë. Ndërkohë që sindikatat demonstrojnë, partia e majtë, socialistët dhe ekologjistët kanë bërë thirrje që më 16 tetor të zhvillohet një “Marshim kundër shtrenjtimit të jetesës dhe mosangazhimit në krizën e klimës”./DW