Nga Frrok Çupi
Disa nuk e pranojnë e disa të tjerë e pranojnë me kokën ulur: Qeveria jone ‘Rama 3’, ka frikë. Njerezit ne bare dhe në kafe flasin orë se ‘ky nuk është trim… qeveria ka frikë’.
Sa me shume qeveria kapet në frikë, aq më shumë kundërshtaret trimërohen. Dje ish presidenti Meta i shkoi në zyrë ish presidentit tjetër, Berisha, të dy trima ‘të qartun’ dhe me qeveri që të merrnin gjak në vetull. Meta i shkoi Berishës i ngarkuar me mesazhin: ‘ Iku ky, e shikon që ka frikë’
Ka dhjetëra fakte që qeveria jonë është kapur në frikë, sa më shumë siklete i vijnë vendit, aq më shumë e ndjejmë se qeveria herë tërhiqet, herë ngadalëson e kalibron punët, herë e thotë troç se ‘ këtë gjë nuk mund ta bëj’.
Le të numërojmë disa momente frike ku qeveria nuk ia doli të thotë se ‘ e shemb malin e nuk kthehem’.
Frika Një:
U shty afati i çmimit mbi 800 kilovat/ orë energji elektrike. Disa thonë se kjo fashë kapte 1 përqind, dikush 10 përqind e dikush më pak. Por qeveria e mori me një përqind masën popullore që prekej, dhe para kësaj u ‘ tremb’ dhe u ndal në rrugë. Kundërshtarët e qeverisë nuk ishin aq të qartë dhe thanë herë se ‘ qeveria ka frikë opozitën’, dhe herën tjetër një shprehje më bombë: ‘qeveria ka frikë popullin.
Frika Dy:
Qeveria doli para nxënësve te kolegjit turk dhe u tha me përulësi se faji është i pronarit të shkollës. As ndaloi protestën para selisë së qeverisë, as rrahu ndonjë nxënës. Të të ulë në gjunjë një grup rioshësh nga shkollat, kjo do të thotë se qeveria është e qullet dhe ka frikë. Të njëjtën gjë bëri në protestën e studentëve të tre viteve të shkuara, ku u ul në gju dhe pranoi kërkesat. Kundërshtarët e qeverisë u kanë bërë thirrje nxënësve të shkollës turke që ‘ të vijnë në parti’ dhe t’ i sulemi me trimëri qeverisë dhe shkollave. Kjo do të quhet protestë e vërtetë. Kundërshtarët e qeverisë Rama kanë qenë në pushtet dhe i kanë përballuar me trimëri të tilla situata. Nuk ka evidenca se rrahën apo mbytën dikë që protestoi, por praktikoi një mbytje më trimërore masive: Në kohën e tyre askush nuk guxonte të protestonte para selisë së qeverisë, madje as në shkollë. Deri në vitin 1998 nuk u lejuan protesta në bulevardin e qeverisë, ndërsa në vitin 2011 në bulevard u ngrit një lapidar ku nënkuptohej: “ Mos protesto, ose kujto se këtu ranë 4 protestues’.
Frika Tre:
Qeveria ndali hapin para iniciativës për amnistinë fiskale. Kundërshtarët, me të drejtë thanë se ‘qeveria ka frikë nga Perëndimi”. Kjo është një qeveri që e ka këtë lloj frike. Kundërshtarët, por edhe njerëz nëpër lokale e kafe, mbajnë mend se si vite të kaluara qeveria nuk kishte frikë as Kombet e Bashkuara, as Amerikën, as Europën. Qeveria theu embargon e vendosur nga Kombet e Bashkuara duke furnizuar me naftë e armë diktatorin e izoluar të Ballkanit. Qeveria dhe presidenti atëherë, me trimëri ia plasën në sy Amerikës dhe e akuzuan se ‘ luftën civile të vitit 1997’ e ka ngrehur CIA. Presidenti la jashtë derës edhe sekretarin e shtetit të SHBA, Timothy Wirth.
Ndërsa qeveria Rama nuk e bën hapin jashtë ligjeve të Perëndimit dhe jashtë modelit perëndimor. Kjo nuk është trimëri si trimëria që kishim.
Frika Katër:
Qeveria po blen drone dhe satelitë nga frika e terrorit, nga frika e kriminelëve të vendit, nga frika e hajdutëve, nga frika e atyre që i bëjnë keq popullit. Një kryetar trim i hyn pyllit ne sëpatë e nuk e çan kokën se bota ka dronë apo ka satelitë. Ai tjetri në Veri i vuri gjoksin topit, ndërsa në Jug i hodhi gunën mbi tela. Vetë Sali Berisha, kur ishte kryeministër, ka deklaruar se në zyrë mbante katër snajperë, të gjithë mbi kokën e kryetarit të opozitës.
Por këta kanë frikë.
Frika Pesë:
As Berisha as Meta nuk po burgosen. Kjo është frikë e qeverisë. Pse shtyhet pa fund? A themi se qeveria e ka ne dore drejtësinë dhe të gjitha institucionet? Atëherë ka frikë. Fatos Nano, kryetar i opozitës, u burgos për tre ore dhe i hodhën çelësin ne Vjosë. Ka shuma njerëz që janë të pakënaqur me këtë situatë. Madje ata kanë frikë se sa të hyjë dimri, Berisha do të minojë e presë shtyllat e tensionit të lartë dhe vendi do të mbetet pa drita. Këta kanë frikë para tij.
Pse ka frikë qeveria?
E para se kjo qeveri nuk ka as fis, as vendlindje, as lartësi ku ka lindur e ku vret frikën. Askush nuk e di ku e ka fisin Edi Rama, as ku ka lindur, as ku e ka fshatin, as ku ka trima. Ndërsa Berisha dihet, në një fshat heroik në Malësi të Gjakovës. Edhe Meta në 1000 metra në Skrapar. Kur tregojnë, mijëra herë e tregojnë, këtë e bëjnë për të thënë se kanë fisin prapa e nuk kanë frikë.
Vendi ynë ka përjetuar në shekuj qeveri që nuk kanë frikë. E dini arsyen kryesore? Në vitin 1905 vendi ynë kishte vetëm 5 përqind popullsi qytetëse; edhe këta në 5 qytete. Qytetësit kanë frikë, jo ata të tjerët.
A na nevojitet një qeveri qe ka frikë?
Po te mos ketë frikë qeveria, atëherë vendin e merr lumi. Presidenti i famshëm amerikan Jaferson, shkruante: ‘ Kur një popull i frikësohet qeverisë, kjo është tirani. Kur një qeveri ka frikë nga populli, kjo është liri”