Real Madrid ka marrë një pikë ndaj Shakhtar Donetsk të martën në mbrëmje në Varshavë, duke siguruar biletën për në 1/8 e finaleve në Champions League.
Ka qenë një pikë e luftuar dhe me gjak për Madridin pas një ndeshjeje jo të mirë. Goli ka ardhur në minutën e 95-të nga Rudiger. Gjermani ka shënuar me kokë golin e kualifikimit, por e ka paguar shtrenjtë pas një përplasjeje të frikshme kokë më kokë me portierin ukrainas, Anatoli Trubin.
Pasojat janë parë dje, teksa mediat spanjolle raportojnë se gjermani ka 20 të qepura në zonën e syrit, por për fat nuk ka thyerje të kockës së syrit apo dëmtime të tjera serioze.
Vetë klubi madrilen ka bërë me dije se nuk e përjashton grumbullimin e tij për takimin ndaj Barcelonës të dielën pasdite, ndonëse në fytyrën e Rydigerit janë dalluar qartë shenjat e “luftës”.
Edhe vetë mbrojtësi nuk dorëzohet, duke lënë të kuptohet se dëshiron të jetë ndaj Barçës.
“Çfarë nuk të vret të bën edhe më të fortë. Faleminderit për mbështetjen, jam mirë”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.