Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike
Jetojmë në kohëra ku gjithshka vërtitet rreth parasë, të cilat ndonëse i fitojmë me mund nuk kemi kohë ti shpenzojmë. Harrojmë qëllimin kryesor se pse punojmë.
Shumë individë që gjenden në këtë vorbull përballen çdo ditë me presionin dhe stresin që lidhet me fitimin e tyre, atë që në gjuhën e përditshme e quajmë “Punë”, përfitimet e së cilës i ka përfshirë të gjithë e në shumë raste u kontrollon jetën, zgjedhjet personale, u kushton lumturinë, qetësinë – Mirëqeninen.
66% të punonjësve evropianë që raportojnë nivele jo të shëndetshme të stresit në punë
Sipas Eurofound “një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve … përballen me një nivel shumë të lartë të kërkesave për punë” dhe se puna intensive( dy, tre punësimi) është “mjaft e përhapur” – 36% e punëtorëve në BE punojnë “gjatë gjithë kohës” ose “pothuajse gjithë kohën” nën presionin e afateve të shkurtra kohore të vendosura, i cili duket si stresori kryesor aktual.
Një studim (CIPD, 2016) mbi 900 organizata evropiane, tregoi se nivelet më të larta të stresit janë në Zvicër (72%), Austri (68%), Greqi (58%) dhe Gjermani (58%); ndërsa vendet që i japin më shumë përparësi shëndetit dhe mirëqenies janë Franca (84%), Suedia (82%) dhe Holanda (72%).
Punonjësit vuajnë gjithnjë e më shumë nga stresi i punës dhe presioni i lartë i punës. Problemet e shëndetit mendor në pamje të parë duket se janë një trend ku faktori kryesor shihet ajo që Forbes quan “ epidemia e stresit në punë”.
Një anketim i Lepayame me 1,322 punëtorë evropianë (2021)në lidhje me tolerancën e tyre ndaj stresit, gjeti se punëtorët në të gjithë Evropën përjetojnë nivele jo të shëndetshme stresi!
– më shumë se gjysma e të gjitha ditëve të punës të humbura në BE shkaktohen nga stresi i lidhur me punën.
– 4 në 5 menaxherë shprehin shqetësimin për stresin e lidhur me punën.
– më shumë se gjysma e të gjithë punëtorëve në BE raportojnë se stresi i lidhur me punën është i zakonshëm në vendin e tyre të punës.
– 60% e drejtueseve femra kanë probleme me gjumin
Disa nga stresorët më të zakonshëm në vendin e punës si: konkurenca, paga e ulët, ngarkesa e tepërt e punës, mundësi të pakta për rritje, një punë që nuk na pëlqen, mungesa e mbështetjes, kërkesat e paqarta për performancën etj, çojnë në gjëndje fizike e psikologjike të rënduar shumëkënd.
Puna citohet si një burim i rëndësishëm stresi nga shumica e studimeve. Efektet e stresit të pakontrolluar, mund të dëmtojnë shëndetin dhe mirëqenien tonë. Një mjedis pune stresues mund të kontribuojë në probleme të tilla si dhimbje koke, dhimbje barku, shqetësime të gjumit, reagime agresive impulsive dhe vështirësi në përqendrim.
Stresi kronik nga puna mund të rezultojë në ankth, pagjumësi, presion të lartë të gjakut dhe një sistem imunitar të dobësuar. Mund të kontribuojë gjithashtu në kushtet shëndetësore të tilla si depresioni, obeziteti dhe sëmundjet e zemrës. Duke e komplikuar problemin, njerëzit që përjetojnë stres të tepruar shpesh e trajtojnë atë në mënyra jo të shëndetshme, të tilla si ngrënia e tepërt, ngrënia e ushqimeve të pashëndetshme, pirja e cigareve ose abuzimi me drogërat apo alkoolin.
Puna është e rëndësishme për arsyet që i dimë të gjithë, por nuk duhet ta lejojmë që të na kushtojë shëndetin dhe marrdhëniet tona sociale e personale.
Për të menaxhuar Stresin që krijon puna, rekomandohen disa strategji nga specialistët e fushës:
1- Mbani shënime për një ose dy javë për të identifikuar situatat që ju krijojnë stres dhe mënyrën se si reagoni ndaj tyre. Shkruani mendimet, menyrën si ndiheni, informacion rreth mjedisit, përfshirë njerëzit dhe rrethanat e përfshira, mjedisin fizik dhe mënyrën se si reagoni. A e ngritët zërin?
Marrja e shënimeve mund t’ju ndihmojë të gjeni modele midis stresorëve dhe reagimeve tuaja ndaj tyre.
2- Zhvilloni përgjigje të shëndetshme ndaj stresit. Në vend që të përpiqeni të luftoni stresin me ushqim të shpejtë ose alkool, bëni çmos për të bërë zgjedhje të shëndetshme kur ndjeni që tensioni po rritet.
Ushtrimet janë çlirues të shkëlqyer. Gjithashtu gjeni kohë për hobi dhe aktivitete të preferuara. Pavarësisht nëse lexoni një roman, shkoni në koncerte ose luani lojëra me familjen tuaj, sigurohuni që të lini kohë për gjërat që ju sjellin kënaqësi.
Gjumi i mjaftueshëm me cilësi të mirë është gjithashtu i rëndësishëm për menaxhimin efektiv të stresit. Ndërtoni zakone të shëndetshme të gjumit duke kufizuar marrjen tuaj të kafeinës gjatë ditës dhe duke minimizuar aktivitetet stimuluese, të tilla si përdorimi i kompjuterit dhe televizorit, gjatë natës.
3- Vendosni kufij. Në botën e sotme dixhitale, është e lehtë të ndjeni presion për të qenë në dispozicion 24 orë në ditë. Vendosni disa kufij punë-jetë për veten tuaj. Kjo mund të nënkuptojë bërjen e një rregulli për të mos kontrolluar emailin nga shtëpia në mbrëmje, ose mos përgjigjen në telefon gjatë darkës.
4- Karikoni energjinë tuaj. Për të shmangur efektet negative të stresit kronik dhe lodhjes, na duhet kohë për të rrimarë veten….Ky proces i rimëkëmbjes kërkon “fikje” nga puna duke pasur periudha kohore kur as nuk përfshiheni në aktivitete të lidhura me punën, as nuk mendoni për punën. Kjo është dhe arsyeja se pse është kritike që ju të shkëputeni herë pas here, në një mënyrë që i përshtatet nevojave dhe preferencave tuaja. Mos lejoni që ditët e pushimeve tuaja të shkojnë dëm.
Për ata që janë të punësuar, të folurit hapur me punedhënesit tuaj ndihmon në menaxhimin më të mirë të Stresit, pa harruar dhe mbeshtetjen e familjarëve dhe miqve tuaj. Qëllimi kryesor është që të zhvilloni aftësi sa më të mira për të përballuar stresin dhe mbilodhjen e panevojshme.
Mos harroni: punojmë për të përmirësuar cilësinë tonë të jetesës e jo për ta përkeqësuar atë….
#perballimi_i_stresit_në_punë, #menaxhimi_i_stresit,