Pak muaj para zgjedhjeve lokale, dy drejtuesit politik, të mazhorancës dhe opozitës do të duhet të zgjedhin kandidatë të ndryshëm në formim dhe kontribut politik. Rama do të shkojë drejt kandidatëve mirëfilltas politik, duke konfirmuar disa nga krerët aktual të bashkive që mbahen nga PS, ndërsa Berisha e ka detyrim përzgjedhje më të kujdesshme duke afruar edhe qytetarë të paangazhuar në parti, për të ruajtur balancat e brishta brenda kampit opozitar me shumë grupime.
Javët në vijim do të jenë të nxehta për politikën në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale. Sfida kryesore është e dy liderëve të kreut të PS-së, njëkohësisht edhe kryeministër Edi Rama dhe të PD-së Sali Berisha. Ndryshe nga herët e kaluara ku kandidatëve të PS-së iu përgjigjej me një kandidat të ngjashëm nga PD, këtë herë opozita do të duhet të rishpikë veten. Nga ana tjetër Rama do i duhet të bëjë kujdes për të ruajtur balancat, pasi disa drejtues bashkie është i detyruar ti mbajë, pavarësisht performancës apo numrit të lartë të mandateve që ata kanë. Edhe pse mund të ngjajnë të “konsumuar” Rama do duhet t’i rikandidojë pasi kanë krijuar një staturë lokale dhe moskandidimi i disa prej tyre mund t’i dhuronte bashkinë kundërshtarit. Nga ana tjetër Berisha është mëse i detyruar që të matet mirë kur të përcaktojë 61 sfidantët, pasi e ka me detyrim që të bëjë një përzgjedhje sa politike aq edhe kandidatë të paangazhuar politikisht, por me reputacion në zyra të ndryshme, për të ruajtur balancat e brishta që ka në kampin opozitar. Ish-kryeministri e ka të lehtë të përzgjedhë 61 të bindur të tij, duke përdorur edhe Primaret (zgjedhje mes disa kandidatësh ku voton anëtarësia për të përzgjedhur njërin prej tyre), por kjo mënyrë do të çonte në përçarje, pasi në PD ka të paktën tre grupime. Një pjesë e madhe është me Berishën, të tjerë ende ruajnë “kujtime” nga Basha, ndërsa grupimi i tretë edhe pse disi i heshtur nuk është me asnjërën palë. Në këtë mënyrë edhe brenda partisë së tij Berisha ka nevojë për të mbajtur balancat. Është disi i çliruar nga partitë e tjera opozitare ku veçanërisht Partia e Lirisë e përfaqësuar nga Ilir Meta ka lënë të kuptohet se do i lerë rrugë të lirë PD-së së Berishës për të dalë me kandidatët e saj. PL, kërkon më shumë këshillat bashkiakë, si një formë e mirë për të ristartuar partinë e re me emër por që si në thelb ashtu edhe në përbërje është vijim i LSI-së.
Faktori lokal
Edhe pse në përgjithësi zgjedhjet lokale janë cilësuar më shumë si politike, këtë herë ka një ndryshim thelbësor. Është i rëndësishëm edhe çfarë përfaqëson kandidati i njërës apo tjetrës palë. Veçanërisht në bashki të vogla emri i kandidatit është shumë i rëndësishëm pasi mund të bëjë diferencën në vota personale. PD shkon e pafavorizuar pasi nga 61 bashki vetëm Shkodrën mban, pasi në zgjedhjet e vitit 2019 opozita e drejtuar nga Lulzim Basha i bojkotoi zgjedhjet. Megjithatë Rama nuk ka alibi për atë që ka shkuar keq në disa bashki, pasi si pushteti lokal ashtu edhe qëndror është tërësisht në duart e PS-së. Ndryshe nga PD, Rama ka konfirmuar se Partia Socialiste nuk do të zhvillojë Primare por kandidatët do i përzgjedhin në strukturat politike. Të dyja palëve do u duhet të nxitojnë në këtë drejtim pasi fushata nis disa muaj para se të ajo të hapet zyrtarisht.