Është mbyllur nata e parë e UEFA Champions League, mes shumë emocioneve dhe surprizave. Sot do të ndjekim ndeshjet e tjera, ku më kryesorja që spikat është ajo mes Barcelonës dhe Bayern Munich. Fati i katalanasve varet kryesisht nga sfida Inter-Plzen, por Blaugranat do të futen vetëm për fitore ndaj bavarezëve.
Ndjekim disa nga titujt kryesorë për ditën e sotme:
Corriere dello Sport hapet në faqen e parë me ‘rrënosjen’ e Juventusit në Champions League: “ Juventus në ferr”. Bardhezinjtë bien në Lisbonë dhe janë jashtë fazes 1/16.
Tuttosport hapet në faqen e pare duke kërkuar llogari mbi eliminimin: “Kush i paguan dëmet?” Të paktën 25 milionë të ardhura të humbura të shkaktuara nga një skuadër dhe një trajner që fiton 175 milion në sezon”.
“Milan Bum” është titulli me të cilin hapet e përditshmia italiane La Gazzetta dello Sport. Milani “shkatërron” Dinamo Zagreb-in me rezultat 4-0 dhe tani nevojitet vetëm një barazim ndaj Salzburg për të kaluar në raundin tjetër.
“Errësirë” është titulli i madrilenes AS. Real Madrid bie në Leipzig pas një pjese të parë katastrofike dhe tani duhet të mposhtë Celtic për të siguruar vendin e parë në grup.
Prestigjiozja Marca fokusohet gjithashtu tek disfata e Los Blancos: “Madridi bie në gjumë”. Tani lidershipi do të luhet në ditën e fundit.
“Mrekulli ose ferr” ka shkruar katalanasja Mundo Deportivo. Barça pret që një sukses çek në Milano të qëndrojë i gjallë. Nëse Interi fiton, sfida kundër Bayernit do të jetë e parëndësishme.
Edhe gazeta Sport ka të njëjtën fokus: “Le të ëndërrojmë”. Barça ka nevojë për një mrekulli për të qëndruar gjallë në Champions League. Pritet një pengesë nga Interi dhe fitorja ndaj Bayernit në Camp Nou.