Kandidatët e primareve të Rithemelimit të Sali Berishës për Bashkinë Tiranë vazhdojnë të shpalosin vizionin e tyre për drejtimin e bashkisë së kryeqytetit.
E pyetur gjatë një interviste televizive se si mund të rregullohet Tirana, Adriana Kalaja tha se kjo zgjidhet vetëm me tritol. Madje ajo e paraqiti edhe si slogan të saj ‘Tirana fitohet vetëm me tritol’.
Sipas saj ndërtimi i kullave në kryeqytet është bërë me “porosi dhe urdhra të mafies së ndërtimit kanë ngushtuar qendrën historike të Tiranës duke i hapur vend ndërtimit të kullave”.
“Tirana shpëtohet me tritol. Kjo nënkupton se çdo kullë pas një auditimi të bërë në bashkinë nëse unë do ta kem fatin ta drejtoj, që rezulton se është ndërtuar mbi një vepër të trashëgimisë kulturore, jo vetëm që do i vihet tritoli, jo vetëm që do bëhet vepra si ka qenë, do veprohet me përgjegjësi penale. Nëse unë fitoj në ato vende do të vihet tritoli. Të gjithë përgjegjësit, nga Veliaj dhe oligarkët që kanë bërë një gjë të tillë dhe zyrtarët e bashkisë të shkojnë para drejtësisë”, tha Kalaja.
Pas Belind Këlliçit, Gert Bogdanit dhe Ilir Alimehmetit, Adriana Kalaja u bë e katërta në radhët e kandidatëve të primareve të organizuara nga Rithemelimi për bashkinë e Tiranës. Fituesi i primareve në Tiranë do të jetë kandidati i i Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë përballë kryebashkiakut akutal Erion Veliaj në garën e 14 majit. Rithemelimi ka vendosur që afati për regjistrimin e kandidatëve për primaret të jetë data 6 nëntor ora 20:00. Më datë 13 nëntor pritet të bëhet prezantimi i kandidaturave dhe data 4 dhjetor do të jetë ajo e mbajtjes së primareve në të gjitha bashkitë, përveç Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit, procesi në të cilat pritet të mbyllet brenda nëntorit.