Koreja e Veriut lëshoi të shtunën katër raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, ndërsa SHBA-të dhe Koreja e Jugut vazhdojnë stërvitjet ushtarake që u zgjatën edhe me një ditë, si reagim ndaj Phenianit për lëshimin e raketave në fillim të javës.
Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut tha se raketat fluturuan rreth 130 kilometra dhe arritën në një lartësi prej rreth 20 kilometrash mbi det.
Koreja e Veriut ka lëshuar 30 raketa që nga e mërkura, që në disa raste kanë shkaktuar dhënien e alarmit për sulme ajore duke u kërkuar banorëve strehim të menjëhershëm në Korenë e Jugut dhe Japoni. Pheniani lëshoi të enjten një raketë balistike ndërkontinentale, e cila thuhet se pësoi avari gjatë fluturimit. Koreja e Jugut angazhoi avionë luftarakë të premten pasi zbuloi 180 fluturime ushtarake koreanoveriore në kufi, ndërsa përshkallëzohen tensionet në Gadishullin Korean.
Manovrat ajrore ushtarake të së shtunës mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut përfshinin edhe dy bombardues strategjikë amerikanë të modelit B-1B. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u mblodh të premten me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Shqipërisë, Francës Irlandës dhe Norvegjisë për të diskutuar lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut.