Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste,Taulant Balla e ka cilësuar si ‘Miting’ protestën e thirrur më 6 dhjetor në Tiranë.
Ditën kur të gjithë krerët e Bashkimit Evropian do të zbarkojnë në Tiranë, për herë të parë, Berisha njoftoi se do të mbante një protestë mikpritëse.
Por për socialistin Balla, ajo që po përpiqet Berisha të arrijë është të shmangë edhe një ‘Non Grata’ të tretë. Ashtu sikurse e ka përmendur shpesh më herët, Balla theksoi se qëllimi i Berishës është të shmangë integritetin e Shqipërisë pasi në qendër të diskutimeve do të jenë lufta ruse në Ukrainë.
“Më lejoni të them që në shtëpinë e shqiptarit është zona e mikpritësit, mitingjet në ditë dasmë, siç është samiti i BE-së, bie ndesh me zakonet tona. Halli i Saliut është aq i madh, sa dhe në ditë feste, dasme, të një samiti që nuk ka ndodhur asnjëherë thirret një miting kundër BE-së.
Unë po them sesi e mendoj dhe sesi e mendon çdo qytetar. Viti ka 365 ditë, në një ditë si 6 dhjetori kur e dimë që ka nivel të lartë të sigurisë… Shqiptari nuk e ka për zakon që ta presë mikun me protestë, shqiptari e ka zakon ta presë mikun siç duhet. Siç u prit George Bush në 2007 dhe miqtë e tjerë të Shqipërisë. Ne na karakterizon mikpritja.
Ka plot ditë të tjera, megjithatë ky është një turp që i takon një personi, për hallin e tij thërret një protestë që BE mos ta shpallë Non Grata. Se ju kam thënë, pas SHBA, Britanisë do e shpallë edhe BE, kujtoni këtu fjalën e Von der Leyen, që KE po shqyrton mundësinë e përafrimit të këtyre personave që minojnë demokracinë. Dhe Berisha është i tillë. Protesta s’është kundër qeverisë shqiptare por për hallin e tij se do shpallet Non Grata.
Sali Berisha është sot i pa pranueshëm dhe për partinë e tij, partinë popullore evropiane. (…)”- tha Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, u shpreh se asnjë nga thirrjet e Berishës nuk është protestë që i bashkohet populli, por vetëm delegatët e tij.
“Çdo mbështetës i PD-së duhet të kuptojë se ajo nuk është protestë është miting. Se dhe ajo që bëri, s’ishte protestë, ishte miting. Ne si shqiptarë nuk duhet ta pranojmë këtë turp, që na vjen nga një Non Grata nga SHBA, Britania dhe në rrugë për ta marrë nga BE. Protestat e Berishës nuk janë protesta popullore.”- tha Balla.