Belind Këlliçi flet shumë rrallë për jetën e tij private, ndonëse nuk e ka mohuar ndonjëherë lidhjen me Anna Shkrelin.
Ajo është vajza e Ledi Shamkut dhe Artan Shkrelit, dhe jo pak herë është komentuar lidhja mes një kandidati tanimë në Primaret e PD për Tiranën, dhe një vajze të dy prindërve socialistë.
“Në një marrëdhënie personale, çdo i ri gjykon me ndjenjë me zemër. Anna, është një nga krenaritë e mia më të mëdha, të cilën unë nuk e kam fshehur kurrë. Anna është etiketuar dhe i është rënë në qafë pa të drejtë për shkak të angazhimit të prindërve të saj, por ajo vetë është shumë e distancuar nga jeta politike, është në botën e publikimeve, librave. Ka një shtëpi publikimesh që e ka themeluar vetë. Shtëpinë ku ka lindur gjyshja e saj, një shtëpi tradicionale tiranase, ka refuzuar ta japë për një pallat shumëkatësh në zemër të Tiranës, në njësinë 10, aty ku dhe unë jam lindur e jam rritur dhe ka vendosur ta kthejë në një hapësirë novacioni, dhe ku promovohen shumë edhe vlerat feministe, sepse është shumë femiste, dhe ku bëhet kulturë!”, ka thënë Këlliçi për Newsbomb.
Sipas tij, Anna, është një vajzë që i beson vlerave dhe kauzave të drejta.
“Jo pak më ka shoqëruar ideja që jam lidhur me një vajzë prindërit e së cilës kanë patur angazhim pranë të majtës, por për mua pak rëndësi ka. Për mua rëndësi ka kush është Anna, çfarë përfaqëson Anna si individ. Unë i dal për zot çdo vendimmarrjeje personale dhe publike”, ka thënë demokrati.
Sa i përket martesës, duket se ai e ka diçka shumë të qartë.
“Kurdo që të vendosim, e sigurt është që dasmë në kala nuk do bëj dhe dasmë 500 milionë lekë me kursimet e pensionit të mamit nuk do bëj. Këto broçkulla shqiptarëve nuk do ia them. Kam vendosur të futem i vërtetë në politikë dhe do mbetem i tillë deri në ditën e fundit të angazhimit tim”, ka thënë Këlliçi.