Kryetari i PD-së Sali Berisha dhe ai i PL-së Ilir Meta patën takim 60 minuta ku temë kryesore e diskutimeve ka qenë protesta e 6 dhjetorit e thirrur nga Berisha. Hezitimi i Metës për ditën dhe momentin, pasi në Tiranë mbërrijnë krerët e qeverive të 27 vendeve Europiane në samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Për një orë, kreu i PD-së Sali Berisha, ai i PL-së Ilir Meta dhe dy sekretarët e Përgjithshëm Flamur Noka dhe Petrit Vasili, zhvilluan takim në selinë blu. Temë kryesore e diskutimeve ka qenë protesta e 6 dhjetorit që ka lajmëruar Berisha, pikërisht në ditën ku në Tiranë mbërrijnë kryeministrat e 27 vendeve të BE-së, bashkë me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duket se kjo vendosmëri e Berishës është konsideruar si një moment jo i duhur për Metën, duke iu ruajtur imazhit dhe qëndrimeve se një protestë e tillë pikërisht në atë ditë mund të shihet si “Antieuropiane”. Megjithatë, të dy pas takimit si Berisha ashtu edhe Meta janë mundur të fsheshin pjesën e “mosdakordësisë” për ditën dhe kohën e protestës. Në një reagim të bërë në Facebook, Berisha shprehet se palët diskutuan gjerësisht për koordinimin e përpjekjeve “për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë nga regjimi i Edi Ramës”. “Së bashku me sekretarin e përgjithshëm të PD, Flamur Noka, zhvilluam një takim me kryetarin e Partisë së Lirisë, ish Presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e grupit parlamentar të kësaj partie, Dr. Petrit Vasili. Në këtë takim u diskutua gjerësisht për koordinimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë nga regjimi i Edi Ramës. Bashkëpunimi elektoral, parlamentar dhe në të gjitha fushat ishin çështje për të cilat u diskutua me frymë të plotë mirëkuptimi”-shkruajti Berisha, duke lënë të nënkuptuar se janë dakordësuar për gjithçka. Ndërsa i pyetur nga gazetarët nëse Partia e Lirisë do të marrë pjesë në protestën e 6 dhjetorit, Meta u përgjigj shkurt: “Gjithmonë në protestë kemi qenë”. Po ashtu Berisha ka bërë të qartë se protesta do të organizohet, pavarësisht çdo reagimi të qevrisë. “Le tu bien sa të duan sirenave të frikës e tmerrit që i ka kapur qeveritarët sot, por protesta do rezonojnë fuqishëm në europë e botë si zëri i qytetarëve që kërkon vlerat universale, demokratike të jenë ato që duhet të sundojnë në Shqipëri”, tha ai.
6 dhjetori “festë” dhe protestë
Për kryeministrin Rama mbajtja e samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë konsiderohet një bonus më shumë për të rritur imazhin se jemi vend I rëndësishëm në zhvillimet ballkanike. Gjithashtu kërkon të shihet në public si person që në arenën ndërkombëtare ka luajtur mirë dhe se është person që gëzon mbështetjen e liderëve të BE-së dhe SHBA-ve. Nga ana tjetër Berisha këtë moment kërkon ta kthejë në favorin e tij, duke protestuar pikërisht pranë liderëve të BE-së, ku minimalisht mediat e vendeve përkatëse do të tërhiqen më shumë nga reagimi që do vijë nga protesta sesa nga qëndrimet që do të mbajnë liderët e BE-së në atë samit. Këtë herë Berisha mund ta ketë afër Metën, por si “zemërthyer”, pasi duket se nuk ka qenë dakordësuar për një protest opozitare pikërisht në atë ditë. Nëse në protestat e tjera Berisha dhe Meta ishin të bashkuar, madje në protestën e 12 dhjetorit të dy ishin protagonistë, në atë të 6 dhjetorit duket se Meta mund të shkojë pa dëshirë. Ai e projekton vetën për më në vijim, ndërsa Berisha duket se nuk ka çfarë humbet dhe i duhet një protestë e madhe më 6 dhjetor, qëllimi i së cilës është që të tërheqë vëmendjen e liderëve Europianë.