Vlora kryeqyteti i shqiptarisë në një ditë
Personalitete të larta të vendit, të Shqipërisë dhe Kosovës, u mblodhën dje në Vlorë për kremtimin e 110-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Shteti Shqiptar mbushi 110 vjet Pavarësi në një histori të mbushur më shumë ngjarje madhore, të cilat duke i vendosur në “peshore” fatkeqësisht anojnë më shumë nga dështimet. Megjithatë 110-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë e gjen shqiptarinë në një situatë disi të favorshme me Kosovën që shpreson që vitin e ardhshëm të arrijë njohjen si shtet në OKB, dukë kaluar më parë në një marrëveshje të mundëshme por mjaft të vështirë me Serbinë. Edhe këtë vit jubile Shqipëria festoi 110 vjetorin e pavarësisë dhe në dy qytetet kryesore Tiranë dhe Vlorë janë zhvilluar aktivitete të ndryshme në kujtim të kësaj ditë kombëtare. Në Vlorë aktiviteti ka filluar me ceremoninë e ngritjes së flamurit ku pjesëmarrës kanë qenë krerët e qeverive të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës duke përfshirë kryeministrat Rama dhe Kurti, dhe presidentët e vendeve Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani. Ndërsa kanë nisur ceremonia nga Vlora mbyllja do të bëhet në kryeqytet me koncertin e shqiptares nga Kosova Dua Lipa, ku kjo e fundit mori edhe pasaportën shqiptare nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj. Dua u shpreh se është e lumtur që është në Tiranë në ditën e Flamurit. “E lumtur që po e mbyll turin në Tiranë. Fatkeqësi se si shihemi në sytë e të huajve. Sot është ditë e rëndësishme”, ka thënë ajo.
Bashkë në Vlorë
110-vjetori i Pavarësisë ka bërë bashkë krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës për të ngritur Flamurin në qytetin e Vlorës. Personalitetet e larta të politikës të Tiranës dhe Prishtinës kryen homazhe edhe te monumenti i Pavarësisë. Sipas protokollit shtetëror, të parët që vendoset kurora me lule ishin Presidentët Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani. Më pas dy kryeparlamentarët Lindita Nikolla dhe Glauk Konjufca, Kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti si dhe drejtues të pushtetit vendor. Nga Vlora, Presidenti Bajram Begaj i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës që për interesin e vendit t’i lënë pas ndasitë dhe të punojnë së bashku, ashtu siç vepruan themeluesit e shtetit shqiptar 110 vite më parë. “Pavarësisht arritjeve, kemi rrugë të gjatë përpara. Por ajo që duhet të bëjmë, më së pari, është ta duam atdheun me vepra, me shërbim dhe idealizëm, ashtu si patriotët e mëdhenj, që nderojmë sot. Ne duhet të jemi bashkë për zhvillimin e vendit, për ndërtimin e shtetit ligjor, për forcimin dhe demokratizimin e institucioneve dhe respektimin e çdo individi dhe të drejtave, që burojnë nga kushtetuta”, tha Begaj. Begaj dha edhe një mesazh për samitin e 6 dhjetorit, që do të mbledhë në Tiranë institucionet dhe vendet e BE-së me ato të Ballkanit Perëndimor, duke apeluar për përgjegjësi nga politika shqiptare. “Një ngjarje dhe përgjegjësi e madhe. Një mesazh mbështetjeje dhe inkurajimi për të gjithë shqiptarët dhe të ardhmen tonë në familjen evropiane duke nxitur njëherazi një përgjegjësi të shtuar për institucionet dhe klasën politike përvijimin e reformave dhe avancimin e agjendës evropiane”, tha ai. Kreu i shtetit shqiptar u shpreh se Tirana duhet të ushtrojë ndikim për të ndihmuar shtetin e Kosovës në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. “Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj Euro-Atlantik”, nënvizoi Begaj. Festimet për ditën e pavarësisë vijuan me aktivitete të ndryshme jo vetëm në Vlorë por në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Kujtojmë se ditën e dielë Kuvendet e Shqipërisë dhe të Kosovës zhvilluan një mbledhje të përbashkët në Tiranë, ku diskutuan për të thelluar bashkëpunimin në shumë fusha. Kjo mbledhje e parë mes dy kuvendeve, u mbajt me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Një grup deputetësh nga Shqipëria dhe Kosova kanë shkuar në Hagë për t’iu uruar nga afër krerët e UÇK-së për Ditën e Flamurit. Lajmin e dha kreu i grupit socialist Taulant Balla gjatë fjalës së tij në Kuvend në prag të 110-vjetorit.