Seks dhe erotizëm në Shqipërinë staliniste dhe të “demokraturës”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Luan Rama

Çfarë ishte seksualiteti në Shqipërinë e viteve 70-80? Filmat që shikonim fshehurazi tek Tele Norba apo televizioni jugosllav, me një antenë që e tundte era mbi çatinë e pallatit ka mbetur tashmë në kujtimet tona. Shpesh sinjali shuhej dhe ne, një grup shokësh, duhej të prisnim të vinte sinjali përsëri për të parë histori erotike, me dehjet dhe ekstazat e aktorëve të huaj. Prostitutat jetonin jetën e tyre në Shqipërinë staliniste. Komshija jonë që jetonte në një bodrum, në mbrëmje priste myshterinjtë. Burri i saj ishte në burg dhe vëllai që e kuptoi profesionin e së motrës erdhi një natë, rrahu dashnorin dhe asaj i preu flokët. Të nesërmen ajo grua u desh të mbulonte kokën e qethur me shami. Në revistat e huaja që na binin në dorë, trupat nudo ishin gjithnjë të mbuluara me bojë të zezë nga cenzura. E megjithatë, profesioni më i vjetër në botë mbijetonte edhe tek ne, pavarsisht frikës së dëbimit nga qyteti.
Ishte Gerard Alba që më tregoi para dy vjetësh dorëshkrimin e tij të një romani mbi Shqipërinë që ai kishte përjetuar gjatë gati 30 vjetëve që udhëtonte në vendin tonë. Donte që t’ia botoja. Sapo e lexova, pikasa erotikën që përshkruante dhe menjëherë këndvështrimi i tij mu duk interesant dhe i thashë se do ta botoja në shtëpinë time botuese. Pastaj romani u përkthye me virtuozitet e profesionalizëm nga Arben Leskaj dhe u redaktua nga Violeta Kongo e cila kishte qeshur shumë me udhëtimet erotike të autorit francez nga Bordoja. S’ka pak ditë që libri ka dalë në librari. Quhet “Iliri”.

Në bredhjet e tij, veçanërisht në krahinën e Labërisë, tregimet e shumë miqve shqiptarë rreth seksualitetit gjatë kohës staliniane e kishin habitur shumë shkrimtarin. Histori të panumurta u regjistruan në kujtesën e tij. Në kujtimet tona, periferitë e Romës në filmat e Felinit dhe të Pasolinit, me prostitutat dhe aventurat erotike, i përngjanin shumë tregimeve në bujtinat fshatare ku ai shkonte. Seksualiteti në kuadrin e moralit proletar përjetohej në hije, fshehurazi por me gjithë fuqinë e tij, madje dhe më shumë sesa mund të ishte imagjinuar në një botë të lirë. Por seksualiteti do të shpërthente dhe në kohën e “demokraturës” së Sali Berishës. Seks dhe revolta Seks, zhdukje misterioze dhe vrasje. Më kujtohet romani i Cizia Zykë. Edhe ai shkrimtar nga Bordoja, me origjinë shqiptare por që mjerisht vdiq nga zemra tepër i ri. Ishte biri i një fanolisti të ikur në Egjipt dhe në adoleshencen e tij i vendosur në Marsejë. Një shqiptar i veçantë që vështirë të gjeje një të dytë për nga karakteri dhe jeta aventuroze, duke përshkuar gjithë botën e ku në çdo udhëtim ishte më pas një roman. Mbante gjithnjë një flori në gjendjen bruto, varur në qafë. Publiçitetin rreth tij e kisha gjetur në faqet e revistave e gazetave franceze në Ministrinë e Jashtme në Tiranë. Më pas do kisha rastin ta shihja në shtëpinë e regjisores Liria Begeja në Paris. Ai do vinte përsëri në Shqipëri për të realizuar një dokumentar mbi Kanunin në veriun shqiptar me Bujar Lakon. Në fakt, ishte bërë i njohur nga romani i tij “Oro” (“Floriri”), një best sellers që e kam lexuar me një frymë në Paris. Miliona kopje të botuara dhe një emision i paharruar me kritikun e shquar Bernard Pivot në emisionin mitik “Apostrof”. Një roman mbi udhëtimin e tij ne Amerikën latine për të kërkuar ar në pyjet e pashkelura, por dhe me trafiqet e drogës. Ai e vizitoi Shqipërinë fillimthi në vitin 1990. Shkoi dhe në Vlorë. Më vonë, nga viti 1995 policia e Berishës e futi në qelitë e Tiranës duke e akuzuar për trafik ikonash. Do duhej ambasadori francez ta “transferonte” pa zhurmë me makinë diplomatike në Rinas për tu kthyer në Francë. Një përvojë e hidhur që e nxiti të shkruante një trilogji shqiptare ku libri i parë ishte “Les aigles” (“Shqiponjat”). Në këtë libër, ndryshe nga libri i Gerard Alba, ishin banditë të ashtuquajtur të persekutuar, të cilët shkojnë në Itali ku krijojne rrjetën e tyre të prostitucionit, drogës dhe ku implikohen me vrasje. Dhe në një nga skenat e romanit, në një motel, duke bërë seks, personazhi kryesor, sheh lajmet e TV dhe revoltat popullore kundër Shkëlqesisë së tij Demokratik, siç e quante ai presidentin shqiptar. Eshtë interesant fakti se një paralelizëm të përafërt midis seksit dhe revoltave popullore krijon dhe shkrimtari Gerard Alba në romanin e tij “Iliri”, me ngjarjet e vitit 1997. Dhe ja si shkruan ai në këtë fragment:

…“Brengat e Margaritës”

Situata në vend vazhdonte të ishte e trazuar. Margarita, më në qetësi, po çlirohej nga pak e, me sebepin e dhuratave që më vinin, edhe unë i çoja ushqime që i pëlqenin. Filloi t’i çelej çehrja. Kur nuk isha me mision, përfitoja për të ngrënë drekë me të, çka e nxiste edhe për t’u kujdesur ca për veten. Kështu më tregoi për jetën e saj. Më 90-ën, kishte qenë në fakultet dhe kishte marrë pjesë te grevat, pushtimet e auditorëve dhe përplasjet me policinë. Vajzat ishin të kudogjendura, të guximshme, mendjeholla, me ide të qarta për shoqërinë e shpresuar. Ama ishin djemtë ata që i merrnin vendimet e shfaqeshin në faqet e shtypit, qe Azemi ai që mori pjesë në krijimin e Partisë Demokratike dhe që shkoi në tryezën e negociatave me Ramiz Alinë. Ishte ai që vendosi për t’i vënë fre vrullit të rinisë.
Në qytetin e saj të Fierit, një i ri gati i panjohur i kishte kërkuar të atit dorën e saj dhe ky kishte pranuar. Ashtu ishin njohur dhe kishin dalë ca herë së bashku. Më 91-shin, ai kishte përfituar nga pushtimi i një anijeje mallrash në portin e Durrësit prej një turme kandidatësh për emigrim dhe ishte bashkuar me ta, por pa i thënë asaj fare. E kishte marrë vesh vetëm nga televizioni që kishte filmuar pa ndërprerje nisjen e asaj anijeje të marrë peng, më 2 mars, e mbante mend ende… Ai kishte mbërritur në Itali. Zhgënjimi i Margaritës kishte qenë i madh jo vetëm për shkak të atij sekreti të pathënë, të asaj braktisjeje nga ai shok fatkeqësie, por sidomos sepse nuk i kishte propozuar ta merrte me vete… Që prej asaj dite, i ati ia kishte nxirë jetën, sepse e quante të çnderuar dhe ia vinte tërë fajin së bijës. E kishte trajtuar me përbuzje, veç si gojë për t’u ushqyer. Duke u dridhur nga inati që i hipte herë pas here, ia mallkonte edhe studimet të cilat nuk kishin shërbyer për asgjë, pos për të blerë tërë ata libra që u kishin rënduar buxhetin familjar… dhe krejt pa dobi!!! E pafuqishme për t’u mbrojtur nga zemërimi atëror, ajo veç kishte qarë në krahët e së ëmës. Kishte qenë ende konviktore te Qyteti i Studentëve me kushte jetese të frikshme, kurse te prindërit e priste veç po ai krevat i vogël i kohës së adoleshencës.
Vitet kishin kaluar, por mbi të vazhdonte të rëndonte ndëshkimi i padrejtë: ishte mall i përdorur… madje, me siguri duhej të kishte ndonjë sakatllëk të fshehtë që e kishte bërë atë djalosh t’ua mbathte këmbëve. Kishte shoqe të ngushta, por burrat e shmangnin, statusi prej intelektualeje me diplomë të Gjuhëve të Huaja nuk para ndihmonte që t’i vardiseshin. Vetëm drejtori i gjimnazit, ku kishte qenë si zëvendësuese, i kishte gjetur ca hire të cilat kishte dashur t’i konsumonte menjëherë. Ngacmimet në shtëpi e në punë ia kishin dërrmuar moralin. Koha kalonte, situata e paqëndrueshme në vend nuk ofronte kurrfarë zgjidhjeje. Më 97-ën, i ati ishte kyçur në një botë pezmatimi të përhershëm, sepse i humbi tërë kursimet e familjes duke ia besuar paratë firmës Gjallica.
Ngjitja e papritur e Fatos Nanos, ish-ministrit të Ramiz Alisë, në krye të qeverisë më 24 korrik 1997, i kishte dhënë ca shpresa familjes së saj të mbetur nostalgjike e rendit të dikurshëm. E pastaj, të gjitha postet publike kishin ndërruar duar, shpesh në favor të ca njerëzve të paaftë, por miq e të afërm të sojit e të sorollopit… Nuk kishte besim kush për t’i dhënë përgjegjësi një gruaje që nuk kishte “çadër”…
Për fat, ndërkaq, rastet për të punuar si përkthyese ishin shtuar. Mirëpo, kur çonte para në shtëpi, sepse në familje ishin vërtet ngushtë ekonomikisht dhe dihet që solidariteti ballkanas është një rrjet detyrimesh të ndërsjella i cili i zëvendëson sigurimet e vendeve të pasura, i ati shfrynte me qesëndi nëpër dhëmbë fyerjen më të rëndë: “para kurvërie”… Sa akuzë e padrejtë po të mendoje ato familje të cilave u vinin para nga Italia, ku vajza e tyre ishte zyrtarisht valltare!…
Azem Hajdari, studenti i rrëmbyer me faqe të futura, u ngjit shpejt në majat e hierarkisë politike ku u bë kreu për policinë e fshehtë. Dhe… etjen për pushtet e kishte të pakufishme, ishte ngjallur e fryrë si gjithë paria. Me rënien e Berishës, kishte mbetur tanimë deputet. Sherrxhi, mosmirënjohës e ziliqar i pangopur. Ishte zënë me grushte brenda parlamentit, pastaj kishte marrë edhe ca të shtëna pistolete. Më 12 shtator e vranë bashkë me rojën e tij personale në dalje të selisë së Partisë Demokratike. Krimi qe i bujshëm dhe u dha rast militantëve të shprehnin gjithë dufin e tyre kryq e tërthor nëpër qytet duke zbrazur me breshëri automatikët. Të gjithë rrëmbyen armët… atmosfera në Tiranë u elektrizua.
Ne i qëndruam larg atij shpërthimi dhune. Shkova te Margarita më datë 14, ditën e varrimit të Azemit. Kisha blerë dy byrekë, ishin ende të ngrohtë kur mbërrita. Na pëlqente të dyve ai ushqim i fëmijërive tona, i cili na çonte me mendje në kohë të ndryshme, ashtu si ëmbëlsira “madalenë” e Prustit, por në një version më modest. Transistori po shkoqiste kushtimet sipas kërkesave të dëgjuesve, përpara se të na vinte për të dëgjuar sukseset e verës së shkuar. Shtatori ishte i bukur atë mëngjes e, nga dritarja, disa degë pjergulle thurnin një perde gjelbërimi. Shkova te këndi i kuzhinës në banjën allaturka, ku qëndronin pirg bidonë uji si rezervë për ditët e këqija, dhe përgatita një kafe turke.
Dhoma u vesh me ca hije kur Margarita mbylli perdet ku shkruhej “Poste Italiane”. Ajo më ktheu kurrizin, u zhvesh dhe i vuri palë rrobat e saj një pas një mbi karrigen e vetme. E vështrova i shtangur siluetën e saj që spikati mbi sfondin e kaltër. Vërtet kundër dritës, por dallova një palë vithe topolake, ijët që trupi i hollë i nxirrte më në pah. Kafja valoi, u derdh mbi…
– Iku ajo kafe, lëre tani, tha ajo dhe u kthye.
– O Zot!
– Ilir, është pak befas, por e di që ti po pret…
Radioja ndërroi papritur program dhe filloi të flasë për ngjarjet që po ndodhnin nëpër rrugë. Slogane, potere e madhe turme, gazetari nuk mbushej dot me frymë…
Ende kundër dritës, më kishte mbetur vështrimi te gjinjtë e saj të kërcyer dhe nuk guxoja ta çoja gjetiu. Ajo eci drejt meje, sytë e përhumbur më ishin bërë si të ndonjë lepuri të paralizuar nga rrezet e fenerëve të një makine.
– Aman! Aman! Të lutem, eja! E di që ti e mendoje shpesh… por nuk isha gati. Tani po.
Krevati i varfër na priti, e pranoi ngërthimin tonë. Qëndruam gjatë të përqafuar, të lidhur komb me njëri-tjetrin prej emocionit. M’u duk se ca lot i rrodhën mbi faqe, në mos paçin qenë lotët e mi.
Pastaj, duke u tërhequr në një pozicion të parehatshëm, e vështrova, Ajo ia plasi gazit sikur të kishte bërë ndonjë shaka me mua. Ia sodita e ia përkëdhela atë trup të dashur, u magjepsa pas rrëzës trekëndëshe të baqthit të saj, si një jastëk myshku, i cili i fshihte atë pjesë intime që nuk do të vononte të ma falte. U zhvesha me ngut. Ia përmblodha gjinjtë në pëllëmbë, frymëmarrja iu shpeshtua, përmes gishtërinjve të mi pashë t’i përvijohen damarët e kaltër mbi atë lëkurë si qumësht, një lëmsh jete dredha-dredha që lazdrimet tona po i ngjyrosnin më thellë. Dalëngadalë, ia vizatova krejt trupin me majat e gishtave, frymëmarrja e saj iu përshtat tempit të ndjesive që e përshkonin.
Ca të shtëna u dëgjuan larg dhe jehuan në radio, ku zëri u bë papritur më i qartë.
I fërkova gishtat, gushën, ato supe të lodhura nga një jetë e tërë lufte kundër rrymës.
I dërguari i posaçëm po komentonte marshimin e kortezhit të përmortshëm. Burra të inatosur po e mbanin lart arkivolin e martirit.
Ajo u rehatua në shpinë e më priti si toka e etur shiun. E mbështeta shtypecin tim të azdisur te gëmusha e barkut të saj. E rrëshqita me ngadalë brenda këllëfit të ngushtë, frymëmarrja e saj u çrregullua, fillova një vajtje-ardhje të plogët me trupin e tendosur si një hark me të cilin Kupidoni po merrte shenjë. Afshi u ngrit ngadalë, gjinjtë i hidheshin si nga lemza nën shtytjet ritmike të legenit tim.
Ata po avanconin të shumtë në numër, turmë kompakte, e vendosur. Prapë të shtëna. Vinin nga një godinë ministrie.
Trupat tanë po marshonin me trok drejt një pike lart në qiell. Fytyra e saj e shtendosur përshkohej nga shprehje që nuk ia kisha parë ndonjëherë. Erdhi çasti i shkarkesës, si goditje korrenti, Margarita hungëriu, kafshoi jastëkun. U përpëlit me përdredhje si një gjuhcë e vogël.
Ata iu përgjigjën zjarrit. Mbërritën ambulancat. Flakët përfshinë anën e ministrisë.
Pothuajse përtokë, sepse rrëshqita nga krevati, prita sa të më kthehej fryma, zemra nuk ma përballonte dot më atë ritëm të çmendur. Ajo i kishte ngulur sytë në zbrazëtirë… pastaj lëkundi kokën me një gjest që unë e mora për lëvdatë. U ngrita të bëja një kafe. Kësaj radhe valoi pa u derdhur dhe nga dy filxhanët tanë u ngritën avuj. E rrufitëm me zhurmë për ta pirë ende përvëluese.
E kisha mbështjellë mesin me një peshqir banje vërtet tepër të vogël, i cili qëndronte gjysmë i hapur, duke e nxjerrë në shesh dëshirën time, për çudi, të ripërtërirë. Rikuperimi kishte qenë i shpejtë. Isha bërë si dordolec me atë farë fute qesharake.
Ajo ishte aq epshndjellëse me atë turbullim të dukshëm, me flokët lëshuar mbi supe. Aroma e dashurisë, si ilaçi magjik i përrallave të moçme, po e stimulonte brenda meje bishën që nuk më kishte braktisur kurrë.
Ata hodhën katër granata brenda godinës që filloi të digjej. Gazetari po vraponte për t’u shpëtuar lëvizjeve të turmës, zëri i vinte me ndërprerje. Turma plot urrejtje u shpërnda nëpër qytet në kërkim të shpagimit.
Qëndrimi im nuk linte asnjë dyshim se ku e kisha qëllimin. Të përfitoja deri në shpërdorim nga një natyrë papritur bujare dhe e vendosur.
– Ashtu? A mendon vërtet që…?
– Po sigurisht!…
Vërtet qejfpaprishura, femrat tona, kur e pranojnë ligështinë e gjinisë sonë si fatalitet! E shtiva pa vështirësi tiranin tim bujar mes ujtheve tona të përziera. Ledhatimi ishte i ëmbël, pushtues, bindës. Përfalja për së dyti e shndërroi provën në kremtim, në ceremoni ngazëlluese, në blatim qiellor.
Katër tanke në duart e kryengritësve po i binin qytetit kryq e tërthor. U kthyen drejt godinës së Radiotelevizionit.
Fytyra e Margaritës u bë e purpurt, gjoksin ia pushtoi një përskuqje, emblemë e kënaqësisë së dëshiruar, frymëmarrja iu shpejtua… goja iu tkurr e lëshoi ca tinguj të paqartë, pastaj ajo doli krejt nga vetja, por pa shkuar deri aty sa të shqiptonte fjalët që përdorim ne burrat, e përshpejtoi lëvizjen në kërkim të kënaqësisë së vet, u përgjërua, më lypi, më urdhëroi… « Dai, dai! » E përdori italishten për ëmbëlsinë e saj ekzotike.
Unë u bëra kali, kurse ajo amazona në galop, kalorësja që shpërthente dhe turfullonte, përplaste këmbët e lutej… O Zot!… O Zot!… Në fshehtësinë mes këmbëve të saj që më ishin kapur pas shpine, lëshova një nga ato spazma që nuk mbaheshin më mend, ndjeva djegësinë e rinisë së rigjetur. Kur i çeli sytë e bukur, më tha thjesht: « Nuk e dija që ishte e mundur. Të lumtë k…! »
Radioja transmetonte zhurma alarmuese, po vazhdonte… sinjali që ishte prishur një moment, iku fare, pastaj një zë që nuk e njohëm na njoftoi: « Radiotelevizionin shtetëror e morëm, situata është nën kontroll. Klika e Fatos Nanos duhet të shporret!!! »
Ndenjur mbi krevatin e ulët, brinjë më brinjë, po vështronim vallëzimin e lehtë të perdes që tundej nga era. Ç’ishte e vërteta, e kisha menduar shpesh. Por ashtu… kisha mbetur pa gojë.
Të merrje Radion e Televizionin ishte një gjë, por të bëje diçka me to ishte një gjë tjetër. Zjarri u vu nën kontroll, mbeti vetëm gjurma e zezë në fasadë. Ushtria dhe policia e rivendosën qetësinë. Relativisht. Berishës iu dha urdhri të largohej nga vendi që të shfryhej situata. Ai qëndroi. Siç qëndroi i braktisur në mes të bulevardit, në një pamje kuptimplotë, arkivoli i “martirit të demokracisë” që po i pengonte militantët në lëvizjen e tyre kryengritëse. Më në fund, disa burra erdhën ta merrnin, si për ta mbyllur me njëfarë dinjiteti atë marshim të përmotshëm.

Të fundit

Shqiptarët heqin dorë nga makinat e vjetra, rritet përdorimi i modeleve të reja

Shqiptarët po tregojnë gjithnjë e më shumë interes për rinovimin e flotës së automjeteve, duke hequr dorë nga makinat...

Gripi dhe ftohja: Cilat janë ngjashmëritë dhe ndryshimet?

Kur fillon të të dhemb fyti, hunda fillon të të rrjedhë dhe kthimi në shtrat duket më joshëse se kurrë, atëherë mund të kesh…...

“Fto në podcast motrat Hoxha”, Arbana Osmani i përgjigjet ndjekëses

Moderatorja e njohur Arbana Osmani i është përgjigjur një komentuesi në Instagram i cili i sugjeroi të ftojë në podcast producentet e “Top Channel”,...

Mërtiri: Berisha nuk e ka luftën me Ramën, por me Altin Dumanin

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga fillimi i Prokurorisë së Posaçme, 5 vjet më parë. Sjellja e politikës ndaj SPAK është bërë edhe më...

Cila është dita juaj me fat sipas shenjës së horoskopit?

Për shumicën e njerëzve dita më e mirë është e premtja dhe arsyeja është sepse fundjava fillon menjëherë pas. Megjithatë, astrologjia mund të shpjegojë...

Lajme të tjera

Web TV