Prokuroria e Tiranës ngriti akuzën e goditjes për shkak të detyrës dhe plagosjes së lehtë me dashje ndaj 31-vjeçarit Gerti Shehu, i cili qëlloi me grusht në fytyrë kreun demokrat Sali Berisha në nisje të protestës së të martës. Berisha shmang daljet publike, por reagon në rrjetet sociale. Demokratët vijojnë me akuzat se “sulmi u përgatit nga Rama”.
Vijon të jetë mister shkaku i sulmit ndaj Sali Berishës, në momentin kur opozita po marshonte drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit për të mbajtur protestën. Teksa ndodhet ende në Spitalin Ushtarak për të marrë mjekime pasi u godit nga protestuesit, mbi 31-vjeçarin tashmë do të rëndojnë akuzat e goditjes për shkak të detyrës dhe plagopsjes së lehtë të kreut demokrat Sali Berisha. Para Oficerëve të Policisë Gjyqësore I riu nuk ka dhënë shpjegime për motivet e agresionit, por gjithçka mbetet për tu zbardhur në ditët në vijim nga institucioni I akuzës në kryeqytet. Ndërsa Sali Berisha dje nuk ka preferuar të dalë publikisht por ka preferuar të pushojë dhe sipas burimeve zyrtare të Partisë Demokratike gjendja e tij shëndetësore është e mirë, pavarësisht hematomave në faqe dhe një çarje që ka në pjesën e hundës. Kryetari i PD, Sali Berisha ka reaguar në rrjetet sociale një ditë pas protestës së mbajtur në 6 dhjetor, ku ka shprehur mirënjohje pa kufij për të gjithë pjesëmarrësit. Berisha krahas disa fotove më pikante nga protesta, ka shkëputur dhe një pjesë të mesazhit me të cilin ai iu drejtua qytetarëve dhe liderëve të BE gjatë fjalës së tij. “Mirënjohjet më të pakufijshme! Sot është dita kur Europa dhe bota mund të njihen me të vërtetat e Shqipërisë. Ky samit është një mundësi që shqiptarëve t’ju dëgjohet zëri. Ndaj siç e kërkon tradita jonë, miqve do u themi të vërtetën. Ne nuk jemi këtu në një manifestim festiv siç do të donim të ishim. Ne jemi këtu në një protestë, me qëllimin më madhor, që sot të jehojë para liderëve, mediave, edhe zëri i popullit të opozitës shqiptare”, shkruan Berisha.
Akuzat për Gerti Shehun
Autori i sulmit ndaj kryedemokratit Sali Berisha, Gert Shehu, është arrestuar ditën e djeshme nga policia, pasi ka përfunduar marrjen e mjekimit te Spitali i Traumës. Lajmin e bëri të ditur vetë policia përmes një njoftimi, ku tha se mbi të rëndojnë dy akuza: goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje. “Gert Shehu, 31 vjeç, banues në Tiranë, për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka goditur me grusht në fytyrë, deputetin Sali Berisha, duke i shkaktuar dëmtime fizike, gjatë kohës që ai po lëvizte me këmbë, në bulevardin Zhan D’Ark, në drejtim të vendit ku do të zhvillohej protesta e planifikuar. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në komunikatën e policisë.
Reagimi i PD
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo në një deklaratë për mediat pas dhunimit të Sali Berishës gjatë protestës së 6 dhjetorit, thotë se pas këtij sulmi fizik që sipas saj ka motive politike, “qendron Edi Rama”. “Edi Rama dhe ministri i tij i familjes Bledi Çuçi, kanë vënë në lëvizje të gjithë makinerinë e mashtrimeve për të mbuluar aktin. Për këtë qëllim ata po bëjnë gjithçka për të mbrojtur kriminelin Gerti Shehu, informator i policisë kriminale, dhe për ta çliruar atë nga barra e krimit të porositur duke e paraqitur si të sëmurë psiqik, dhe aktin e tij kriminal si veprën e një të sëmuri psiqik”, tha Garo. PD thekson se “dokumenti që ata përdorin për të provuar problemet psiqike të kriminelit Gerti Shehu, sipas ligjeve të vendit nuk ka asnjë vlerë ligjore”.