Alexandra Skotsilenko rrezikon të dënohet me 10 vjet burg. Artistja ruse u arrestua për ndryshimin e çmimeve në një supermarket me mesazhe kundër luftës në Ukrainë. Gjyqi i saj filloi sot në Shën Petersburg. Disa media të pavarura ruse treguan foto të Skotsilenkos duke buzëqeshur teksa hynte në sallën e gjyqit, e prangosur dhe e shoqëruar nga dy oficerë policie.
Artistja 32-vjeçare po ndiqet penalisht për “përhapje informacioni të rremë” për ushtrinë ruse dhe nxitje të “urrejtjes politike”, një vepër e futur në kodin penal pas pushtimit të Ukrainës. Sipas aktakuzës, ajo ndrysoi etiketat e çmimeve të supermarketeve me mesazhe që protestojnë kundër ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë.