Nga Leonard Veizi
A ia vlen të shkruhet më letërsia artistike si në kohën kur shkrimtarët nën dritën e qiririt përdornin pendën e palloit dhe bojë të bëhej nga bloza e tretur në ujë kanali?
Po çfarë thua o babam, i ke mend e kokës apo të kanë rrjedhur fare?
Se shkrimtarët kanë maninë që kërkojnë të shikojnë ëndrra me sy hapur, dhe kur nuk është e nevojshme. E veç kësaj u duket se po kullojnë djersën për të mirën e popullit, që demek duke shtrydhur trutë t’u japë atyre racionin e ushqimit shpirtëror, që merrte gjithmonë pas dreke, si ke ngrënë tasqebap me uthull molle dhe hudhra safi, apo makarona me fasule dhe një qepë bahçeje për shoqërim. E pasi ke mbushur barkun duhet të mbushësh dhe kokën.
U pika që s’të bie… mu në kokë!
Nejse. Që kohët kanë ndryshuar kjo nuk diskutohet më. Se në vend të qiririt kemi poçin elektrik e në vend të pendës së palloit, kemi një laptop me bateri. Kursejmë dhe bojën me këtë rast. Dhe mund të shkruajmë letërsi sa të duam e ta ngopim popullin me përralla. Se shkrimtarëve çfarë s’u thotë mendja.
Por sa për vete, vendosa të heq dorë nga letërsia, që nga çasti kur mora vesh se u arrit edhe një hap i madh në fushën e inovacionit: inteligjenca artificiale na paska nisur të shkruajë romane. Se punët e tjera i ka vaftisur me kohë. Në faqet italiane të internetit gëlonin lajmet se ishte shkruar romani i parë, ku një ordinatori të ftohtë e pa jetë i kishte ardhur në ndihmë dhe një shkrimtar prej vërteti. Dhe tak-fak romani. Jo si ca shkrimtarë që duan nga pesë vjet për të qullosur ca faqe.
Megjithatë, meqenëse i përkas një gjenerate që kemi besuar vetëm tek inteligjenca e qenies njerëzore mbi tokë, – ku shkrimtarët ishin prej mishi e gjaku, – nuk do marr më mundimin të lexoj ndonjë roman të ri, por vetëm do të shfletoj ata të vjetrit, për të cilët kam bindjen e patundur se janë prodhuar nga inteligjenca natyrale e mendjeve brilante, si fjala vjen: Shekspiri, Dante, Hygoi, Dostojevski, Balzaku, Gëte,…
Sa për njohuri të atyre që ende nuk janë futur në brazdë e s’po kuptojnë gjë: Shkrimtaria artificiale ka të bëjë me një nga versionet komerciale të GPT-3, gjenerata e fundit e OpenAI, projekti i financuar nga Elon Musk dhe i zhvilluar nga Microsoft. Është një algoritëm që përdor të mësuarit e thellë për të prodhuar tekste të ngjashme me ato të shkruara nga një qenie njerëzore.
Kështu, përvoja mbërriti te shkrimtarit Italian, Roko Tanika, që në bashkëpunim të ngushtë me një mjet robotik i quajtur Out0mat-B13 nxori në dritë vëllimin me titull: “Ne nuk kemi qenë kurrë në Tokë”.
Por si funksionon punëtoria e një shkrimtari të ndihmuar nga Inteligjenca Artificiale?
Nëpërmjet shkrimeve botuar andej-këtej në shtypin italian informohem se shkrimtari përdori faqen ShortlyAI, sepse sipas tij “u përgjigj më mirë në italisht”. Por tanimë ka dhjetëra shërbime të shkrimit automatik në dispozicion. Në rastin e ShortlyAI mund të zgjedhësh midis dy mënyrave kryesore, “artikull” ose “histori”, pastaj thjesht shkruani një titull dhe një përmbledhje të shkurtër të temës. Duke klikuar në butonin “shkruaj për mua” shkrimtari merr një tekst në madhësinë e dëshiruar: të shkurtër, të mesëm ose të gjatë. Nëse kërkoni një stil të veçantë, thjesht “ushqeni” sistemin me një pjesë shembullore, deri në 3500 karaktere. Shkrimtari Roko Tanika është shprehur se ai e ushqeu sistemin me një roman të Italo Kalvinos dhe me një tjetër nga Dino Bucati. Ndërkohë shtoi dhe tekste nga Çarls Dikens, për të marrë një stil retrospektiv, si dhe ka provuar të fusë në lojë dhe hajkun japonez. Miks fare.
Shkurt: jepi ushqim vëlla se kjo punë qenka bërë si lopa. Fut foragjere: tërshërë e tërfil e nxirr qumësht. Fut koçanin e misrit e nxirr pakon e djathit. Fut… lëre mos e nga më mirë.
Përkthyer në kushtet e Shqipërisë, kushdo që i teket të shkruajë një libër, – qoftë ky dhe hajvan për nga natyra, – mund të mbushë platformën digjitale me ca Kadare, pak Agoll, ndonjë gramë Kongol dhe vargje nga Fishta… Mundet që kjo të mos të të bëjë shkrimtar, se me këtë formulë dukesh më shumë si shef kuzhine në fakt: një filxhan oriz, 100 gramë gjalpë, ndonjë erëzë, e… “lluku-lluku, e lluku-lluku, bëhet mjalti”.
Ta lumsha moj teknologji…
Tanimë tekstet e gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale, ndër të tjera, janë të garantuara si 100% origjinale: pasi janë në gjendje të kalojnë kontrollet e plagjiaturës.
Ja ku u bë dhe kjo punë!
Dhe kur shkruan një roman, inteligjenca artificiale se ka për gjë fare të shkruajë një artikull gazete, mjaft që platformën në fjalë ta furnizosh me emrat e anëtarëve të qeverisë dhe tenderat e zhvilluara, se del vet në përfundim në ka korrupsion, apo qeveria ka punuar me pastërti si shërbëtor i popullit dhe ne i biem kot në qafë.
Kështu që edhe si gazetar do mbetem pa punë.
Jallah…
Përballë këtyre sfidave, njerëzimi do të duhet të bëhet edhe më inteligjent, përndryshe do të mbetet në klasë. Sepse ka të ngjarë që një ditë klasikët e letërsisë do të ndahen midis atyre të shkruar vetëm nga njerëzit dhe atyre të shkruara në bashkëpunim, nga njeriu dhe softueri, ose ndoshta vetëm nga një ordinator. Në këtë kuadër mund të jetë e nevojshme një revolucionarizim i ri: përditësimi i rregullave për Çmimet, si për Nobelin në Letërsi ashtu dhe Pulitzer në Gazetari. Se një kompjuter inteligjent, patjetër që kërkon dhe një çmim për punën e tij krijuese.
Ndërsa shkrimtarët e vërtetë, ata prej mishi dhe gjaku, do të dalin të gjithë në pension. Në mos do shihen me syrin e dështakut. Kurse në “Lidhjen e Shkrimtarëve” do të vërshojnë kërkesat e letrarëve të rinj. Sepse edhe ata do të kenë emra. Nuk është vetëm Out0mat-B13 në lojë.
Ky do jetë trendi i ri, këtej e tutje.
Tek e fundit, përse duhet vrarë aq shumë mendja: – për të gjetur një motiv, për të thurur një intrigë e për të pasur një sintaksë të rregullt, për përshtatje sinonimesh, për të gërmuar në fjalor për të gjetur fjalë të vjetra e të papërdorura, për ca sens poetik brenda prozës, – kur një kompjuter e bënte këtë punë shumë më mirë, shumë më lehtë, fare pa kosto e në një kohë rekord.
Deri para do kohësh kisha lexuar në vazhdimësi se inteligjenca artificiale do të ndihmonte njeriun në punët e shtëpisë, pra do të ishte si punë skllavi. Ca më tej ai u intensifikua dhe e rriti pjacën: nisi të bëjë rolin e kirurgut. Dhe kur bën kirurgun, farmacistin e bën me sy mbyllur. Deri këtu nuk më është dukur se ka gjë të keqe. Përkundrazi. Sepse bën vaki që një tru elektronik të të japë indikacione më të sakta se dora njerëzore në një ndërhyrje kirurgjikale. Por a mund të jetë një kompjuter më i aftë se njeriu për të prodhuar fraza letrare? Për të pasur një ndjeshmëri shpirtërore aq sa t’i japë jetë një fabule?
Bota mund të mos vuajë më për materiale letrare, sepse me siguri do të ketë me bollëk, pjesë për t’u vënë në skenë, humor, drama e skenarë filmash. Ose ndoshta shkrimtarë jo fort të afirmuar, tanimë do të kërkojnë ndihmën e një ordinatori, ku ky i fundit të shkruajë, dhe tjetri, – frymor me inteligjencë të ulët, – të vendosi emrin sipër dhe të presë t’i shitet vepra e të bëjë para me të.
Por çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Sepse kjo mënyrë do të rregullojë përfundimisht egon e shkrimtarëve. Tani nuk do të ketë më shkrimtarë të shquar dhe mediokër, vepra të zakonshme dhe kryevepra. Sepse të gjithë do të jenë në lartësinë e duhur.