Partia Demokratike ka reaguar ndaj emërimit të Altin Dumanit si kreu i ardhshëm i SPAK. Sipas PD, përplasja për drejtuesin e SPAK mes Yuri Kim dhe Edi Ramës nuk është shenjë se drejtësia është e pavarur, por se ajo është kapur.
Zgjedhja e Kreut të SPAK ishtë një arritje për ndërkombëtarët por edhe për kreun e qeverisë, ndërsa për Partinë Demokratike konsiderohet institucion i kapur. Zgjedhja e Altin Dumanit nga tre kandidatë që ishin për kreun e SPAK për PD-në ishte një farsë duke e atakuar procesin që sipas saj ishte mes Ramës dhe ambasadores Yuri Kim. Pasi Dumani u konfirmua nga KLP për të qenë kreu i SPAK, ka reaguar kryeministri Edi Rama. Në një postim në Tëitter, Rama uroi shefin e ri të SPAK dhe kërkoi nga ai se duhet të flasë me gjuhën e rezultateve. “Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK foli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e skapjen e SPAK-ut nga regjimi i mori era! Urime drejtuesit të ri dhe fjalën le ta marrë puna me rezultate konkrete!”, shkroi Rama në profilin e tij në Tëitter.
Reagimi i PD
Partia Demokratike nuk u pajtua me zgjedhjen duke e cilësuar SPAK si institucion të kontrolluar politikisht nga qeverisja. Edhe kësaj here në reagimin zyrtar të Partisë Demokratike, procesi është atakuar si i kapur nga Partia Socialiste. Selia e blu e Sali Berishës e ka quajtur procesin të njollosur që në nisje dhe si të tillë të pabesueshëm. Në deklaratë theksohet se SPAK nuk hetoi krimin zgjedhor, i cili ne 9 vitet e fundit ka përcaktuar strukturën e shtetit, ndaj dëshmoi se është vetëm seksion i Partisë Socialiste dhe qeverisë. “Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK u njollos që në nisje të saj dhe si i tillë është i pabesueshëm. Përplasja për drejtuesin e SPAK mes Yuri Kim dhe Edi Ramës nuk është shenjë se drejtësia është e pavarur, por se ajo është kapur. SPAK ka patur mjaftueshëm kohë për t’i dhënë prova publikut të kundërtën duke konsumuar mandatin e një drejtuesi. Prej krijimit të saj SPAK ka patur në dorë dhjetëra skandale, të cilat ose janë hetuar nga bishti ose nuk janë prekur fare”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike. Sipas PD, “një ‘pallat drejtësie’ në korridoret e të cilit shkon për të bërë ekskursione dhe për të dhënë direktiva kryeministri dhe një ambasadore që bën rolin e guvernatores, nuk është as i pavarur, as i lirë dhe as i ndarë nga pushteti ekzekutiv, siç e kërkon një demokraci normale dhe funksionale”. PD tha se këto janë fakte të pakundërshtueshme dhe sipas saj SPAK u bë thjesht një seksion i Partisë Socialiste. “SPAK po përdoret në mënyrë antiligjore, anikushtetuese për gjah ndaj opozitës dhe shënon kapjen dhe dështimin e plotë të reformës sorosiane të drejtësisë në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike. Dumani u zgjodh me 5 vota pro në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Në zgjedhjen e tij ishte e pranishme edhe ambasadorja Yuri Kim, e cila mbërriti në godinën e Polit të Drejtësisë vetëm gjatë intervistimit të kandidatit të tretë, Edvin Kondili. Ky kandidat mori 4 vota ndërsa kandidati tjetër, Adnan Xholi mori vetëm 1 votë.