Mevlan Shanaj, i buzëqeshuri i ekranit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Në fillim të muajit të dytë të vitit, përkujtohet ditëlindja e tij. Sepse për “X” arsye, – aspak të kalkuluara padyshim, – ai u lind në 7 shkurt të vitit 1945. Por mosha, si në një term kozmik është veç një konvencion, e cila të bën të mos ndihesh ai që je në të vërtetë, pasi të kornizon dhunshëm mes shifrash hibride. Dhe kjo do të thotë që në bazë të një përllogaritjeje astronomike, çdo rrotullim i tokës rreth diellit të plak një vit më shumë, që prej ditës kur ke lindur.
Kjo formulë matematike e vjetruar nuk vlen më.
Ai nuk ka moshë. Dhe s’ka se si vitet t’i rëndojnë mbi supe. Madje as termi pensionist nuk ka kurrfarë kuptimi: sepse është artist. Dhe artistët nuk e njohin moshën dhe pse ajo ndryshon numrin sa herë që toka vjen në të njëjtin pozicion, si në çastin e parë. Nuk e dinë asnjëherë cila është shifra e radhës në ditën e lindjes së tyre.
E megjithatë, ata dalin në pension – si në një marrëveshje fjale – ndaj shteti për punën e madhe krijuese u jep ca lekë kafeje dhe u siguron vizita falas në ambulancën e lagjes. Kjo vlen dhe kur ke tituj: je Artist i Merituar, apo Mjeshtër i Madh, siç është Ai. Por ai mbetet po aq artist, tani, po aq sa kur linte sheshin e xhirimit për të firmosur në bordero, ca vite më parë se kaq.
Dhe të qenit artist më shumë se një vendim administrativ ka të bëjë me vlerësimin mbarëpopullor që e bën të mos e njohë kufirin në kohë.
Sot e gjithë ditën ai është po aq elegant sa dhe në rininë e tij. Ka të njëjtën buzëqeshje të veçantë që i shihet në çdo rol. Imponues me butësinë që e karakterizon, regjisor me sqimë dhe mjeshtër në aktrim. Ndaj spektatori e ka të fiksuar më së shumti me rolet e tij.
Dhe ai kujtohet si Nebi Surreli tek “Rrugicat që kërkonin diell”, djaloshi që shtynte karrocën e Gani Herrit mbushur me thasë qymyri, dushk edhe shkozë, por edhe me pak shqopë…
-Do bëj çmos që të mbeteni i kënaqur. Jam nevojtar. Por po ju kushtoj shumë më lirë se do t’u kushtonte po të mbanit një kalë.
Edhe si Memo Kovaçi tek “I teti në bronz” që ashtu i plagosur, bënte propagandë në shtëpinë e doktor Borovës:
-Doktor, kjo është e vërteta. Ju po të doni merreni dhe si përçarje. Por do të më vinte keq që vajza juaj një ditë të quhej vejusha e një tradhtari.
E më pas si Birçja, djali i Safa Ymerit që kërciti e iku në mal natën e dasmës pa i bërë adetin nuses.
-Në ke ndërmend të më rrahësh unë ika që sonte. Mbeç me shëndet!
Dhe këto ishin role nga vitet e luftës. Por po me staturën e tij elegante, të butë dhe imponuese, ai u shfaq dhe në rolet e viteve të paqes. Ndaj mbetet në kujtesë si Besnik Struga, vëllai i Benit që e kishin thirrur ushtar të ruante nëndetëset e Bazës së Pashalimanit se mos i rrëmbenin rusët, por dhe që sqaronte politikisht të fejuarën për çështjet e politikës së madhe…
-Zana dëgjo. Mos ma vër re. Unë jam i tronditur. Unë isha atje, në epiqendrën e çarjes. Më kupton, në epiqendër. Toka shembej aty ku s’e prisje. Hapeshin befas gropa, hone, humbella, shpërthenin gazra sulfurikë sa të erreshin sytë. Atje ndihej gjithë lëkundja e globit.
Dhe ishte ai poeti i çartur Viron, shoku i ngushtë i një kryetari të Komitetit Ekzekutiv, që nuk bënte dallavere as kur binte puna për vjehrrën dhe kunatin e as për shokët kur kërkonin favore të padrejta:
-Ej, mos më bërtit mua se do thonë çfarë i bëri ky kryetarit. E di si i thonë kësaj o Beso: më bëre një herë nder të them faleminderit. Ndërsa të dytin ta dua se e ke për detyrë!
Por jo vetëm kaq. Sepse do të shfaqej në rolin e një mjeku si shef pavijoni tek “Pranvera nuk erdhi vetëm”, drejtuesi i kursit të alpinistëve tek “Guximtarët”, Kujtimi tek “Unë e dua Erën” apo Sfinksi tek “Lule të Kuqe Lule të Zeza”.
Nuk besoj se ka njeri i cili nuk e ka kuptuar që e kam fjalën për Mevlan Shanaj, një aktor aq të dashur, e një regjisor po ashtu.
Në karrierën e tij ai është përzgjedhur nga regjisorët për të marrë atë që në gjuhën e kinemasë së kohës quheshin: role pozitive. Sepse një rol negativ nuk mund t’i shkonte kurrsesi natyrës së tij të paqtë dhe buzëqeshjes që transmetonte në fytyrë.
Si regjisor ai ka punuar për të paktën 30 filma televizivë e dokumentarë, por ndoshta më emblematikët janë “Plumba Perandorit” dhe “Fletë të Bardha”.
Mevlan Shanaj, dje dhe sot, është po aq i pranishëm në familjet tona përmes ekranit me buzëqeshjen e tij të veçantë, i butë dhe imponues.

Të fundit

“ÇMENDET” EKONOMIA SHQIPTARE/ Çmime më të larta ushqimesh, gërryerje e fuqisë blerëse

Paga mesatare në vend është rritur me ritme te shpejta dy vitet e fundit, teksa masa e pensionit mesatar...

Shqipëria po përgjysmohet, ndryshime drastike në rang global

Përgjatë dekadës së fundit Shqipëria klasifikohet ndër vendet me zhvillime drastike demografike në rang global, duke kryesuar me normat e larta të emigrimit, rënie...

Rama: Hapim një tjetër grupkapitujsh të negociatave të anëtarësimit me BE-në

Këtë të hënë më 14 prill do të hapet një tjetër grup kapitujsh të negociatave me BE. Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një statusi në Facebook,...

Trump paralajmëron tarifa të reja?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se "askush nuk po largohet nga grepi për bilancet e padrejta tregtare", duke sugjeruar se mund të...

Rama mund Berishën “online”/ Audience 10-fish më e lartë

Të dy në Itali, të dy drejtpërsëdrejti në rrjete sociale, në të njëjtën orë, por jo me të njëjtën audiencë… Shifrat që shihni në ekran...

Lajme të tjera

Web TV