Sulmet nga Irani/ Shfaqet Yuri Kim, 50 milionë dollarë për sigurinë kibernetike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ambasadorja amerikane Yuri Kim pas një pauze të gjatë është shfaqur dje publikisht në takimin që u zhvillua për sigurinë kibernetike në Shqipëri. Nga SHBA pritet të jepen 50 milionë dollarë dhe 15 milion euro nga BE për të ndërtuar një mur të fortë përballë sulmeve kibernetike ndaj vendin tonë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga autoritetet shqiptare që të mos e ulin mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike, pasi, sipas ambasadores amerikane në Tiranë, këto agresione nuk do të ndalen. Yuri Kim gjatë një paneli me ministrat e qeverisë Rama, por në mungesë të kryeministrit, tregoi që SHBA do të vijojë të ndihmojë Shqipërinë për forcimin e infrastrukturës digjitale: “SHBA dhe Shqipëria po zbatojnë një nga përpjekjet tonë më të mëdha të ndihmës kibernetike që arrin në 50 milionë dollarë në mbështetje të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë. Dhe ky është vetëm fillimi. Duhet të pranojmë që sulmet nga aktorë keqadashës si Irani dhe të tjerë do të vijojnë të jenë një kërcënim i vazhdueshëm. Ata nuk do të zhduken sepse nuk ka një plumb magjik për ta zgjidhur këtë problem”. Edhe Bashkimi Europian do të japë asistencën e vet me ekspertë dhe ndihmë monetare: “Nuk duam të japim zgjidhje të momentit, por duhet zgjidhje afatgjatë, sepse kjo është një detyrë afatgjatë për të gjithë ne. Përkrahja jonë për digjitalizimin që përfshin edhe mbrojtjen kibernetike do të aarijë deri në 15 milionë euro. Në këtë nismë duhet futur edhe sektori privat sepse kufiri nuk shkon vetëm tek shërbimet qeveritare, por këto sulme mund të ndodhin vazhdimisht në çdo nivel të mundshëm”. Në mungesë të kryeministrit, numri dy i qeverisë, Belinda Balluku, pasi tregoi vështirësitë që hasi shteti shqiptar ndaj sulmeve që vinin nga shteti i Iranit, u shpreh që qeveria po përgatit edhe ndryshime ligjore për mbrojtjen kibernetike. Pavarësisht se “hacker”-at iranianë kanë publikuar të dhëna të qytetarëve pas sulmit ndaj sistemeve publike digjitale, ministrat pretendojnë se agresioni kibernetik nuk e arriti qëllimin e tij, në rast të kundërt dëmet do të ishin shumë të mëdha.

Olta Xhaçka

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, në konferencën e organizuar për sfidat e sigurisë kibernetike në Shqipëri u shpreh se fokusi kryesor i punës diplomatike për sulmet kibernetike ka qenë me SHBA-në. Sipas ministres, MEPJ do të vazhdojë ta trajtojë sigurinë kibernetike si një prioritet në çdo aspekt të punës së saj. “Besoj që nuk e teproj kur them që sulmi i 15 korrikut ishte një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar vendi ynë në dekadat e fundit. Në mënyrë krejt të paprovokuar, vendi ynë u bë objekt i një sulmi të organizuar nga një aktor shtetëror. Jo nga ndonjë aktor shtetëror çfarëdo, por nga Irani, një fuqi e madhe me një CV të pasur sulmesh të organizuara e sponsorizuara qoftë në Lindjen e Mesme por edhe më gjerë. Një vend, që është identifikuar tashmë si autori i kushedi sa sulmeve me dronë e raketa në Lindjen e Mesme, ku spikasin padyshim sulmet kundër vendeve mike me Shqipërinë në Gjirin Persik apo rrëmbimet e anijeve, sponsorizimet e sulmeve terroriste, etj. Ishte një vendim i padëshiruar nga ne, por që besoj që i bën nder Shqipërisë, fakti që pas këtij sulmi ne shkëputëm marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Siç e thashë, sulmi ishte krejtësisht i paprovokuar. Askush nuk e priste një sulm të këtyre përmasave e aq me pak nje sulm te organizuar nga një aktor shtetëror. Kolegët e AKSHIT e AKCESKUT më kanë treguar më pas, që sistemet tona qeveritare, infrastruktura jonë digjitale i nënshtrohet çdo ditë – çdo ditë – një numri të jashtëzakonshëm sulmesh kibernetike nga individë e organizata kriminale, por këto sulme nuk ia kishin dalë kurrë të komprementonin këto sisteme”, tha ajo.

Lexo edhe :  Tirana festive/ Reuters publikon imazhin e sheshit ‘Skënderbej’

Bledi Çuçi

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në konferencën për Sigurinë Kibernetike ka folur për sulmet e fundit ndaj infrastrukturës digjitale, teksa ka shtuar se do të rritet buxheti për investime në këtë sektor. “Pas sulmit kibernetik në sistemet e Policisë së Shtetit na u desh që të nxirrnim një mësim të mirë për t’u foksuar gjithnjë e më shumë tek mbrojtja e sistemeve tona. Pikërisht për t’i bërë të padepërtueshme këto siteme kemi shtuar buxhetin si asnjëherë më parë në të kaluarën për investimet në teknologji në Policinë e Shtetit dhe në mbrojtjen kibernetike. Vetëm përgjatë këtij viti kemi planifikuar 7.6 herë më shumë investime në teknologji për Policinë e Shtetit se viti i shkuar”, tha ministri Çuçi. Ai foli më tej edhe për një arkitekturë të re të sigurisë kibernetike. “Sulmi që na ndodhi, le të themi që pati edhe këtë të “mirë” sepse ngriti alertin si kurrë më parë tek ne për t’u përqëndruar në garantimin e infrastrukturës dixhitale. Dhe jo vetëm kaq, por ky ishte alarmi edhe për një strategji të re, me burime njerëzore shumë më të kualifikuara dhe mentalitet që kupton sfidat e sigurisë kibernetike”, deklaroi ministri Çuçi.

Të fundit

Sulmi ndaj ambasadës shqiptare në Kiev, ministri Hasani thërret ambasadorin rus në zyrë!

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka thirrur në ministri ambasadorin rus, ku i ka shprehur protestën e qeverisë shqiptare...

“Janë diplomatët më të korruptuar në…”/Berisha akuza të forta ndaj Donald Lu e Vlahutin

Sali Berisha lëshoi akuza të rënda ndaj ish-ambasadorit amerikan Donald Lu e ish-ambasadores së BE-së Romana Vlahutin. Ai tha se ata janë dy diplomatët më të...

Sulmi ndaj ambasadës shqiptare në Kiev/ Çollaku: Akt lufte! I takon NATO-s të marrë masa

Deputeti i PD-së Kreshnik Çollaku komentoi sulmin ndaj ambasadës shqiptare në Ukrainë. Në 'Studio Live', Çollaku thotë se kjo ngjarje është një akt lufte ndaj...

Forcohet pasaporta e Kosovës, një tjetër shtet e njeh zyrtarisht

Armenia sot ka njohur zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, shkruan A2 CNN. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të...

Pas SHBA, Elon Musk ndërhyn në zgjedhjet gjermane, del hapur në mbështetje të AfD-së

Elon Musk njeriu më i pasur dhe më me ndikim në planet nuk resht së sfiduari me qëndrimin, zgjedhjet dhe mënyrën se si dëshiron...

Lajme të tjera

Web TV