Heminguej, shkrimtari që jetoi mes betejave

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Shpendi Topollaj

Po të nisesh nga domethënia e emrit që kish, i cili vjen nga gjermanishtja e vjetër dhe do të thorë “betejë”, duhet thënë se ashtu e pati edhe jetën shkrimtari amerikan Ernest Heminguej (Ernest Hemingway), i cili ka marrë pjesë në dy Luftrat Botërore, në atë të Spanjës, deri në lumin Ebro, në luftën Greko – Turke, i ka përjetuar bombardimet të Madridit, Parisit e Milanos, ka qenë dëshmitar i zbarkimit të forcave aleate në 6 qershor të vitit 1944 në atë të famshmen “Dita D”, dhe është plagosur rëndë, si dhe dy herë është rrëzuar avioni i tij, pa folur se i ka takuar të ndeshjet edhe me peshkaqenët. Në të gjitha këto beteja ai kishte dalë triumfues. Por, ai që dikur ishte shprehur se “Nuk ka asgjë fisnike te të qenit superior ndaj shokut tuaj. Fisnikëri e vërtetë është të qenit superior ndaj ish vetes tuaj”,  nuk arriti të fitojë me veten e tij, pasi në 2 korrik të vitit 1961, teksa gjendej në Ketçumë (Ketchum), të Idakos në SH.B.A. vrau veten.

Shpendi Topollaj
Shpendi Topollaj

Duke qenë vetë i tillë, pra kaq luftarak, edhe heronjtë e tij kështu na i paraqet, pasi sipas tij njeriu “ndeshet dhe përleshet për sa kohë është gjallë”. Babai i tij Clarence Edmonds Heminguej ushtronte profesionin e mjekut, ndërsa e ëma Grace Hall qe muzikante, në Cicero Ilinois, andej nga Çikago, ku në 21 korrik të vitit 1899, lindi Ernesti. Nëna, një grua e gjallë, dilte shpesh për koncerte dhe bënte çmos për arsimimin e të birit e sidomos t`i fuste dashurinë për muzikën, por çuditërisht ai nuk e honepste atë. Kurse i ati, sa herë dilte për vizita, sidomos tek autoktonët, e merrte me vete dhe i mësonte artin e gjuetisë. Prirjet e tij në këtë kohë ishin sporti dhe letërsia, ndaj kur shkoi në shkollën e mesme të Lumenjve, ku studioi deri në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, do ta gjeje duke luajtur futboll a duke u marrë me vaterpolo. Po ashtu, kur nisi të dalë gazeta e shkollës “The Trapeze”, ai nisi të shkruajë dhe të botojë në të. Sido që libri i tij i parë mbetet ai me tre tregime e dhjetë poema.

Pas gjimnazit shkoi në Kanzas Siti ku i hyri gazetarisë te “The Kansas City Star”, profesion që e ruajti përherë si një usta i mendimit dhe i fjalës, gjithmonë nga ata që me pak rreshta, thonë shumë. Kur ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç, pra në vitin 1918, ju bashkua vullnetarëve të Kryqit të Kuq dhe shkoi në Evropë. Rrugës për Itali e pa luftën qysh kur mbërriti në Paris, ku pa bombardimin e këtij qyeteti. Në frontin italo – austriak, ku shkoi më pas, u plagos kur po u shpinte ushtarëve furnizime. E dekoruan me medalje argjendi. Ndenji në spital gjashtë muaj. I kishte mbetur ndërmend momenti kur e çuan për herë të parë në një fabrikë të shndërruar në gërmadhë, ku gjendeshin në të katër anët trupat e copëtuara të grave që kishin punuar aty. Si gazetar shkeli edhe në ato vende ku ndesheshin ushtritë e Greqisë dhe të Turqisë dhe kur lufta mbaroi e u kthye në atdheun e tij, u vendos në Ouk Park. U dashurua me infermieren Agnes von Kurowski, të cilën deshi ta merrte grua, por ajo i tha se donte një oficer. Në 1921 u martua me Hadley Richardson, që i kish flokët e kuq dhe që ishte tetë vjet më e madhe, por duhet thënë se ka pasur dhe dy martesa të tjera më vonë. Me këtë grua shkoi nga Amerika në Francë, dhe duke qëndruar në Paris, krijoi njohje me njerëz të njohur të artit dhe kryesisht ata modernistët, nga të cilët u lidh me kubistin Pol Sezani, Jean Miro e Juan Gris  etj.

Gjithashu krijoi lidhje me shkrimtarë si James Joyes, Gertrude Stein e Ezra Paund. Historitë e këtij qyteti i dërgoi si reportazhe te “Toronto Star”. Hadley, duke udhëtuar për Gjenevë nga Gare de Lion në dhjetor të vitit 1922, humbi valixhen ku kishte dorëshkrimet e tij. Por i dha gëzimin e lindjes së djalit John gati një vit më pas. Edhe në Spanjë shkuan ata, edhe në ndeshjet me dema në korrida asistuan, prej nga shkroi dhe tregimin “I pamposhtmi”. I kishte shumë për zemër udhëtimet, ndaj shkoi disa herë edhe në disa vende të Afrikës. (Kur shkoi atje në 1933, doli për shëtitje e gjah me Filip Percivalin (“Dëborat e Kilimanzharos”, ku ndër të tjera veç atij që mban titullin libri dhe që e kanë konsideruar më të mirin, janë edhe “Një vend i pastër dhe me dritë”, “Pritja e një dite”, “Kumarxhiu, murgesha dhe radio”, “Baballarë dhe djem”, “Në një vend tjetër”, “Vrasës”, ‘”Një mënyrë e vetme nuk do të ekzistojë kurrë” dhe “Jeta e shkrurtër e gëzuar e Francis Macomber”).

Ato që pa atje në vizitën e parë, i përmblodhi në librin e tij me tregime “Koha jonë” (1925), ku duket dallimi midis jetës ku rafsha mos u vrafsha me privimet e vështirësitë që të rezervon lufta, dhe në romanet “Dhe dielli lind” (1926), dhe ai që i dha lavdi “Lamtumirë armë!” (1929). Thonë se nisur nga tregimi “Në shtëpi” me Krebsin, i cili kthehet nga lufta, por tani gjërat kishin ndryshuar tërësisht, e më pas për “Dhe dielli lind përsëri”, ku gazetari Barns me gjithë vlerat që ka, e ndien veten të dëshpëruar, dhe nuk i shijon asgjë, Stein, me të cilën edhe grindeshin, e para qënka shprehur se “Kjo është historia e brezit të humbur”. Po në këtë periudhë, pra në vitin 1925, Heminguej lidh miqësi të fortë me shkrimtarin nga Minesota Skot Ficxherald (Fransis Skot Key Fitzgerald), i cili në veprën e tij u mor me rënien e “brezit të humbur”. Pasi ndahet me gruan e parë, njihet dhe martohet me Pauline Pfeiffer, me të cilën në vitin 1928 i lind djali Patrik.

Por ndodhi ajo që nuk e priste; mëson lajmin se i ati kishte vrarë veten. Në këtë çast thotë ato fjalët se “unë ndofta do të shkoj në të njëjtën mënyrë!” Fillon të shkruajë “Lamtumirë armë”, ku përshkruhen ndodhi të luftës italo – austriake me besnikëri të habitshme, sa të bëhet se ke qenë edhe ti në ato llogore plot baltë, tërë tym e erë baruti, ku të vrarët e mbuluar nga gjaku të dalin parasysh në çdo hap. Dhe ja ku në gjithë këtë rrëmujë apokaliptike, ngre krye dashuria e Frederikut me infermieren Ketrin. Çfarë nuk bëjnë për dashurinë e tyre, por lodhen kot, pasi lufta me llahtaret e saj del më e fortë. Në luftë vdekja e mund jetën. Vetë shkrimtarit i ka ardhur keq që kjo marrëdhënie përfundon kështu, por s`është në dorën e tij. Edhe vetë e ka shprehur këtë dhimbje për tragjedinë që u ndodh personazheve, por kjo është simbolika e pasojave të pashmangëshme të kotësisë së konflikteve me armë. Monologët brenda unit të personazheve, këtu marrin trajtat e artit modern. Diku Heminguej ka thënë se ai e nis një tregim dhe e lë dora – dorës të vazhdojë. Kështu ka bërë edhe me tregimet më të mira “Macja në shi”, “Në big River” dhe “Elefantët e bardhë”, ku deklaron se ka punuar sipas parimit të ajsbergut i cili ekspozon vetëm një të tetën e madhësisë së tij. Të tjera ia le lexuesit t`i gjykojë. Ja pse edhe e kishin tërhequur aq shumë impresionistët.

Lexo edhe :  Nominimet për çmim “Oscar” 2025, publikohet lista e plotë e kandidatëve

Në vitin 1931 i kishte lindur dhe djali tjetër Gregori dhe bleu një anije që e quajti “Pilar”. Me këtë anijez nisi lundrimin dhe peshkimin nëpër Karaibe. Sikurse thamë më sipër, në vitin 1937 ai shkon në Spanjë si gazetar i Aleancës së Gazetarëve të Amerikës së Veriut. Rebelimi i gjeneralëve me Frankon në krye që nuk e kishin pranuar fitoren e “Frontit Popullor” të 6 shkurtit 1936, çuan në luftën civile. Kjo luftë mori përmasa të mëdha, pasi u përzien edhe fuqitë e ndryshme, sipas interesave të tyre. Heminguej mbajti anën e popullit, pra të focave republikane, dhe mori vetë direkt pjesë në luftime së bashku me ta. Ngjarjet i përshkroi ashtu sikurse i pa, me vërtetësi e sinqeritet, por gjithmonë si një e keqe e madhe. Këtë ja diktonte shpirti i tij human. Ndaj dhe thosh se: “Ai që i bindet shpirtit, është më i madh se ai që pushton një qytet”. Shkrimtari ynë nga më të mirët, Petro Marko, gjithashtu pjesëmarrës në atë luftë, ka shkruar: “Unë e kam njohur Heminguejin në Valencia, në kongresin e shkrimtarëve më të shquar të botës… isha kureshtar për këtë njeri trupmadh ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t`i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha: – Si shumë t`i rëndojnë supet hekurat, që mban! – Më shumë më rëndojnë mendimet se hekurat, iu përgjigj Ernest Hemingueji”. Edhe kur shkoi në Amerikë, nuk reshti së sqaruari rrjedhat e asaj lufte që çoi në vendosjen e diktaturës frankiste. Njihet fjalimi i tij “Shkrimtari dhe lufta”, pra ai e shihte detyrën e shkrimtarit, jo vetëm si vëzhgim, por edhe si mision. Por edhe ka shprehur besimin se “Asnjë popull nuk mbahet dot në robëri”.

Fitoren e masave të gjëra, pra të popujve të shtypur ai e shihte, sikurse del te “Përse bien këto kambana”, jo thjesht me ata të brezit të humbur. Por përsëri, ai e ngre lart njeriun me vullnet të fortë, sikurse del te novela e mrekullueshme “Plaku dhe deti” që e kemi parë edhe në film, ku roli e santagos e luan aktori i madh Entoni Kuin. Çfarë force psikologjike gjejmë në të. Sa mundësi të pashtershme te njeriu. Dhe mendoni pastaj sikur ata të jenë të bashkuar rreth të njëjtit qëllim. Pasi u nda dhe nga Paolina, në vitin 1940 martohet me Martha Gellhorn. Për realitetin amerikan të atyre viteve kishte vrejtjet e veta të cilat u pasqyruan edhe te romani i tij i vitit 1937 “Të kesh a të mos kesh”, ku Morgani, nuk do t`ia dijë për të tjerë, por veç për fitimet e veta. Edhe ai përfundon tragjikisht, dhe me sa duket kjo ka qenë dhe simbolika e fundit të asaj sjelljeje në shoqëri. Dhe shihin çfarë ndryshimi; plaku Santiago që edhe kur bije në disfatë, me mbështetjen e vetëm një djaloshi, Manolit, është me besimin se ditë më të mira do të vinë, kurse industrialisti, me gjithë ato para, përfundon si mos më keq. Këto janë dhe paradokset e vetë jetës. Në vitin 1950 Ernest Heminguej shkoi dhe jetoi ca kohë në Kubë. E donte këtë vend dhe kubanët krenohen me faktin se tek ta ka jetuar për ca kohë një njeri i shquar si ai.

Fidel kastro krijoi në nderim të tij në vitin 1960 Tornee Hemingway. Libri i tij i fundit për dashurinë është “Përtej lumit” (1950), ai që i kushtohet kolonelit amerikan dhe vajzës venedikase. Ishte vlerësim i madh kur pas fitimit të çmimit pretigjioz “Pulizer”, atij nga Stokholmi i erdhi lajmi i akordimit të çmimit “Nobel” në letërsi. Nuk shkoi vetë se ishte i sëmurë; për më tepër, dihet se vitet e fundit vuante nga depresioni. Por kuptohet që kjo e lumturoi. E dinte se “pleqëria është zilja ime e vdekjes”, por ai ishte ende ri për t`u larguar nga kjo botë, dhe sidomos në atë mënyrë, paçka se e shoqja deklaroi se ishte një aksident. La pas dhjetë romane e dhjetë koleksione historishë të shkurtra etj. dhe këto e bënë të pavdekshëm. E kishte parashikuar: “Është mirë që udhëtimi të ketë një fund, por në fund është vetë udhëtimi ai që  ka rëndësi”. Dhe ai e pati aq të bukur udhëtimin, të mbushur plot me aventura.

Të fundit

Barcelona shkatërron Valencian me goleadë, katalanasit tregohen të pamëshirshëm

Barcelona rikthehet te fitorja në La Liga. Katalanasit triumfuan me rezultat të çmendur 7-1 ndaj Valencias, në një ndeshje...

Giorgia Meloni në Arabinë Saudite, marrëveshje bashkëpunimi 10 miliardë dollarë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka zhvilluar sot një takim dypalësh me Princin dhe Kryeministrin e Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman. Takimi u zhvillua në një...

Përgatitjet e socialistëve për zgjedhjet e 11 majit, Koçi: Në terren 140 kandidatë

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i ftuar në një intervistë televizive, foli për përgatitjet që PS po bën për zgjedhjet që pritet të...

SHBA nis aksionin për ‘goditjen’ e emigrantëve pa dokumente, qindra dëbime dhe arrestime

Autoritetet amerikane po arrestojnë tashmë qindra emigrantë pa dokumente në ditë dhe po i dërgojnë ata në vendet e tyre të origjinës, duke përmbushur...

Manchester United rikthehet tek fitorja, Djajtë triumfojnë në transfertën e Fulham

Manchester United ka siguruar një fitore minimale në transfertë ndaj Fulham, duke marrë pikë të rëndësishme për klasifikimin dhe moralin. Skuadra e Amorim, përsëri nuk...

Lajme të tjera

Web TV