Dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe e Malit të Zi, patën dje një mbledhje të përbashkët në Podgoricë ku u nënshkruan 9 marrëveshje bashkëpunimi. Më e rëndësishmja është projekti për ndërtimin e një ure në Lumin Bunë që do të lidhë dy vendet. Diskutimi për Ballkanin e Hapur dhe “nacionalizmat” që shfaqen herë pas here.
Qeveria shqiptare dhe malazeze zhvilluan mbledhjen e tyre në Podgoricë ku nënshkruan 9 marrëveshje e memorandume në fusha si energjia, peshkimi, mbrojtja e shëndetësia, marrëveshjen për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë-Pulaj si dhe ndërtimin e urës mbi lumin Bunë. Në bazë të kësaj marrëveshje pika kufitare Shën Nikollë- Pulaj do të shërbejë si pikë kufitare për Urën mbi Lumin Buna. Kostoja e urës dhe pikës kufitare do të shkojë deri në 20 milionë euro dhe do të ndahet 50% me 50%. “Ndërtimi i infrastrukturës së transportit është i një rëndësie kyçe për zhvillimin ekonomik dhe social të dy shteteve. Duke njohur mundësitë dhe rëndësinë e veprimit të përbashkët ndaj palëve të treta dhe burimet e disponueshme të fondeve për financimin e zbatimit të investimeve në infrastrukturë, të cilat do të mundësojnë një fluks më të madh njerëzish, mallrash, kapitali, shërbimesh dhe teknologjie, si dhe zhvillimi ekonomik, lindi nevoja për lidhjen e një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve”, thuhet ndër të tjera në marrëveshje. Po ashtu gjatë takimit është folur për çështjet më të të ndjeshme të rajonit siç janë takimi që u zhvllua dje në Bruksel Serbi- Koosvë si dhe për Ballkanin e Hapur.
Ballkani i hapur
Kryeministri Rama është shprehur nga Podgorica se Ballkani i Hapur është një projekt që ka jetësuar dhe përshpejtuar Procesin e Berlinit. “Kur ishim në Berlin në procesin e Berlinit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut rifirmosën gjëra që i kishin firmosur më parë. Unë nuk pashë aty asnjë marrëveshje të re. Nuk di asnjë marrëveshje të Ballkanit të Hapur që nuk është në Procesin e Berlinit. Pse deri kur nisi Ballkani i hapur nuk ishte realizuar asnjë marrëveshje? Pse procesi i përshpejtua? Sepse për këtë është Ballkani i hapur. Kush do të shohë në këtë proces kinezë, rusë apo marsianë le t’i shohë nuk është problem”, tha Rama. Në të njëjtën linjë ishte edhe Kryeministri malazez Abazoviç. “Ne kemi marrë pjesë në samitin e mëparshëm. Çdo bashkëpunim rajonal i shkakton paqes dhe stabilitetit dhe nuk ka dhimbje koke për këtë. Dhimbje kohe do të kishim vetëm nëse do të ndodhte e kundërta. Për rajonin dhe Malin e Zi po vijnë ditë më të mira. Të kaluarën nuk e ndryshojmë dot por mund të bëjmë këtë gjë me të ardhshmen”, tha Abazoviç.
Kosovë-Serbi
Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel dy kryeministrat, ai i Malit të Zi Abazoviç dhe ai i Shqipërisë Rama, e quajnë një mundësi të artë për marrëveshje. Kreu i qeverisë malazeze shprehet se një marrëveshje Kurti-Vuçiç do të ishte e mirë për të gjithë rajonin. “Ai takim në Bruksel ashtu si edhe ky këtu ka të bëjë me të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Ne maksimalisht përkrahim dialogun mes Shqipërisë dhe Kosovës. Mendojmë se plani franko-gjerman është një plan i mirë. Ndihmon paqen në rajon. E ardhmja jonë e të gjithë është bashkëpunim dhe respekti mes shteteve të ndryshme. E rëndësishmë është që në fund të fundit çdokush do të jetë në dobi nëse vendos çfarë duan ndërkombëtyarët dhe popujt këtu. Humbje do të ketë nëse vazhdohet me statuskuonë. Ne mbështesim dialogun, bashkëjetesën dhe jmarrëshëvjen. Nuk mbështesim politikën e ndarjes dhe atë të viteve 90. Unë dua të besoj se liderët e Serbisë dhe Kosovës do ta kuptojnë këtë gjë. Sa më mirë ta kuptojnë aq më mirë do të ishte për ta dhe një shembull për të gjithë rajonin”, tha Abazoviç. Ndërkohë që Kryeministri Rama tha se propozimi i ndërkombëtarëve është marrëveshja me e mirë që ka qenë ndonjëherë në tavolinë. “Shqipëria nuk është superfuqi siç është Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk na takon ne që t’u thotë palëve në dialog pa kushte apo me kushte. Kjo është një çështje që i takon atyre, ata kanë përgjegjësinë për të vendosur për vendet e tyre dhe që më pas paguajnë kosto të vendimmarrjet e gabuara. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Çdo rrugët tjetër është iluzion që i krijohet popullit për politikë, për vota, për luftëra të brendshme dhe që nuk ka lidhje me të ardhshme. Unë dua shumë të shpresoj dhe jam me gjithë zemër i angazhuar që çështja mes Shqipërisë dhe Kosovës të hyjë në rrugën pa kthim dhe më shpejt se sa vonë të dyja vendet që super fuqitë t’i marrin prej veshi sa herë që grinden në oborrin pas shkollës”, tha Kryeministri Rama.
Incidenti në kufi i profesorit
Kreu i qeverisë ka komentuar dhunën ndaj zyrtarit të Partisë së Lirisë, Petraq Milo nga policët malazezë, ka vlerësuar sjelljen e qeverisë malazeze dhe bëri një koment për opozitën. “I ka telefonuar profesorit, i ka shprehur ndjesën, janë marrë të gjitha masat për personat në fjalë dhe e gjitha kjo është bërë me xhentilesë dhe urtësi maksimale. Këto janë raste që ndodhin, u ndodhin edhe në ndonjë rast shqiptarëve me policinë shqiptare por këto janë raste që shërbejnë si burim frymëzimi për të gjithë patriotët dhe heronjtë në potencë të rajonit tonë. Këto janë rastet që mezi i presin për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike. Ndaj na duhet më tepër bashkëpunim rajonal e pa kufi, jo se çdo popull si çdo pyll do të shpëtojë nga derrat e vet ndonjëherë por sepse sa më shumë që hapësira të jetë e përbashkëta, aq më pak derrat do të mund të ndërhyjnë në punët e brendshme”, tha Rama.
Rama “njeh” vetëm një gjuhë
Kreu i qeverisë, Edi Rama ka komentuar faktin që homologu malazez, Dritan Abazoviç arrin të flasë shkëlqyeshëm 2 gjuhë por u shpreh se vendos të përgjigjet në të vetmen gjuhë që i njeh rajonit, shqip. “Më vjen keq që nuk flas dot në gjuhën tuaj se kush e pyet shqip, përgjigjet shqip e kush e pyet malazezisht, i përgjigjet malazezisht. Dritani është fenomen i rrallë dhe mbase është i vetmi që edhe pse i flet shkëlqyeshëm gjuhët, nuk ngatërron këmbët sipas gjuhëve kur ecën. Unë përgjigjem shqip, në të vetmen gjuhë që i njoh këtij rajoni”, tha Rama.