Nga Shpendi Topollaj
“Kur nuk mbërrijnë fjalët, mbërrin muzika”, është porosia që na ka lënë ndjekësi i iluministëve gjermanë, i paarritshmi Ludwik van Beethoven.
Këto fjalë marrin kuptimin e vërtetë edhe për ne shqiptarët, kur shohim gjithë atë që bën një artist si dirigjenti i talentuar Ermir Dizdari i cili sapo u krijuan mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve me Kosovën, ka dhënë gjithë kontributin e tij për të afruar dy kulturat muzikore që në fund të fundit rrjedhin nga e njëjta trashëgimi, nga i njëjti burim popullor.
Ai e ka bërë dhe e bën këtë si atëherë kur mbante postin e drejtorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore apo atë të drejtorit të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, por edhe sot e kësaj dite që ka kohë që ka dalë në pension dhe nuk ka asnjë detyrim zyrtar, por thjesht si atdhetar të cilit i dhemb në shpirt ndarja e Kosovës nga toka amë në tavolinat e pazareve tinzare të burrave me frak, papion e cilindra në kokat e djallëzuara.
Ai i ka kushtuar gjithë mundësitë, kohën dhe aftësitë e tij profesionale këtij afrimi, edhe nga që sheh se duhen ruajtur e forcuar akoma më shumë këto shkëmbime. Ja pse Ermir Dizdarin së bashku me gruan e tij të mirë, kolonjaren Marita, do ta gjesh në çdo event të Kosovës. Dhe të gjitha këto që po them për këtë njeri me zemër të madhe dhe qëllime të pastra patriotike, i vërteton mësë miri libri i botuar tash së fundmi nga Shtëpia Botuese MESHARI Prishtinë, me titull “Revista e Folklorit Burimor Shqiptar Drenasi: 2202, 2006, 2010, 2014 dhe historiku i saj”.
Janë kujtime dhe mbresa të përjetuara, por do të shtoja; edhe dokumente e fotografi domethënëse për gjithë sa është bërë në këtë fushë, aq sa fare mirë mund ta quajmë një histori të mirëfilltë të veprimtarive të përbashkëta duke filluar qysh nga vitet 1992 – 93, mes ansambleve nga Shqipëri (përfshirë grupin çam “Krahu i Shqiponjës”, Kosova me ansamblin “Agimi”, Maqedonia e Veriut me “L.SH.K.A. të shqiptarëve të Maqedonisë”, “Xheladin Zeqiri”, ata të Malit të Zi me shoqatën “Zana”, i arbëreshëve të Italisë “Lungro”, “Acquafirmosa” e deri ta ansambli i Bursës së Turqisë “Zafer”. Duke folur për rëndësinë që kanë këto aktivitete, pra këto vajtje – ardhje të ansambleve të ndyshme kudo që ka shqiptarë, autori i librit qysh në hyrje të tij shprehet se: “Populli shqiptar ka një traditë shpirtërore shumë të lashtë, të cilën e ka ruajtur dhe mbajtur gjallë në gëzime, hidhërime, në luftrat shekullore deri në ditët tona, duke kultivuar dhe zhvilluar këngët e vallet autoktone, ritet, zakonet e doket e ndryshme, veshjet e larmishme dhe instrumentet muzikore popullore.
Përmes tyre, shqiptarët kanë ruajtur identitetin kombëtar, si një popull autokton në trojet e veta, kanë nxitur dhe rrënjosur ndër breza vetëdijen kombëtare shqiptare”. Dhe pasi rreshton veprimtaritë e ndryshme në Shqipëri dhe që tashmë janë të njohura si Festrivali i Gjirokastrës, Oda Dibrane, Sofra Dardane, ai i Sazeve Popullore, i Rapsodëve, i këngës Qytetare etj. tek ato që organizohen rregullisht në Maqedoninë e Veriut si “Sharri këndon” dhe “Këngë jeho” apo ai i Rapshës në Mal të Zi, Ermiri ndalet tek ato të Kosovës dhe kryesisht në qytete si Prizren, Gjilan, Gjonaj, Kaçanik, Viti, Klinë, Deçan, Rahovec, Drenas etj. Dhe pikërisht, aktivitetet kulturore të këtij të fundit, pra të Drenasit, ku çdo katër vjet zhvillohet Revista e Folklorit Burimor Shqiptar, autori ka zgjedhur t`i përshkruaj gjatë e gjerë. Në fillim ai na jep një panoramë të vendndodhjes së kësaj krahine të madhe, dhe të komunës me të njëjtin emër, etimologjinë e saj, gjeografinë, popullsinë, pasuritë natyrore etj. Më tej vijon me krijimin e RFBSH në 4 dhjetor 1953, me nismën e Institutit Albanologjik, ku spikati puna e Fazli Haxhiut. E gjithë kjo u bë kryesisht jo vetëm për të manifestuar vlerat e larta artistike të shqiptarëve në këto treva, por edhe si rezistencë ndaj diskriminimit, përçmimit e shtypjes nga ana e serbëve.
Në libër japet kronologjia e veprimtarive, qindra e qindra artistë të këngës, valles, instrumentit etj. kostumet popullore, fituesit e këtyre takimeve, entuziazmi me të cilin u pritën ata nga ana e spektatorëve të shumtë. Autori nuk lë pa përmendur edhe sakrificat e bëra për realizimin e këtyre revistave, deri edhe burgosjet e folkloristëve nga qeveria sllavo – komuniste e Serbisë. Nga ana tjetër, evidentohen edhe drejtuesit politiko – shoqëror të kësaj Komune ndër vite, të cilët ndihmuan në mbarëvajtjen e këtyre takimeve, si Alush Zariqi, Halil Halilaj, Tefik Morina, Islam Bogiçi, Ibish Krasniqi, Xheladin Sahitaj, Reshit Gashi etj. Popullit tonë, vërtetë i munguan ndër shekuj institucionet e duhura për zhvillimin, përkrahjen, ruajtjen dhe përhapjen e vlerave artistike, por këtë boshllëk e mbushi vetëdija e banorëve të tij që nxori aq e aq rapsodë, muzikantë, valltarë që ashtu duar – duar, e sollën atë të gjallë e të freskët mes nesh, por edhe në sytë e botës.
Ashtu sikurse erdhën mes nesh edhe veglat muzikore si rrokaça, pushkalla, fujza, zurlja, tupani, fyelli, sponi, kavalli, ndrrojsat, gajdja, zurla, çiftelia, sharkia, lahuta, defi, darabuka, Është interesante, se autorit të këtij libri nuk i kanë shpëtuar as shpenzimet e bëra, as spotet, as fjalimet e çeljes dhe të mbylljes së Festivaleve dhe as idetë e planet e punës për t`i çuar më përpara ato dhe për t`u lidhur me homologet nëpër Evropë apo analizat për gjendjen e sotme të folklorit në tërësi dhe degëve të veçanta të saj, si fjala vjen Eposi i Kreshnikëve, parë me kompetecë shkencore nga personalitete si Zymer Neziri i cili propozon qysh në 21 shtator 2006: “Të hartohen elaborate për OKB, që Eposi i Kreshnikëve të merret në mbrojtje të UNESKO – s, si njëra ndër vlerat më të mëdha etnokulturore të njerëzimit. Dihet tashmë se një projekt i ngjashëm i Tiranës për Polifoninë shqiptare ka kaluar me sukses të gjitha proçedurat dhe sot polifonia shqiptare është në mbrojtje ndërkombëtare të UNESKO – s për të cilin ka merita të veçanta Prof. Vasil Tole”.
Gjithashtu, vëmendjes së autorit nuk i kanë shpëtuar as historikët e disa prej ansambleve kryesore të gjithë trojeve shqiptare që kanë marrë pjesë në festivalet e Drenasit për katër herë me radhë, pasi ai organizohej në çdo katër vjet.
Një vend të rëndësishëm zënë edhe mendime të atyre që janë marrë gjithë jetën me folklorin tonë dhe është plotësisht i drejtë shqetësimi si ai znj. Afërdita Onuzi se sot identiteti kulturor merr më shumë vlerë, pasi me ndryshimet që po ndodhin si në qytet ashtu edhe në fshat, brezi i ri sa vjen e po bëhet më indiferent. Këtu del edhe qëllimi i shkruarjes së këtij libri nga Mjeshtri i Madh (13 Prill 2013), pedagogu i jashtëm i Universitetit të Arteve Ermir Dizdari; që ashtu sikurse e thotë mbiemri i tij nga gjuha perse “Mbrojtës i kështjellës”, kërkon të mbetet një mbrojtës i përhershëm i Kështjellës më të mrekullueshme dhe më të fortë që ne shqiptarët kemi: trashëgiminë kulturore, etnografike, folklorike dhe sidomos asaj muzikore. Se vetëm kështu, ato mbërrijnë atje ku nuk mbërrijnë fjalët, madje edhe në veshët e atyre që nuk na duan.