Vula që do ta rithemelojë realisht ose do ta shuajë përfundimisht PD-në

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vera e re në fuçinë e vjetër

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, PD ndodhet në situatën më absurde; Grupimi i Alibeajt ka vulën por nuk ka vota dhe grupimi i Berishës ka vota por nuk merr pjesë dot në zgjedhje. Janë vetëm dy alternativa në këtë gjendje: ose PD të rithemelohet realisht duke realizuar bashkimin dhe pajtimin e madh, ose të shkrihet plotësisht duke i dhënë fund një historie. Saga e një ngjarje politike në 10 data, si dhe një parashikim se çmund të ndodhë me këtë parti në të ardhmen.

Nga ROLAND QAFOKU

Tashmë që vendimi i Gjykatës së Apelit u dha, PD ndodhet në një situatë edhe më absurde: Grupimi që mbështet Enkelejd Alibeajn ka vulën e partisë, por nuk ka vota, ndërsa grupimi që mbështet Sali Berishën ka vota, por nuk ka vulë. Por kujt i duhet ajo vulë kur grupimi i Alibeajt nuk ka akses te votuesit, nuk i mbështet kush dhe kur zgjedhjet që janë në prag nuk ka asnjë shans ti fitojë? Por ama kujt i duhen ato vota nëse grupimi i Berishës nuk mund të regjistrohet në KQZ dhe në zgjedhje nuk mund të marrin pjesë? Duhet ta themi troç: Partisë Demokratike nuk ia ka fajin askush. As Edi Rama që sipas Berishës “ka një synim, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri”. As Yuri Kim që po sipas Berishës “guvernatorja e ka me shkrim që do shkatërrohet PD duke bërë presione të jashtëzakonshme për të realizuar qëllimet, shkatërrimin e opozitës”. Nuk ia kanë fajin as mbështetësit që kanë ardhur gjithnjë në rënie dhe kjo u duk protestën e 3 marsit. Faji i PD-së është i vetë PD-së. Më konkretisht akoma, faji është i dy drejtuesvëe: Lulzim Bashës që iku dhe në fakt mban emrin në regjistrat e gjykatës dhe tinëzisht kërkon të kthehet në krye dhe Sali Berishës që ndonëse e shkundi mirë PD-në e atrofizuar nuk arriti ta bashkojë atë. Viktimizimi se të gjithë këtë situatë ua ka bërë peshqesh Edi Rama dhe Yuri Kim është një justifikim i madh i pa vlerë. Nëse PD do ti kishte punët mirë brenda vetes së saj, nëse nuk do kishte përçarje dhe nuk do kishte mosmarrëveshje thelbësore, nuk mund ta dëmtonte as Edi Rama dhe askush tjetër. Sigurisht që në rastin më të mirë Edi Rama po fërkon duart nga ajo që ndodh aty dhe në rastin më të keq mund të ketë patur edhe ndikim, por të bësh fajtor dhe autor të situatës në PD Edi Ramën kur ti i ke bërë punët lëmsh vetë në parti, kjo është absurde. Politika nuk është balet, as këngë e stilit “Sweet harmony”, e as një xhiro me anije në një det të qetë. Në një luftë politike, për më tepër në terrenin shqiptar, priten edhe intriga, stërkëmbësha dhe punë të pista, por një parti që funksionon normalisht dhe me parime nuk ka kundërshtar që mund ta përçajë dhe shkatërrojë.

Menjëherë pas vendimit të Gjykatës nisi furtuna e sulmeve ndaj treshes së trupit gjykues, ndaj Gjykatës së Apelit, ndaj reformës në drejtësi, ndaj Edi Ramës, Erion Veliajt e gjithëfarësoj. Por mirë e marrim të mirëqenë se të gjithë këta faktorë përbëjnë fajtorin e madh për situatën në PD. Por pyetja e thjeshtë është; po vetë PD a ka faj? A ka faj Sali Berisha për këtë situatë që nuk e bashkoi PD-në siç premtoi? A ka faj Lulzim Basha që e solli PD-në në këtë derexhe? A ka faj Enkelejd Alibeaj që nuk arriti kurrë të krijojë kushte për bashkëpunim dhe pajtim? Përgjigja e këtyre pyetjeve besoj janë thelbi i asaj që ndodh në këtë parti. Prandaj në situatën që ndodhet janë vetëm dy alternativa: Ose bashkim dhe pajtim i madh duke e rithemelaur atë parti me të gjithë faktorët dhe aktorët, ose shuarja e partisë duke i dhënë fund me dhimbje një historie 33-vjeçare.

Besoj që ata që e duan këtë parti, që duan demokracinë dhe duan një Shqipëri pluraliste reale janë për versionin e parë. E pra, në këtë situatë, e vetmja alternativë dhe vetmja shpresë është bashkimi dhe pajtimi i madh. Një bashkim aq i nevojshëm dhe i domosdoshëm për PD dhe jo vetëm për të. Në fakt, Enkelejd Alibeaj e dha sinjalin e parë që ky vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është për të triumfuar por për tu bashkuar. Por këto fjalë së pari duhet të jenë me vepra. Ashtu siç iu drejtua të premten anëtarësisë ashtu dhe në ditët në vijim Alibeaj duhet të bëhet promotor i bashkimit dhe pajtimit të madh dhe kjo mund të arrihet duke e realizuar me sinqeritet dhe duke ia lanë në dorë një këshilli të urtësh që janë të distancuar nga dy palët por që kanë kontribute në këtë parti.
Sa për versionin e dytë, ai i shuarjes së partisë do ishte një gjëmë e madhe jo vetëm për PD. Nëse vijohet me këtë situatë duke i konsideruar armiq ata që dikur ishin më shumë se miq kjo parti do katandisej në një parti të vockël, pa fuqi konkuruese reale dhe me një fat siç të gjitha partië opozitare që lindën në Lindje të Evropës pas rrëzimit të komunizmit. Por në kushtet e Shqipërisë kjo do ishte vdekje e opozitës. Nuk ka asnjë sinjal në horizont se ka nisma dhe parti të reja që mund të zëvendësojnë PD. Si e tillë, shuarja e kësaj partie nuk është thjesht perëndimi politik i një partie, por shuarja e institucionit të opozitës. Opozita është vërtetë në udhëkryq, por në udhëkryq në fakt është demokracia në Shqipëri. Për këtë, të dy grupimet duhet të japin për të arritur një pajtim dhe bashkim që i vlen PD por më shumë i vlen demokracisë dhe Shqipërisë politike. Ndryshe, nuk është e tepër të themi që version i dytë fatkeqësisht mund të ndodhë.

Lexo edhe :  "Liria, besimi dhe pajtimi" – qëndrimet e serbëve dhe shqiptarëve nga veriu i Kosovës

GRUPIMI I ALIBEAJT NUK I VLEN VULA

Çfarë ka fituar me këtë vendim të Gjykatës së Apelit Enkelejd Alibeaj dhe grupimi që ai drejton? Sigurisht që në dorë ka një hipotekë pavarësisht se Gjykata e Shkallës së parë do ta rigjykojë por me këtë vendim a arrin të paktën juridikisht ta regjistrohet në KQZ për zgjedhjet e 14 majit? Nuk është nevoja të jesh jurist për të kuptuar nenin 64 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit regjistrimin e bën kryeari i partisë që në këtë rast nuk është Alibeaj. Alibeaj është i komanduar dhe në gjykatë nuk është ai që ka emrin si kryetar, por Lulzim Basha. Por, nëse këtë do ta bëjë Lulzim Basha ky do ishte një skandal më vete. Si do ta dorëzojë listën në KQZ Lulzim Basha? Nëpërmjet cilit organ është miratuar lista e kandidatëve kur nuk ekzisotjnë fare strukturat dhe veçanërisht kryesia dhe Këshilli Kombëtar? Ndodhur në këtë situatë, e vetmja shpresë mbetet vetëm bashkimi me grupimin tjetër.

GRUPIMIT BERISHA NUK I VLEJNË VOTAT

Disfata në Gjykatën e Apelit është një trishtim jo vetëm për ata që mbështesin Sali Berishën dhe grupimin e tij “Foltorja”, por për të gjithë ata që duan një PD dhe opozitë funksionale. Në gjendjen që ndodhet ky grupim të paktën juridikisht është jashtë politikës. Nuk ka vulë dhe logo dhe nuk ka të drejtë të regjistrohet për zgjedhjet lokale të 14 majit në KQZ. Futja në zgjedhje me të njëjtat kushte si ato të pjesshme të 6 marsit 2002 do ishin një vrasje finale e këtij grupimi dhe fitorja e PS do jetë në pjatë argjendi. Ndërkohë që teknikalitete se do depozitohet rekurs në Gjykatën e Lartë, më pas padi në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas akoma në Gjykatën e Strazburgut pritet të jetë një kalvar që mund të zgjasë me vite e dekada. Ndodhur në këtë situatë, e vetmja shpresë, edhe për këtë grupim mbetet vetëm bashkimi me grupimin tjetër.
10 DATAT QË SOLLËN KËTU PD-NË. KRONOLOGJIA E NJË SHUARJE TË PARALAJMËRUAR
Më 19 maj mbushen 2 vjet nga nisja e një sage të paparë, të padëgjuar dhe të paprecedentë në historinë e Partisë Demokratie, në historinë e Shqipërisë por ndoshta edhe në Evropë. Githçka nisi me shpalljen non grata të Sali Berishës nga sekretari Antony Blinken më 19 maj 2021 për korrupsion domethënës dhe aktualisht është e ngërthyer në vendimin e Gjykatës së Apelit për prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe rigjykimin e çështjes. Janë 10 data që në fakt tregojnë në mënyrë kronologjike me atë që ka ndodhur në 46 muaj por edhe që kjo parti nuk ka gjetur qetësi.

10 DATAT QË SOLLËN PD-në NË KËTË SITUATË

1. 19 MAJ 2021. Sekretari i Shtetit Antony Blinken shpall Sali Berishën dhe familjen e tij non grata për përfshirjen e tij në korrupsion domethënës.

2. 30 KORRIK 2021. Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri kim deklaron se demokratët nuk mund të hanë bar për hir të një njeriu duke nënkuptuar Sali Berishën.

3. 7 SHTATOR 2021. Lulzim Basha përjashton me vendim personal Sali Berishën nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

4. 16 SHTATOR 2021. Sali Berisha nis aksionin politik “Foltorja” pas vendimit të përjashtimit nga grupi parlamentar dhe sipas tij ringritjen e Partisë Demokratike.

5. 11 DHJETOR 2021. Kuvendi i mbledhur në stadiumin “Air Albania” nga mbështetësit e Sali Berishës shkarkojnë Lulzim Bashën si kryear i PD.

6. 18 DHJETOR 2021. Mbështetësit e Lulzim Bashës mbledhin Kuvendin Kombëtar në Pallatin e Kongreseve për të konfirmuar dhe legjitimuar veten e tyre.

7. 8 JANAR 2022. Mbështetësit e Berishës sulmojnë me dhunë selinë e PD për tu futur brenda ndërkohë që mbështetësit e Bashës që zhvillonin mbledhje aty ia kthejnë po me dhunë. Vetëm ndërhyrja e policisë bëri që turma të shpërndahet dhe ata që ishin brenda të dalin pa lëndime.

8. 6 MARS 2022. Në zgjedhjet e pjesshme lokale mbështetësit e Sali Berishës, pa logo dhe vulën e PD, por me një koalicion me LSI dhe me emrirn “Shtëpia e Lirisë” fitojnë bashkinë e Shkodrës, ndërkohë 5 bashki të tjera i fiton PS. Mbështetësit e Bashës me të gjithë infrastrukturën nuk morën as 30 për qind të votave.

9. 25 MARS 2022. Gjykat e Tiranës me kryetar Agron Zhukri njeh grupimin e Sali berishë snëprmjet kuvendit të 11 dhjetorit vendosi të pranojë ndryshimet në Statutin e Partisë Demokratike, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021. Sipas këtij vendimi Komisioni i Rithemelimit i Sali Berishës mund të drejtonte Partinë Demokratike. Në Kuvendin e 11 dhjetorit u vendos referendumi për shkarkimin e Lulzim Bashës, shkarkimi i nënkryetarëve, sekretarit të Përgjithshëm, kryesisë dhe të gjitha strukturave drejtuese.

10. 3 MARS 2023. Gjykata e Apelit të Tiranës me një trupë gjykuese të përbërë nga Elona Mihali, Astrit Kalaja dhe Irida Kacerja votuan unanimisht që çështja të rishqyrtohet në Shkallën e Parë, duke anuluar kështu vendimin e Agron Zhukrit, i cili njohu si legjitim Kuvendin e Sali Berishës, atë të 11 dhjetorit 2021.

Të fundit

Në cilin qark do të kandidojë në 11 maj, Edi Rama?

I pyetur nga gazetarët në konferencën e fundvitit se në cilin nga qarqet do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare...

Rrëfimi i Elisa Spiropalit: Shqipëria, parlamenti, e majta dhe…

Elisa Spiropali shënohet si kryetarja më e re në histori e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe po ashtu politikania më hopin më të...

Ja kur është koha më e mire per te pirë kafe, sipas eksperteve

Kur është koha më e mirë për të pirë kafe dhe sa konsiderohet e tepruar? Nëse pyesni një dashamirës të kafesë, përgjigja do të...

Rindërtimi/ Hidhet shorti për apartamentet në Kombinat.

Familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit në Kombinat kanë gati apartamentet e tyre të reja. Bashkia Tiranë, organizoi pranë ambienteve të shkollës “Lasgush...

Ja perimet që duhet të konsumoni për luftën kundër kolesterolit

Për njerëzit me kolesterol të lartë dhe presion të lartë të gjakut (hipertension), një perime mund të jetë veçanërisht e dobishme. Sipas WebMD, mbi 60%...

Lajme të tjera

Web TV