Gjykata e Apelit vendosi që të mos njohë Sali Berishën si kryetar të PD-së, duke i lënë “vulën dhe logon” kryetarit të komanduar, Enkelejd Alibeaj, por edhe ky i fundit doli se nuk ishte kryetar… Në KQZ, dje u vërtetua zyrtarisht se Lulzim Basha është kryetari dhe autorizonte të tjetër të “përdornin vulën”. Çfarë po luhet në PD-në e përçarë? A po përgatitet Basha për tu rikthyer pas zgjedhjeve të 14 majit?
Prej plot një viti, Lulzim Basha nuk është më në krye të PD-së, pasi gojarisht tha se ka dhënë dorëheqjen, por në fakt me dokumenta ai është kryetari “de jure” dhe në situatën më të fundit ku gjykata rrëzoi Berishën dhe ia la vulën kryetarit në detyrë Enkelejd Alibeaj, ish-kryetari Basha, në fakt nuk nuk mund të quhet edhe aq ish… Që Basha ka ikur vetëm disi fizikisht nga jeta active, por me një sy për rikthim u duk në dokumentat zyrtare. Grupi i Alibeajt ka depozituar dje një kërkesë në KQZ për të regjistruar PD-në zgjedhjet e 14 majit dhe pjesë të dosjes ka futur një letër të Lulzim Bashës që në cilësinë e kryetarit të PD-së në 18 mars 2022 ka autorizuar nënkryetarin Enkelejd Alibeaj dhe sekretarin e përgjithshëm, Gazmend Bardhi të përfaqësojnë këtë forcë politike. “Unë Lulzim Basha, me funksion kryetar i Partisë Demokratike, lidhur me zgjedhjet vendore të 2023, sipas datës së caktuar nga Dekreti i Presidentit të Republikës, në përmbushje të kompetencave të kryetarit të Partisë, autorizoj ushtrimin e tyre nga nënkryetari i Partisë Enkelejd Alibeaj dhe/ose Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi dhe/ose Sekretari për çështjet ligjore dhe zgjedhore Indrit Sefa…”, thuhet në letrën që është dërguar në KQZ. Ishte pikërisht avokati Idrit Sefa, I mandatuar nga Basha si Sekretar I Çështjeve Zgjedhore të PD-së që dorëzoi dje në KQZ kërkesën për regjistrim në zgjedhje. Drejtimi ligjërisht i PD-së nga Lulzim Basha provohet edhe nga një Gjykata e Tiranës në 1 mars 2023 e cila ka vërtetuar që ai është kryetar i PD-së. Firma e Bashës në dokumentet e PD, autorizon Alibeajn dhe Bardhin të regjistrojnë partinë në zgjedhjet e 14 majit. Një vit pasi ka dhënë dorëheqjen publikisht si kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha rezulton të jetë ende ligjërisht në drejtim të kësaj force politike. Ai duket se po përgatit rikthimin në parti, duke përdorur si kauz rezultatin që do të dalë nga zgjedhjet lokale. Me një PD tërësisht të përçarë, do të përfitojë PS e cila tashmë e ka edhe më të lehtë mundësinë për të fituar 61 bashkitë në vend. Në dosjen e sekretarit ligjor të PD-së dërguar KQZ-së, ishte edhe një letër e firmosur nga Basha që autorizon Gazmend Bardhin dhe Enkelejd Alibeajn të përfaqësojnë këtë forcë politike në procedurat e regjistrimit për zgjedhjet lokale. Por ajo që bie në sy në letrën e firmosur nga Basha është pikërisht data e saj. Rezulton se Basha e ka firmosur autorizimin fiks 353 ditë përpara se ai të përdorej ditën e djeshme në KQZ. Kryetari i PD-së e ka hedhur firmën mbi këtë letër në 18 mars 2022, ekzaktësisht 12 ditë pasi humbi në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit dhe vetëm 3 ditë përpara se të jepte dorëheqjen. Në ato ditë plot zhvillime në PD, ku përveç këtyre ngjarjeve, ish kryeministri Berisha po përgatitej të rikthehej në parti, këshilltarët e Bashës duket se kanë qenë shumë të vëmendshëm për t’a këshilluar atë që të firmoste një autorizim që do të përdorej pas një viti në zgjedhjet lokale.