Jemi më pak se dy muaj para zgjedhjeve lokale dhe në kampin opozitar “institucionet vendosën” që PD-ja zyrtare me logo dhe vulë të mbesë “Grupimit Basha” të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, i cili ka drejtimin ‘de jure’ të PD-së, por nuk gëzon mbështetjen e anëtarësisë dhe elektoratit. Nga ana tjetër “Grupimi Berisha” humbi të drejtën e përfaqësimit zyrtar nën logon e PD-së. Si i komentoni vendimet e KQZ-së dhe KAS-it?
Përplasjet juridike të dy kampeve brenda PD-së se kush do të ishte pala që do përfaqësohej sipas rregullave në formë zyrtare në zgjedhje u vendos nga gjykata e apelit. Dhe lojërat që kreu i KQZ z.Celibashi bëri në fillim, janë qartazi një spërkatje me benzinë zjarrit të përplasjeve në PD. Kjo ishte një dorë që kreu i KQZ i dha Partisë Socialiste, duke e hallakutur dhe ky pak opozitën me “perceptimet” e tij të cilat janë jashtë logjike dhe jo konformë ligjeve. Bëjmë gabime të mëdha nëse parapërcaktojmë kur themi kush ka anëtarësin e Partisë Demokratike, Berisha apo Alibeaj, zgjedhjet janë për shqiptarët, jo vetëm për demokratët. Nëse do ishin zgjedhje brenda Partisë Demokratike dhe jo zgjedhjet lokale, atëhere ne mund të jepnim opinione kush e dominon partinë. Këto janë zgjedhje në të cilat do votohet për krerët e bashkive, për ata që do menaxhojnë bashkitë për 4 vitet e ardhshme, dhe ne bëjmë gabim kur themi që e ka Berisha mazhorancën, sepse Berisha nuk do kandidoj në Lushnje apo në Vorë si kryetar bashkie, Partia Demokratike e drejtuar nga z.Alibeaj mund të kandidojë një figurë shumë bindëse për qytetarët, sa mund të mundi edhe PS jo vetëm kualicionin Meta-Berisha. Prandaj unë e shoh të udhës dhe në të drejtën e z.Alibeaj të vazhdojë garën me kandidatët që do nxjerri në zgjedhjet e 14 majit. Pas zgjedhjeve ne do kemi të drejtën të komentojmë kë mbështetën shqiptarët nga opozitat.
Kryetari ‘de jure” Alibeaj pasi zyrtarizoi logon dhe vulën ka bërë thirrje për bashkim. A mund të ndodhë që kandidatët e primareve të përfaqësohen nga kjo PD e Alibeajt, apo do të vijojnë të jenë nën koalicionin “Bashkë Fitojmë”, nën drejtimin zyrtar të Ilir Metës?
Partia Demokratike e Shqipërisë pas dorëheqjes që bëri para 1 viti z. Lulzim Basha nga detyra e kryetarit, është nën drejtim të komanduar, si e parashikon statuti i saj nga z.Alibeaj. Dhe thirrja nga z.Alibeaj që kandidatët e dala nga primaret të dalin kandidat zyrtar me logon e Partisë Demokratike është jo vetëm thirrja e duhur, por e vetmja rrugë nëse duan të fitojnë në zgjedhjet e 14 majit. Nuk kanë arsye nëse realisht duan të fitojnë që të mos i përgjigjen pozitivisht thirrjes së z.Alibeaj për tu bashkuar. Ndryshe, grupi i rithemelimit tregon që është shkëputur përfundimisht nga Partia Demokratike dhe ata po ndjekin rrugëtimin e z.Berisha që sot është në aleancë me z.Meta dhe ndoshta pse jo unë e parashikoj dhe një shkrirje duke u bashkuar si një forcë e vetme pas zgjedhjeve të 14 majit. Nëse nuk i përgjigjen pozitivisht, e vetmja gjë që përfitohet, dhe i vetmi që përfiton është rritja në numër votash e Partisë Lirisë.
Ndërsa opozita shkon e përçarë në zgjedhje, kryeministri Edi Rama duket se e ka marrë fare lehtësisht çështjen e zgjedhjeve lokale, duke konfirmuar për të rikandiduar 45 kryebashkiakë nga 61 në total. Përse kjo lëvizje e Ramës, a kemi të bëjmë me faktin që me kryebashkiakët e konfirmuar, Rama po synon që të ruajë boshtin e “të fuqishmëve lokalë”, pavarësisht sesi kanë qeverisur, apo duke parë përçarjen e opozitës i konsideron zgjedhjet si të “fituara apriori” ende pa u numëruar votat?
Gjendja jo e mirë e opozitës ja lehtëson dhe e bën komod mazhorancën në disa bashki ku konsumimi i saj dallohet ndjeshëm, qeverisja e tejzgjatur, gabimet, abuzimet, ndoshta në disa nga bashkitë e vendit Partia Socialiste nuk e meriton më drejtimin. Por përçarja ndarja e opozitës, i vendos votuesit në vështirësi duke i krijuar idene që PS ka numrat dhe është fituese. Është mjaft përcaktues dalja e opozitës me një kandidat apo me dy. Nëse opozita edhe pse është në një gjendje të rëndë, përsëri dalja me një kandidat unë mendoj që do kishim në shumë bashki rezultate surprizuese. Do kishim surprizë, ndoshta jo votë drejtë për drejtë për opozitën, por atë që quhet vota kundër. Qytetarët do mendonin të zgjidhnin të keqen më të vogël. Gjithsesi mbetet për tu parë nëse do kemi dy demokratë përballë një socialisti apo 1 kandidat demokrat përballë 1 kandidati socialist, aty do shikohet dhe përcaktohet fati i shumë bashkive.
Cilët mendoni se janë disa nga bashkitë kryesore në vend ku PS mund të çedojë dhe opozita të befasojë duke marrë drejtimin e pushtetit lokal?
Opozita është e fortë në veri, e tregoi dhe vitin e kaluar edhe pse e ndarë, Shkodrën e fitoi. Nëse do jetë e bashkuar, Partia Demokratike fiton edhe bashki kryesore të qarqeve të mëdha si janë Durrësi apo ndoshta edhe Elbasani. Tirana ka specifikë tjetër nga bashkitë e tjera, qofshin këto edhe të mëdha. Unë mendoj që Tirana është më shumë votë politike se administrative, dhe mazhorancën e shoh të fortë edhe në këto zgjedhje. Kandidati i opozitës z.Belind Këlliçi, është një kandidat shumë i fortë, djalë i ri me prespektivë, por e ka jetësore të dalë me logon e Partisë Demokratike nëse realisht do të synojë surprizën në kryeqytet duke mundur Erion Velinë, duhet me patjetër të pranoi thirrjen e z.Alibeaj. Pse e them këtë, sepse logo e Partisë Demokratike ka vota, sa për qind ka do e shohim, por z.Këlliçi duhet të bëjë çdo gjë, që të maksimizojë votat. Ndryshe do mbetet një eksperiencë në karrierën e tij.
Deri më tani perceptimi është se PS do të fitojë pjesën më të madhe të bashkive në vend, ndërsa Berisha, Meta dhe dy partitë e tjera aleate do dalin “të dytët” për nga numri i votave ndërsa PD e Alibeajt rrezikon të përsërisë rezultatin e dobët si ato në zgjedhjet e pjeshme lokale të 6 marsit 2022. Nëse është ky konfigurim edhe pas 14 majit çfarë pritet të ndodhë në kampin opozitar?
Atëhere, unë jam i bindur që opozita pas zgjedhjeve të 14 majit, të cilat do i kalojë edhe këto me vështirësi, do e gjejë rrugën ndoshta jo të bashkimit, por të nisjes së një kapitulli të ri. Partia Demokratike kurrsesi nuk do të shuhet për interesat e dikujt apo të disave. Ajo është aset, sepse përfaqëson njëherë gjysmën, njëherë më shumë se gjysma dhe njëherë më pak se gjysma e shqiptarëve. Partia Demorkatike nuk kishte nevojë për rithemelim, ajo është themeluar, ajo kishte nevojë për freski politikash, për novacion, diçka të re. Nuk mund që opozita shqiptare të sillet në 2023 apo 2025 me të njëjtën sjellje që kishte kur ishte në opozitë me Ramiz Alinë në 1991. Partia Demokratike pas zgjedhjeve do i nënshtrohet zgjedhjeve të brendëshme, si zgjedhjen e kryetarit por edhe të zgjedhjes së gjithë zinxhirit të strukturave. Mendoj që jetë momenti i ringritjes së PD-së.