Vilhem Vidi, dështimi i pushtetit të princit gjerman me kurorën e Skënderbeut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 Zbarkoi në Shqipëri në 7 mars 1914 dhe u largua 181 ditësh në 3 shtator 1914

 Nga Leonard Veizi

Teksa “Mizurata”, kjo fregatë elegante e flotës italiane largohej me shpejtësi nga bregu shqiptar i Durrësit, një ushtarak shtatlartë, me mustaqe e uniformë të bardhë parade, që mbante mbiemrin e një dere të famshme prusiane, shihte se si po linte pas mbretërinë e tij të vogël. Pallati shtetëror me arkitekturë otomane, gati nuk shquhej më, por jeta në korridoret dhe 35 dhomat e tij të restauruara, e stiluar sipas modelit gjerman do të mbesnin të pashlyera në kujtesë. Nuk ishte më mbret edhe pse asnjë akt zyrtar nuk e shfuqizonte. Fisniku gjerman nën kryqin e protestantizmit, nuk mundi të vazhdonte misionin e tij në Durrës, kryeqytetin e pashpallur të Shqipërisë, pasi kërcënohej nga një ushtri rebele që kërkonte të rivendoste me fanatizëm gjysmëhënën e islamit, aty ku valëvitej shqiponja me dy krerë e Kastriotëve. Në këtë mënyrë Vilhem Vidi, ose thënë ndryshe “Madhëria e Tij Princ Vidi, Skëndërbeu II i Shqipërisë” kishte braktisur vendin që Fuqitë e Mëdha i kishin besuar të drejtonte. Shkaku fillestar: kaosi total që kishte përfshirë territoret shqiptare. Por gjithsesi edhe pse mbajti mbi vete faturën e dështimit, duhet thënë se ata që e bënë të braktiste fronin nuk ishin vetëm kryengritësit rebelë të Shqipërisë së Mesme, por vetë Fuqitë e Mëdha si dhe qarqet serbe, malazeze e greke, të cilat nuk reshtën përpjekjet për ta copëtuar shtetin e ri. Për më tej, vetë Evropa sapo kishte nisur një konflikt shumëpalësh dhe shteti nga Princi vinte, ishte në qendër të luftës. Para se të largohej nga pallati mbretëror, Vidi i dëshpëruar por me zë të sigurtë tha se “po largohej që të mprehte shpatën për Gjermaninë”. E pra, kishin kaluar vetëm 181 ditë që prej çastit kur ai nën shoqërinë e bashkëshortes dhe një shpure oborrtarësh e truprojash të armatosura kishte zbritur plot triumf prej luftanijes austriake “Taurus” në po të njëjtin port…

…Në radën e Durrësit nuk ishin parë as shumë anije të mëdha lufte sa në ato ditë të nxehta të fillimit të Luftës së Parë Botërore. Në Shqipëri, lufta për të zotëruar “fronin” ishte edhe më e ashpër. Jeta e Princit të Shqiptarëve, Vilhem Vid,  mund të rrezikohej në çdo çast. Më 30 korrik 1914 anijet luftarake të bllokut të Antantës u thirrën me urgjencë. Një ditë më parë, Gjermania dhe Austro-Hungaria mobilizuan luftanijet “Breslau” dhe “Szigedvor”. Italianët që qëndronin pranë Princit më 10 gusht dërguan në Durrës kryqëzorët “Dondolo” dhe “San Marco”. Jahti luftarak “Misurata” mbahej në gatishmëri për të evakuuar menjëherë pjesëtarët e oborrit dhe pas tërheqjes së misionit ushtarak holandez, pallati ruhej vetëm nga marinarët italianë.

Pas shpalljes së Pavarësisë

Shqiptarët nuk ishin më nënshtetas të perandorisë Otomane. Të paktën që pas shpalljes zyrtare të Pavarësisë. Por kjo dukej vetëm në pamje të parë. Megjithatë, dy vjet prej ditës kur elita intelektuale bëri divorcin me të “sëmurin e Bosforit”, një ushtri e pakoordinuar rebelësh por me kosore bari e sfurqe në dorë, të grumbulluar rreth një prijësi me mjekër e emrin Haxhi, iu sulën Pavarësisë të shpallur nga Ismail Qemali, me shprehjen sa tendencioze aq dhe qesharake: “Dum Babën”. Ky ishte prologu fatkeq i shqiptarëve të Erës së Re. “Ne jemi si vëllezërit Siamezë, kur sëmuret njëri teshtin tjetri”. Sipas kësaj sentence, të huazuar nga skenari i një filmi mjaft të njohur, dukej se Porta e Lartë e Azisë kërkonte vazhdimësinë e “vëllazërimit” me shqiptarët e Europës. Ndërkohë vështirë ta thuash se edhe shqiptarët të ndikuar fort nga “dashuria” 500-vjeçare, ku herë pas here u ishte dhënë shansi të merrnin në duar frenat e vetë Perandorisë, po ndaheshin me gëzim nga pushtuesit e lodhur. Arben Puto në librin e tij “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914” shkruan atë çfarë u tha në mbledhjen e zhvilluar në Tiranë më 26 nëntor 1912, pararendëse e asaj që u zhvillua në Vlorë dy ditë më pas. Një nga bejlerët më me influencë të krahinës, Refik Toptani, në fjalët e tij me të cilat ai iu drejtua masës, të cilat i citon nga dokumentet, tha: “O vllazën, me hidhërim të thellë po ju njoftoj se puna e pru me u nda nga vllaznit tanë turq. Ai flamur që u valëvit në shekuj, tani duhet të zbresë dhe të ngjisim flamurin Shqiptar. Rroftë flamuri shqiptar”. Kjo ishte situata….

 Fati i Shqipërisë në tryezën e ambasadorëve

Arben Puto sqaron në librin e tij se pas Pavarësisë, në Konferencën e Ambasadorëve në 1912-1913, çështja shqiptare u trajtua në tre aspekte. Së pari: Si do të ishte statusi i saj, pavarësia apo një lloj tjetër. Fillimisht Konferenca nuk e njohu Pavarësinë edhe pse Kuvendi i Vlorës shpalli atë që Luigj Gurakuqi e cilësoi: “e mosvarme”. Kështu në 17 dhjetor 1912 u mor ky vendim. Kurse në Londër u tha: Shqipëria të bëhet shtet autonom nën sovranitetin apo suzerainitetin e sulltanit. Pra, nuk ishte shkëputje. Suzerainiteti ishte një lloj pavarësie, por shteti që është në këtë vartësi quhet vasal. Pavarësia e Shqipërisë u njoh 7 muaj më pas në Protokollin e 29 korrikut 1913, kur të gjithë votuan për Principatën Shqiptare. Çështja e dytë kishte të bënte me kufijtë. Shqipëria u la me 28 mijë kilometra katrorë dhe një popullsi prej 800 mijë banorësh. Gjysma e territorit dhe e popullsisë u la jashtë këtyre kufijve. Në gazetën “Përlindja e Shqipënisë”, organ i qeverisë së Vlorës, u shkrua: “U bë Shqipëria një pëllëmbë e gjatë dhe gjysmë pëllëmbe e gjerë”. Ministri i Jashtëm anglez, Eduard Grei ishte kryetari i Konferencës së Ambasadorëve. Ai në maj 1913 bëri një deklaratë në dhomën e Komunës, ku tha: “Duke e parë çështjen nga një pikëpamje e ngushtë lokale do të ketë shumë vërejtje, por qëllimi ka qenë që të ruhet marrëveshja midis Fuqive të Mëdha, harmonia mes tyre dhe ne bëmë gjënë më të mirë që ruajtëm paqen në Evropë”. Praktikisht marrëveshjen e bënë duke ndarë tokat shqiptare e duke i shkelur të drejtat asaj. Grei e pranoi që kishte copëtim të tokave shqiptare, por e justifikoi. Më 3.12.1912 Forcat e Antantës: Franca, Rusia, Anglia, si dhe ato të krahut tjetër kundërshtar me to, Austro-Hungaria, Italia dhe Gjermania u mblodhën sërish në Londër. Më 29.7.1913 kjo konferencë miratoi pavarësinë e Shqipërisë, e cila sigurohej në këtë rast nga e drejta e popujve për vetëvendosje e shtetformim. Vendimet e Londrës miratuan edhe pikën 1, ku thuhej se: “Shqipëria bëhet një Principatë e trashëgueshme nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha. Princi do të zgjidhet dhe do të ketë bekimin e gjashtë Fuqive të Mëdha”. Për kontrollin e administratës civile dhe financave të shtetit u vendos një komision me përfaqësues nga gjashtë fuqitë e mëdha dhe një shqiptar. Për sigurinë e brendshme do të kujdesej një xhandarmëri, nën komandën e oficerëve holandezë.

Kandidatët për fronin princëror

Pothuaj 14 muaj pas 28 Nëntorit 1912, i ndodhur nën presionin e qeverisjes së sforcuar, kryeministri i parë i shqiptarëve Ismail Qemali u detyrua që më 22 janar 1914 të jepte dorëheqjen. Pushteti kaloi në kontrollin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, që përfaqësonte Fuqitë e Mëdha. Ndërkohë kishte filluar kërkimi për një Princ të përshtatshëm e të paanshëm. Pretendentë për fronin princëror në Shqipëri ishin nga disa oborre mbretërore evropiane. Peter  Bartl në “Garat e Fisnikëve europianë për të marrë fronin princëror shqiptar”, shkruan se: Pretendenti i parë për këtë fron ishte princi francez Franz Ferdinand Bourbon-Orleans, duka i Montpesier. Për këtë fron pretendonin edhe dy pasardhës të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit–Skënderbeut: markezi italian Di Aluetta dhe fisniku spanjoll Don Juan Aladro Castriota y Perez y Velasco. Princi Albert Gjika, i cili rridhte nga një derë rumune me origjinë shqiptare ishte një tjetër pretendent. Nga princi trashëgimtar austriak Franc Ferdinanti dhe nga Vatikani mbështetej kandidatura e dukës Vilhelm Herzog von Urach. Po ashtu edhe familja Bonaparte për fronin shqiptar vuri tre kandidatë: princ Viktorin, princ Louisin dhe princ Roland Bonaparten. Pretendentë të tjerë për fronin mbretëror në Shqipëri ishin edhe gjermanët: Mauricio i Schonbourg-Lipe, duka Karl von Urach, princi Karl Von Hohenzllern dhe princi Vilhelm Friedrich Heinrich Von Vied; anglezi Arthur of Connaught; suedezët, duka Vilhelm Soedermanland dhe duka Karls Vestgothland; princi danez Aksel. Një familje pretenduese për fronin princëror ishte edhe ajo e fisit katolik në Shqipëri: familja e Prenk Bib Dodës. Austro-Hungaria dhe Italia, që kishin edhe influencën më të madhe në Shqipëri, ndikuan te Fuqitë e Mëdha dhe gjetën mirëkuptimin e tyre, duke vendosur më në fund që Princi i ardhshëm i Shqipërisë, të ishte një përfaqësues nga një religjion që nuk njihej zyrtarisht në Shqipëri, pra protestant. U ra dakord të ishte Princ Vilhelm Vidi. Princ Vidi ishte një ushtarak, major i gardës Potsdam Lancers. Kishte shërbyer fillimisht në “Garde du Corps” dhe pas një periudhe trevjeçare trajnimi në Shtabin e Përgjithshëm kaloi si komandant kalorësie në regjimentin e 3-të të “Garde-Ulanen-Regiment” në Potsdam. E ëma e princit ishte me origjinë holandeze, vet princi ishte kushëri i Kaizerit gjerman dhe nip i mbretëreshës rumune Elisabet, e cila e mbrojti dhe mbështeti kandidaturën e tij për fronin shqiptar. Gjithsesi ishte pa përvojë në qeverisje dhe pa vetitë e duhura për një kryetar shteti. Ai nuk kishte njohuri nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare, e asaj të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk njihte gjithashtu driblimet diplomatike të kohës.

Oferta për të pranuar fronin

Nuk është se trashëgimtari i familjes princërore mori bekimin e të gjithëve për të vënë në kokë kurorën e Skënderbeut. Disa prej njerëzve të tij të afërt e këshilluan të mos e ndërmerrte këtë hap. Vëllai i tij më i madh, Princi Friedrih, më 9.6.1914 shkruante: “Ne kemi bërë e jemi këshilluar sa kemi mundur dhe e kemi ndjerë se, me gjithë përpjekjet, Vidi nuk kishte mundur dot t’u bënte ballë situatave të krijuara”. Edhe të afërmit e bashkëshortes së Princ Vidit, Princeshës Sofia, ishin kundër shkuarjes në Shqipëri. Por vetë Princesha Sofia, mbesa e një princeshe rumune, duket se ia kishte përforcuar mendimin e tundimin Vilhelmit për t’u ulur në fronin e Shqipërisë. Edhe Kaizeri gjerman, Vilhelm II ishte deri në çastet e fundit kundër kandidaturës së tij për fronin shqiptar. Në shënimet e tij të vitit 1917 botuar nën titullin “Kujtime për Shqipërinë”, Vidi citon letrën e tij me këtë rast shkruar më 20.5.1913, që ai ia drejtonte vëllait të tij Viktor, ku thuhet se: “Për shkak të lutjeve të përsëritura dhe ndërhyrjeve të dy fuqive të interesuara, Austro-Hungarisë e Italisë, si dhe në mirëbesimin e patundur te deklarata e dhënies së garancive dhe premtimet e të gjitha palëve të Konferencës së Londrës, duke mbetur në shpresën se do të rikthehej qetësia dhe do të ringrihej sërish shteti shqiptar, duke kontribuar me këtë rast në zgjidhjen e çështjes ballkanike, unë deklarova në fillimdhjetorin e vitit 1913, se do ta pranoja fronin në kushte e rrethana të përcaktuara mirë. Deri më atëherë unë s’kisha pranuar ta merrja përsipër atë ofertë”.

Vidi shkel në tokën ku do mbretëronte

Patriotët e pritën me entuziazëm ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri. Ai zbarkoi në portin Durrësit në orën 15.00 të 7 marsit 1914 me anijen austriake “Taurus” të shoqëruar edhe nga tri anije luftarake italiane, angleze dhe franceze. Fuqitë e Mëdha po e përcillnin drejt fronit. Më parë se kaq, Vidi kishte ndërmarrë një udhëtim nëpër kryeqytetet europiane për t’u njohur si Princ i Shqipërisë. Ndërsa më 21.2.1914, në një banket të madh u bë celebrimi i pranimit të fronit shqiptar nga ana e Vidit, pas bisedimeve që një delegacion shqiptar prej 18 vetash, të cilët përfaqësonin zona të ndryshme të Shqipërisë, kishin ardhur për t’i vënë Princit kurorën e Skënderbeut. Më 17 mars Vidi formoi qeverinë e re shqiptare dhe emëroi kryeministër Turhan Pashë Përmetin, një diplomat i vjetër që kishte qenë ambasador i perandorisë Osmane për 25 vjet rresht në Rusi. Kabinetin e tij qeveritar e përbënin: 1. Esat Pashë Toptani-Ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme; 2. Aziz Pashë Vrioni-Ministër i Bujqësisë dhe i Tregtisë; 3. Myfit bej Libohova-Ministër i Drejtësisë dhe i Kultit; 4. Dr. Mehdi bej Frashëri-Ministër i Financave; 5. Hasan Bej Prishtina-Ministër i Postë-Telegrafikeve; 6. Dr. Mihal Turtulli-Ministër i Arsimit; 7. Prenk Bib Doda-Ministër për Punët Botore.

Konaku i mytesarifit turk përshtatet për princin gjerman

Në kujtimet e botuara në librin “Gjashtë muaj mbretëri”, sekretari i Princ Vidit, kapiteni Heaton Armstrong, flet për “Pallatin e Verdhë” të rivierës shqiptare, për Konakun me grila të mëdha e të gjelbra, të ngritur pranë detit, në mes të një kopshti me bajame, i cili kur princ Vidi dhe shpura e tij mbërriti në Durrës lulëzonte nga bajamet”. Armstrong përshkruan Dhomën e Fronit, apartamentet e mbretit e të mbretëreshës, kuzhinën dhe gjithçka tjetër. Vetë princ Vidi shkruante se, zgjedhja e Durrësit si kryeqytet i shqiptarëve lidhej me faktin se ai ishte qyteti më i madh e më i rëndësishëm i vendit, por edhe pse pas shkatërrimit të Shkodrës nga bombardimet malazeze të vitit 1913, në qytetin bregdetar ishte instaluar edhe Komisioni i Kontrollit të Fuqive të mëdha, i cili do të vendoste për kufijtë e vendit. Gjithashtu aty ndodhej edhe një pallat i gurtë i ish-mytesarifit turk të qytetit, që mund të përshtatej fare mirë si pallat mbretëror.

Lexo edhe :  7 Janar 1943 Vdes fizikanti i famshëm Nikola Tesla

Vidi në filateli

Princ Vidi u prit në Durrës më 7 mars 1914 edhe me një eveniment filatelik. Studiuesi i njohur i filatelisë, Thimi Nika, në librin e tij “100 vjet pulla shqiptare” sqaron se si u përjetësua në pulla Princ Vidi. Kështu, mbi pullat e emisionit të gjashtë të qeverisë së Ismail Qemalit u mbishtyp në dy radhë teksti “7 Mars, 1467 RROFTË MBRETI 1914”, duke përftuar kësisoj një emision të ri. Duket qartë një përpjekje për të bërë një paralelizëm dhe për të lidhur dy epoka: atë të Skënderbeut në shek. XV me atë të mbretërimit të Princ Vidit. Nuk munguan edhe përpjekjet për të nxjerrë një seri pullash me portretin e Princ Vidit. Në historinë e filatelisë shqiptare ka dhe një fakt tjetër shumë interesant, ndoshta unikal lidhur me mbërritjen e princ Vidit në Shqipëri: prodhimi i 50 zarfeve me seri të plota të emisionit me portretin e Skënderbeut. Krahas zarfeve u prodhuan edhe një numër i kufizuar kartëpostaresh. Këto zarfe dhe kartëpostare mbajnë datën 7 mars 1914. U prodhuan në Shkodër, në kohën kur drejtor i Postës në këtë qytet ishte Sadik Tirana, për të evokuar ditën e mbërritjes së princ Vidit. Për të vijuar shërbimin postar ishte menduar me kohë për një emision tjetër, për të zëvendësuar atë të 7 marsit 1914. Qysh në muajin shkurt, vetëm pak ditë pasi u vendos që në Shqipëri do të vinte princ Vidi u hodh ideja e emetimit të një serie pullash me portretin e tij. Ky emision u porosit për t’u prodhuar në Vjenë, ku me sa duket u shtyp falas nga qeveria austriake. Autorë të bocetit të pullave ishin modeluesi Gurshner dhe gdhendësi i mirënjohur Shirnbok (autor i shumë emisioneve të pullave austriake). Tipar dallues i emisionit është edhe përcaktimi i vlerave të pullave në njësi monetare shqiptare: në qindarka dhe në franka. Ky emision, sigurisht i prodhuar teknikisht me nivelin më të mirë se të gjitha pullat e mëparshme shqiptare, mbeti pa u vënë në qarkullim. Arsyeja ishte e thjeshtë: pullat mbërritën në Durrës shumë vonë, vetëm pak kohë para se princ Vidi të largohej përfundimisht nga Shqipëria. Në këto rrethana ishte pa kuptim vënia në përdorim e tyre. Gjithashtu, në Durrës është emetuar medalja e parë në historinë e shtetit të ri shqiptar. Ajo i përket emetimit të bërë prej Princit Vidit dhe njihet si “Urdhri Mbretëror i Shqiponjës së Zezë”. Derdhja e saj është bërë në tre kategori metalesh: në ar, argjend dhe në bronz. Ky urdhër i përket datës 26 mars 1914.

Vorio-Epiri dhe marrëveshja e Korfuzit

Padyshim Vidi dështoi që në fillim të ushtrimit të detyrës kur kërkoi të zgjidhte një problem urgjent e fort të ndërlikuar, e që kishte të bënte me largimin e trupave greke nga Shqipëria e jugut dhe të vendosjes së administratës shqiptare. Për të zgjidhur këtë nyje, ai hyri në bisedime me qeverinë “vorio-epirote” të shpallur në Gjirokastër dhe caktoi si komisar të jashtëzakonshëm për Shqipërinë e Jugut kolonelin holandez Tomson, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të ristrukturuar xhandarmërinë shqiptare. Tomson shkoi në Korfuz dhe më 10 mars zhvilloi bisedime me përfaqësuesin e “vorio-epirotëve”, Karapanon. Duke i rënë shkurt këtij problemi, Tomsoni u premtoi grekëve disa të “drejta të veçanta” për popullsinë e “Epirit të Veriut”. Kompromisi i Tomsonit ngjalli reagime të forta në qarqet patriotike shqiptare. Edhe qeveria e Turhan Pashës në Durrës, gjithashtu nuk e pranoi këtë kompromis, prandaj e shkarkoi Tomsonin nga detyra dhe u shpreh kundër çdo lloj autonomie për krahinat e Jugut. Në këto rrethana, trupat greke, që ishin tërhequr nga Korça më 1 mars, për t’i realizuar planet e tyre, natën duke gdhirë 2 prilli 1914 bënë një puç-komplot të armatosur për të pushtuar Korçën. Mirëpo xhandarmëria shqiptare nën komandën e majorit holandez G. Sneller dhe korpusi i vullnetarëve me qindra fshatarë nën udhëheqjen e Themistokli Gërmenjit ndërhynë shpejt dhe brenda një kohe të shkurtër e neutralizuan puçin e komplotistëve grekë. Dështimi i puçit të Korçës, vendosmëria e forcave shqiptare dhe qëndrimi i ftohtë i Fuqive të Mëdha ndaj planeve aneksioniste, e bindën më në fund qeverinë greke se nuk ishte e lehtë të sigurohej “autonomia” e plotë e krahinave jugore. Prandaj ata paraqitën kërkesa më të zbutura për Fuqitë e Mëdha, duke pranuar autonominë e Korçës dhe të Gjirokastrës pa i shkëputur nga Shqipëria, por me kusht, që të administrohen nga një guvernator i huaj, xhandarmëria të formohej nga popullsia vendase nën komandën e oficerëve grekë me origjinë “epirote”… etj,.  Prof. Gazmend Shpuza në librin e tij “Historia e popullit shqiptar” shkruan se më 24 prill 1914 fuqitë e mëdha e njoftuan kryeministrin grek Elefter Venizellos se ishin të gatshme t’u bënin lëshime “vorio-epirotëve” dhe se mund të pranonin rishikimin e kufirit greko-shqiptar në favor të Greqisë. E ndodhur nën një presion të gjithanshëm, qeveria shqiptare u detyrua më në fund, më 5 maj t’ia besonte Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-grek. Bisedimet ndërmjet Komisionit Ndërkombëtar dhe përfaqësuesve “vorio-epirotë” u mbajtën në Korfuz, nga 10 maji deri më 17 maj dhe përfundoi me nënshkrimin e një protokolli, që u quajt “protokolli i Korfuzit”. Në këtë protokoll parashikohej që dy prefektura, e Korçës dhe e Gjirokastrës, ndonëse formalisht, do të bënin pjesë në shtetin shqiptar, do të kishin një administratë më vete, thuajse autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit. Këshilli pranoi gjithashtu edhe kërkesën e himarjotit  Spiro Milo, që ishte majori i ushtrisë greke, për t’i njohur krahinës së Himarës, në një zonë që shtrihej tani në 14 fshatra të bregdetit të Jonit. Meqenëse Italia luftoi energjikisht për arritjen e marrëveshjes së Korfuzit, për shkak të interesave të veta në Vlorë, Venizello e kënaqi kërkesën e saj, duke i paraqitur parlamentit grek më 18 maj, projektligjin mbi lëshimin e Sazanit shtetit shqiptar dhe ky projektligj u miratua më 27 maj. Protokolli i Korfuzit do të fuqizohej pasi të ratifikohej nga qeveria shqiptare (më 23 qershor 1914) dhe nga qeveria “vorio-epirote” si dhe pasi të miratohej formalisht nga gjashtë Fuqitë e Mëdha. Njoftimi mbi nënshkrimin e marrëveshjes së Korfuzit e cila ishte plotësisht në kundërshtim me Statutin Organik të Shqipërisë dhe shkelte hapur sovranitetin e shtetit shqiptar shkaktoi një indinjatë të thellë në tërë Shqipërinë. Në këto rrethana, gjendja e brendshme e Shqipërisë u ndërlikua shumë, duke i shtuar këtij fakti edhe shpërthimin e kryengritjes së armatosur në Shqipërinë e Mesme, kundër regjimit të Vidit.

Esat Toptani dhe kryengritja fshatare që shkatërroi Vidin

Konsujt, si Përfaqësuesit e Fuqive, gjatë muajve të qeverisë së parë shqiptare ishin instaluar të gjithë në Vlorë dhe për çdo çështje që dilte mbanin kontakte personalisht me Ismail Qemalin. Kjo ishte si një njohje e përkohshme, “de fakto” që i bënë Fuqitë e Mëdha qeverisë së Vlorës. Kjo shpjegohet dhe me qëndrimin e Austro-Hungarisë, që ishte për një shtet shqiptar me kufij më të zgjeruar dhe që e përkrahte Qeverinë e Vlorës duke e cilësuar si një bërthamë për organizimin e shtetit shqiptar. Por së fundi, as Austro-Hungaria nuk e njohu shtetin Shqiptar, megjithëse konsujt qëndruan shumë kohë pranë qeverisë së Vlorës duke bërë gjithfarë raportesh. Dhe më pas vjen protokolli i vitit 1913, ku Shqipëria e Pavarur u njoh si principatë. Kur u krijua principata, u krijua dhe komisioni ndërkombëtar i kontrollit nga gjashtë Fuqitë e Mëdha, që do të qëndronte mbi të. Pra, Shqipëria vetëm formalisht ishte e pavarur. Por realisht ishin dy pushtete, kështu që nga kjo përplasje nuk kishte më vend për qeverinë e Vlorës. Detyra që mori përsipër Komisioni ishte që të eliminonte qeverinë e Vlorës dhe ia arriti. Në janar 1914 Ismail Qemali dha dorëheqjen. Por Ismail Qemali kërkoi që edhe Esat Toptani në Shqipërinë e Mesme të jepte dorëheqjen që në këtë mënyrë të hapej rruga për formimin e një qeverie kombëtare. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i kërkoi edhe Esat Pashë Toptanit që ta shpërndante “Pleqësinë e Durrësit”. Nga ana e tij, Esat Toptani vuri kushte: të ishte në krye të delegacionit që do t’i jepte princ Vidit kurorën në kështjellën Neiwied në emër të shqiptarëve, njëkohësisht kërkoi dhe dy portofole në kabinetin e ri, atë të Brendshëm dhe të Luftës. Gjithsesi, Komisioni u detyrua ta pranojë më në fund me shprehjen: “E pranuam, por nuk e aprovuam”. Padyshim, Esai Toptani ishte ai që më pas i vuri minat pushtetit të Princ Vidit, duke nxitur fshatarët e çifligjeve të tij në Shqipërinë e Mesme, e cila ishte një popullsi fshatare e prapambetur e fanatike, se nuk kishin pse të drejtoheshin nga një princ i Krishterë. Pra ishte një lëvizje e nxitur prej tij për të minuar qeverinë, sepse donte të ishte vetë në krye. Por u zbulua, sepse mbante lidhje me kryengritësit, por kishte me vete dhe disa agjentë italianë, të cilët nga një kodër e Durrësit jepnin udhëzime se ku duhet të godisnin fshatarët e armatosur. Koloneli Tomson i xhandarmërisë me urdhër të Princ Vidit e arreston Esat Toptanin dhe kërkoi që ai të dilte para gjyqit. Por një gjë e tillë nuk u realizua. Italianët insistuan që Esat Toptani të lirohej. Ai jo vetëm u lirua, por në Itali e pritën si burrë shteti. Ndërkohë kryengritja vazhdonte dhe sa më tepër kalonte koha aq më tepër ajo merrte një karakter islamik. Më interesante ajo u bë kur kryengritësit u hodhën kundër Esat Pashait, pikërisht sepse ai u lidh me fuqitë e Antandës, pra me vendet e krishtera dhe doli kundër Turqisë. Historianët kanë dalë në përfundimin se jo vetëm principata ishte një zgjedhje e gabuar, por dhe vetë Princi. Por më e gabuar ishte marrja e Esat Toptanit në kabinet”.

Epilogu i një mbretërimi

“Mbretërimi i shkurtër i Vidit, i pasur m shumë me ngjarje groteske se sa në vepra që kishin për qëllim riorganizimin e një shteti të ri…”, shkruan në kujtimet e tij Ismail Qemali. Ndërsa nënvizon se: “Ky mbretërim i dhimbshëm dhe i kotë arriti në çastet e tij të fundit… Princi kish humbur çdo autoritet dhe sovraniteti i tij kish humbur krejt. Asnjë fond financiar nuk kish mbetur nga të 10 milionët që i qenë dhënë si paradhënie, të cilat Princi i kishte shpenzuar në mënyrë fare të pa mënt, në gjëra si në krijimin e Gjyqit të Lartë të Kasacionit, në një kohë kur nuk kishte as gjyqe të thjeshtë të shkallës së parë; emërimi i inspektorëve për edukatën botërore, kur nuk kishte ende shkolla dhe emërimi i ministrave (ambasadorëve) për në vende të huaja, të cilët nuk luajtën fare nga shtëpia, përveçse morën rroga të majme. Si një spekulator i falimentuar, Vilhem Vidi e kuptoi se nuk i mbetej gjë tjetër veçse të largohej”.  Duke e ndjerë rrezikun nga sukseset e kryengritësve, princ Vidi bëri thirrje për ndihma nga të gjitha anët, por vetëm nga veriu mundën të vinin disa forca të pakta, ndërsa Shqipëria e jugut duke qenë përballë shpërnguljeve nga forcat greke, nuk mundi të jepte ndihmë. Për rrjedhojë, në fund të korrikut 1914 dhe në pragun e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ishte në gjendje të rëndë politike. Pushteti i qeverisë Shqiptare tashmë ishte kufizuar vetëm në Durrës e në Vlorë; në Shqipërinë e Mesme shtrihej pushteti i kryengritësve; viset e jugut ndodheshin nën shtypjen e forcave greke, krahinat e verilindjes nën presionin e vazhdueshëm të serbëve, ndërsa Shkodra ndodhej nën administrimin e forcave ndërkombëtare. Princ Vidi bëri përpjekjen e fundit për të shpëtuar qeverisjen e tij. Ai iu drejtua edhe Fuqive të Mëdha, me kërkesën për të zbatuar zotimin që kishin marrë në Konferencën e Londrës për të garantuar pavarësinë e Shqipërisë dhe për këtë qëllim kërkoi prej tyre një forcë ndërkombëtare prej 3 mijë vetash për të shtypur kryengritjen. Por Fuqitë e Mëdha duke qenë në konflikt me njëra-tjetrën premtuan se do të ndihmonin për të shpëtuar vetëm jetën e princit dhe të familjes së tij por jo ndërhyrje ushtarake. Në këto rrethana, kur edhe kishte filluar Lufta e Parë Botërore, princi u detyrua të largohej nga Shqipëria, më 3 shtator 1914 pas plot 181 ditësh sundimi të pasuksesshëm. Vilhelm Vidi dhe suita e tij e lanë Durrësin në orën 8 të mëngjesit dhe me anijen italiane të luftës “Mizurata” niset për në Venecia të Italisë. Menjëherë pas largimit të Vidit, më 5 shtator në Durrës hynë kryengritësit dhe vendosën selinë e “Këshillit të Përgjithshëm”.

Të fundit

Shqiptarët heqin dorë nga makinat e vjetra, rritet përdorimi i modeleve të reja

Shqiptarët po tregojnë gjithnjë e më shumë interes për rinovimin e flotës së automjeteve, duke hequr dorë nga makinat...

Gripi dhe ftohja: Cilat janë ngjashmëritë dhe ndryshimet?

Kur fillon të të dhemb fyti, hunda fillon të të rrjedhë dhe kthimi në shtrat duket më joshëse se kurrë, atëherë mund të kesh…...

“Fto në podcast motrat Hoxha”, Arbana Osmani i përgjigjet ndjekëses

Moderatorja e njohur Arbana Osmani i është përgjigjur një komentuesi në Instagram i cili i sugjeroi të ftojë në podcast producentet e “Top Channel”,...

Mërtiri: Berisha nuk e ka luftën me Ramën, por me Altin Dumanin

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga fillimi i Prokurorisë së Posaçme, 5 vjet më parë. Sjellja e politikës ndaj SPAK është bërë edhe më...

Cila është dita juaj me fat sipas shenjës së horoskopit?

Për shumicën e njerëzve dita më e mirë është e premtja dhe arsyeja është sepse fundjava fillon menjëherë pas. Megjithatë, astrologjia mund të shpjegojë...

Lajme të tjera

Web TV