Dy ditë pas hapjes zyrtare të fushatës, palët politike në terren kanë nisur “akuza të ndërsjellta”, duke zbuluar edhe kauzat e fushatës së tyre. Ajo që vihet re është se si përfaqësues të PS-së ashtu edhe të PD-së zyrtare si objektiv sulmi, madje edhe me forma të ngjashme kanë Sali Berishën, duke ngritur dyshimin se po financon një fushatë të shtrenjtë dhe burimi i parave nuk dihet.
Ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë” i kryesuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta hapën fushatën të shtunën në ambientet e stadioumit kombëtar “Air Albania”, kundërshtarët politikë, përfaqësuesi I PS-së Erion Veliaj dhe kryetari në detyrë I PD-së zyrtare Enkelejd Alibeaj kanë ngritur dyshimin se ku I gjeti Berisha paratë për hapjen e fushatës? Pyetja është e njëjtë, ndërsa shifra ndryshon, ku për Veliajn të paktën janë 100 mijë euro, ndërsa për Alibeajn 200 mijë euro që shërbenin si për marrjen me qira të stadiumit ashtu edhe për pjesën tjetër të organizimit. Nga Shëngjergji, ku u takua me banorët e zones ditën e djeshme, kryetari i PS të Tiranës, Erion Veliaj tha se koalicioni i Berishës dhe Metës nuk ka as vulë, as emër, sepse kanë frikë se demokratët e vërtetë nuk i votojnë. Ai bëri edhe disa pyetje lidhur me shpenzimet e koalicionit për hapjen e fushatës dje në stadiumin Arena Kombëtare. “E patë te stadiumi? 100 mijë euro miting për të dëgjuar njëri-tjetrin, ndërkohë që flet [Berisha] tërë kohës për varfëri. Për një parti politike, e cila nuk merr as lekë nga KQZ-ja, pyetja është: Nga vijnë lekët?”, deklaroi ai. “Jo vetëm që u ka humbur vula, por te ai koalicioni nuk dinë as kë emër të vënë, se kanë turp. Po të vënë emrin e Ilir Metës mërziten demokratët, se thonë: ‘Si do votoj unë për Ilir Metën?’. Po të vënë emrin e Sali Berishës, ai është non-grata, nuk mund ta vënë në fletën e votimit. Mirë që u ka humbur vula, por tani u ka humbur edhe emri. Ata janë pa emër dhe pa vulë. Këta janë njerëz që kanë turp nga emri i tyre”, u shpreh Veliaj. Ai ironizoi edhe pjesëmarrjen e ulët në stadium: “Po shikoja videot, kishin ikur edhe ata vetë. Imagjino, jo vetëm që nuk i ndjek më shumica e popullit, por edhe shumica e militantëve e kishte zbrazur stadiumin pa folur Saliu dhe Iliri. Do të thotë se edhe ata e kanë kuptuar që nuk bëjnë dot hajër. Më shumë vajtën për kuriozitet, për të parë stadiumin, që e kishin sharë aq shumë, sesa për të dëgjuar fjalimet, se e zbrazën sapo bënë fotografitë dhe selfiet”, u shpreh Veliaj, gjatë takimit me banorët e Shëngjergjit. Ai tha se zgjidhja sot është shumë e thjeshtë. “Ka dy grupime: një grupim përfaqësohet nga ata non-grata, të cilët edhe sikur të duan të ecin përpara, nuk ecin dot se deri në Rinas shkojnë, nuk i lënë të kalojnë kufirin, janë ‘non grata’. Ndërkohë, ne kemi treguar që duke ecur përpara, duke i bashkuar njerëzit, duke i përveshur mëngët dhe duke i çuar punët deri në fund kemi mbërritur sot në një situatë kur Tirana është Qyteti Europian i Sportit, vjet ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë,” u shpreh Veliaj.
Reagimi i Alibeajt
Kryetari i komanduar i PD-së Enkelejd Alibeaj dhe Roland Bejko në takimet e zhvilluara dje me anëtarë të PD-së, u ndalën tek dy “kundërshtarët:, ndaj Sali Berishës dhe Edi Ramës. Alibeaj tha se kanë disavantazh për shkak të përçarjes dhe luftës brenda PD ndërsa Bejko prezantoi pikat kryesore të programit të PD për zgjedhjet e 14 majit. Nga ana tjetër, Alibeaj justifikon faktin që do garojë vetëm me 14 kandidatë me argumentin ‘më mirë pak dhe saktë’. Daljen me pak kandidatë Alibeaj e sheh si zgjidhje nga bashkëpunimi sipas tij, i fshehtë i Ramës e çiftit Berisha Meta për ta asgjësuar PD-në. “Është një bashkëpunim i drejtpërdrejtë i Ramës, Berishës dhe Metës për asgjësimin i demokratëve, PD, asgjësimi i forcës së vetme të djathtë dhe forcës së vetme që ka mbështetjen e perëndimit, SHBA, BE dhe Britanisë, vetëm ne. Të gjithë i tremben. I keni parë publikisht edhe qëndrimet e tyre, e keni parë ca duan ata. Armiku kryesor për të cilin ata nuk bëjnë asnjë lloj kompromisi është korrupsioni.”- tha Alibeaj. Më tej, ai u shpreh se demokratët kanë turp të dalin me emrin e Ilir Metës në fletën e votimit për 14 majin. Alibeaj komentoi edhe fushatën “sa për sy” të Berishës, ku u drejtoi pyetjen demokratëve se ku i ka gjetur 200 mijë euro vetëm për hapjen e fushatës pa llogaritur të tjerat që do e pasojnë, duke pasur parasysh që Berisha nuk ka fond nga KQZ për zgjedhjet vendore. “200 mijë euro dje vetëm për një event. Pyetja është e thjeshtë, ku i gjejnë këto paratë. Ku i gjejnë paratë, fare e thjeshtë. O partë që kanë vjedhur dje, o paratë që iu jep Rama sot. S’ka mënyrë të tretë.”- tha Alibeaj. Ndërsa Roland Bejko tha se kanë synim që të bëjnë një PD të djathtë me në krah Amerikën dhe kërkoi që të marrë votën më 14 maj në mënyrë që të lirojë Tiranën nga duart që duan ta gllabërojnë. Bejko u shpreh se PD ka nevojë të shpëtojë nga retorika e vjetër e Berishës e Metës dhe të baskëngjiten pranë SHBA-ve. “Erion Veliaj dhe Belindi janë çirakë të ustallarëve. Do ju tregojmë sesi i kanë të lidhur fijet të tre këta, prandaj dhe ne kemi dalë në fushatë me sloganin ‘Ti japim frymëmarrje Tiranës’. Kur është projektuar Tirana, mendohej për banesa jo të larta ndërsa sot jo vetëm që nuk qarkullon ajri por kemi dhe 65% të rritjes së sëmundjeve kanceroze. Është bërë jeta jonë shumë e vështirë. Do ia dalim të bëjmë një PD të djathtë. Edhe programi për Tiranën është i djathtë. Ne kemi nevojë për Amerikën, pa Berishën e Metën bëjmë të gjithë. Integrimin në BE e kemi marrë me mbështetjen e SHBA. Ju kërkojmë që të na jepni votën e ta çlirojmë Tiranën nga duart që duan ta gllabërojmë”, tha Bejko.