Ngjizen dhe marrin frymë prej vendlindjes

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Intervistë me shkrimtarin dhe studiuesin Pjetër Meta

Bisedoi:Qazim Shehu

Ju jeni shkrimtar, njëherit studiues, etnograf, linguist. Kur e keni filluar zejen e të shkruarit?

Çdo krijues nuk mund ta thotë ekzatësisht se kur e ka filluar krijimtarinë e tij;edhe pse mban mend një vit apo datë të caktuar kur ka shkruar vjershën apo tregimin e parë.Krijimtaria është një nxitje dhe shenjë e fshehtë që lind vetiu nga vetëndjerja e jetës dhe motivimi i brendshëm, si shtysë e papërcaktuar.Por në vija të përgjithshme mund të them se krijimtaria ime ka filluar dekada më parë ,fillimisht si gazetar.Për 15 vite,krahas punës si drejtor banke në Tropojë(1971-1985) kam qenë korrespondent i gazetës së atëhershme “Zëri i Popullit”.Detyra më çonte fshat më fshat dhe unë ,një natë, isha në shtëpinë e mësuesit tim Zef Doda,në fshatin Salcë.Gjatë natës së dimrit,babai i tij Dodë Prela,që po e takoja për herë të parë,më rrëfente ngjarje të rëndësishme nga jeta e tij e sidomos më mbeti në mendje epopeja heroike e korrikut, 1910 ,në Kodër Palç ku gjashtë mijë trupa turke nën komandën e Shefqet Turgut Pashës kishin kaluar Qafën e Kolçit për të pushtuar krahinën e Nikaj-Mërturit dhe më tej për të kaluar në Shkodër.Pas qëndresës heroike të nikaj-mërturasve dhe 14 ditë luftime të malësorëve nën drejtimin e Prelë Tulit ,ekspedita turke u thye.U intrigova nga kjo ngjarje dhe më lindi dëshira e zjarrtë të takoja pjesëmarrësit e gjallë të kësaj beteje heroike nga ana e malësorëve.Takova disa dhe mblodha të dhëna e kështu lindi ideja e një romani që fillova ta shkruaj dhe për një kohë të caktuar e mbarova dhe ia dërgova shtëpisë botuese të asaj kohe, “Naim Frashëri,veçse përgjigja ishte zhgënjyese:”Romani nuk mund të botohej, sipas tyre,sepse nuk ishte ndërtuar mirë, ngaqë,gjithnjë sipas tyre,figura e udhëheqësit të kryengritjes nuk ishte spikatur sa duhet”.Unë isha i ndërgjegjshëm se kisha dhënë portretin kolektiv të kësaj lufte me 130 burra që luftonin kundër 6 mijë forcave të huaja.Në këtë kënd e kisha parë këtë betejë.Atëherë isha 24 vjeç dhe ,edhe pse kjo përgjigje ma ftohu pak nervin e iniciativës,nuk u tërhoqa.Këtë roman e botova në vitin 2010 me rastin e 100 vjetorit të kësaj lufte dhe e titullova “Fundi i kalvarit”.

Kuptohet që një përgjigje e tillë nuk është motivuese,por ju ,besoj, asesi nuk u tërhoqët.

Kam pasur një shok fëmijërie me të cilin nuk ndahesha kurrë,quhej Pal Kokërr Neçaj,mësues.Ai e improvizonte humorin në çast,me batuta të kripura, ku stigmatizohej sistemi komunist.Humori i tij ishte i këndshëm,thumbues,me dykuptimësi, dhe mbase është kjo një arsye që Pali i shpëtoi grackës së ndëshkimit.Pali më nxiti të shkruaj për të, duke njohur njëkohshëm edhe karakterin e psikologjinë e malësorit të trevës sime,vetitë burrërore,por edhe mprehjen e mendimit,mençurinë e humorin e hollë të tij.Dhe kështu doli libri “Ka thënë Pal Kokrri”, në vitin 2011.Ndërsa romani “Gruaja që sfidoi fatin”,botuar në vitin 2013 ,i kushtohet një gruaje nikaj-mërturase,Drande Jakut,dhe sjell artistikisht jetën e saj dhe tabllo rrëqethëse që ajo kaloi në kampet e internimit në diktaturë.Është një personazh i jashtëzakonshëm,gati si në një legjendë të gjallë të realitetit drithërues, ku Drandja udhëton 12 ditë e 12 netë me djalin e vdekur mbi shpinë,kalon shtatë fusha,shtatë kodra e shtatë lumenje e shtatë male për ta varrosur djalin në vendlindje dhe jo në baltën e fushës së kampit.Legjenda e Doruntinës këtu merr një përmasë të re dhe Drandja është një Doruntinë tjetër më e thekshme,se,ndërsa Doruntina dyshonte për vëllanë e vdekur,e merr vesh në fund këtë,por Drandja,kjo nënë stoike, e dinte që në fillim.Mendoni se çfarë përmase merr këtu drama ,tragjikja… Në vijim të pyetjes suaj,do të thosha se për një shkrimtar, edhe pse nganjëherë vijnë përgjigje refuzuese,kjo nuk ka rëndësi,kur ai është i ngacmuar vazhdimisht nga brendësia e afshit krijues dhe nga misioni i vet për të bërë art.Vetëm përkohshëm mund të dekurajohet.Kështu unë vijoj me libra të tjerë””Tranzicioni politik shqiptar”,publicistikë,si dhe një libër studimor për krahinën e Nikaj-Mërturit me 1054 faqe,botuar më 2021, me titull:”Nikaj-Mërturi nga lashtësia deri më sot”,një libër enciklopedik me vështrime në etnologji,etimologji,histori,jetë sociale,në gjenealogji fisesh,kulturë,duke e parë Nikaj-Mërturin në lidhje me Dradaninë e treva të tjera shqiptare, si rezultat i migrimit.Po në 2021,botova librin “60 vjet gjimnazi i Tropojës”,pastaj, romanin”Agmia e jetës sime,fisnikja”,romanin”Akti i madh i qëndresës”, si dhe monografinë”Vëllazëria Canaj”.Tani jam në përfundim të fjalorit me fjalë të rralla e shprehje popullore nga Nikaj -Mërturi”.

Romani juaj”Agmia e jetës sime-fisnikja”, është një libër ku i thuret himn gruas si mbështetëse e burrit.Spikat në të karakteri i saj,forca morale,të gjitha këto të dhëna me realizëm poetik dhe sugjestion rrëfimor.Ju jepni njëkohësisht një model të gruas së “nënshtruar” ndaj zakonit apo parashihni sesi duhet të jetë gruaja,e cila, në realitetin e sotëm modern, e krijon me dyshim këtë pamje.

Romani në fjalë përshkruan një rrugëtim familjar 60 vjeçar,por edhe periudha paramartesore të çiftit të fejuar që në moshën 5 vjeç.Për këtë roman kanë shkruar Bardhosh Gaçe,Lush Susaj,Lush Përpali,Kristaq Shabani dhe Ju.Unë do të ndalem te pjesa e dytë e pyetjes suaj.Në të sjell një realitet të ndodhur,vërtetë ka pasur gra të tilla qëndresëtare.Agmia,përveç forcës së zakonit,i qëndron fjalës së të atit.Kur martohet,midis dy bashkëshortëve nuk qëndron më forca e zakonit.Aty fillon dashuria.Çdo model në letërsi nuk është i plotpërpjesëtueshëm dhe nuk ka kuptim të jetë kështu,por gjithmonë ekziston një model që frymëzon.Të rinjtë e sotëm mund ta lexojnë këtë roman për të ndjerë e kuptuar përmes figurës së personazhit tim, një grua që rrezaton mirësi,tolerancë,mirëkuptim,dashuri dhe asnjëherë qejfmbetje,nervozizëm,replikë apo diçka tjetër që bëhet shkak për krisje në çift,ndonëse jeta nuk është fushë me lule,ka të përpjetat dhe shtigjet e saj,herë të ngushta e herë të gjera.Pa iu larguar sfondit kohor, në të jap thelbin e njeriut me të gjitha virtytet edhe në kohën e sotme,pavarësisht nga traumat e saj,njeriu i mirë, thelbin e tij e ruan vetë.Kjo është përqasja ideore që bëj ,e cila vjen si nëntekst.

Tani, së fundi,ju do të paraqiteni para lexuesve me një “Fjalor fjalësh të rralla dhe shprehjesh nga Nikaj-Mërturi”,kuptohet, një ndërmarrje linguistike e përgëzueshme.Sa kohë iu është dashur për mbledhjen dhe sistemimin e tij dhe a mendoni se një pjesë e këtyre fjalëve janë një mundësi për t`i marrë e për t`i gjeneruar ato në Standardin e shqipes,apo thjesht ato mbeten një kuriozitet gjuhësor,një arkivë e mbyllur,thjesht që hapet për të treguar vlerat e harruara.

Për hartimin e këtij fjalori kam bërë një punë të madhe përgatitore,në kohë e hapësirë.Kam 20 vjet që punoj duke mbledhe e regjistruar fjalë të rralla.Ka raste,që në ditë të caktuara, të kem regjistruar një fjalë,e në ditë të tjera më shumë,pastaj një punë e madhe më është dashur për sistemimin e tyre,rendin alfabetik etj.Ky është një fjalor që ndalet në përvijimin semantik të fjalës.Shumica e këtyre fjalëve janë autoktonte,iliro-dardane.Aty tregoj sesa e pasur është gjuha shqipe në të folmen veriore,gegnisht.Mendoj se shumë fjalë do ta pasurojnë Standardin dhe u përket gjuhëtarëve që,duke studiuar këtë Fjalor,të kodifikojnë në bazë të ligjësive të Standardit fjalë të vjetra ,të cilat e pasurojnë sinoniminë e gjuhës shqipe.Ka fjalë që nuk figurojnë në Fjalorin e Gjuhës Shqipe,por ato janë të gjuhës shqipe dhe të bukura e domethënëse.Në këtë Fjalor kam sjellë edhe shprehje autentike të cilat janë ndërtuar në bazë të këtyre fjalëve, duke reazlizuar kështu një vlerë të re të njohjes së etno-psikologjisë së krahinës së Nikaj-Mërturit.Këto shprehje nuk janë të sajuara,por ato dalin dhe janë përdorur në dhjetëra e qindra-mijëra të rasteve nga jeta,çka dëshmojnë për mënyrën e jetesës,traditat,zakonet,ritet,besimet,humorin popullor,dëshmojnë për kulturën materiale dhe shpirtërore të një populli të një treve, që e ka ndërtuar mënyrën e jetesës duke dashur më të mirën e më të bukurën.Ka shprehje që stigmatizojnë veset e ngrenë lart virtytin.Pra,sjell dinamizmin e jetës,humorin,lojën dhe provën e mençurisë popullore.Edhe në këtë pikëpamje, Fjalori plotëson një zbrazëti dhe ngre lart karakterin e qëndrueshëm të një krahine me kulturë të hershme e origjinë të lashtë.

Romani juaj për një paraplegjike është shkruar me mjeshtërinë e njohjes së psikologjisë së personazhit, me depërtimin përshkruaes të hollë në mendësinë dhe botën shpirtërore të një fëmije, ashtu si përgjithësisht proza juaj është realiste-psikologjike. Sa mendoni se ky roman përcjell kumte për shoqërinë e stome të tharë pakëz nga humanizmi?

Romani akoma nuk ka përfunduar,por, çdokush që lexon ato tre kapituj, do të bindet për këtë.Është trajtuar humanizmi e përdëllimi dramatik i dy prindërve që buron nga përkujdesja ndaj fëmijës së tyre të paralizuar totalisht në moshën një-vjeçare.Ata i kryejnë tërë shërbimet,por fati kështu e desh, që ajo, edhe kur të rritet, të mbetet e paralizuar.Dhe kjo është një temë mjaft e vështirë,por unë duke e përvijuar mirë ngjarjen,duke e njohur personazhin,kohën,kam arritur të përcjell gjithë atë drithërimë të shpirtit njerëzor,atë çfarë vuajnë dy prindër,fëmija,njerëzit përreth,nxënësit e shkollës,kolektivi.Përgjithësisht, jap pamje realiste të një shoqërie që pranon dhe ka kujdesin që njerëz të tillë t`i shohë sikur mos u ketë ndodhur gjë,t`i trajtojë emocionalisht njësoj si të tjerët edhe pse ata për arsyet që dihen nuk janë si të tjerët.Pra,të ketë dhimbje dhe keqardhje,por dhimbja dhe keqardhja të mos demonstrohet si e tillë, por të vijë natyrshëm,si një kujdes-integrues, që edhe këta njerëz të dënuar nga fati ,të rehabilitohen e të ndjehen njësoj si të tjerët.Ata që e kanë lexuar këtë pjesë të romanit e kanë pëlqyer pikërisht këtë mënyrë trajtimi, por më shumë realizimin e saj përmes përshkrimeve të vërteta dhe të natyrshme.Mendoj se do të dalë një roman i mirë,i këndshëm,me episode të forta dhe kthesa të papritura,që duke ardhur e u përcjellë me dinamizën psikologjik të brendshëm ,në rrjedhën e tyre do të manifestojnë vlerat e larta të humanizmit dhe të dashurisë për njeriun,të cilat janë të qëndrueshme për çdo kohë,pavarësisht nga luhatjet.

 

 

Të fundit

“A e nisët si diktator ditën e parë?”, gazetari e vë “me shpatulla pas muri” Trumpin

Një nga gazetarët ka vendosur me “shpatulla pas muri” Presidentin Donald Trump në ditën e tij të parë të...

Çfarë i tha djali i Trump në vesh ish-Presidentit Biden që ndryshoi mimikën e fytyrës?

Barron Trump pati një përballje  të shkurtër me ish-presidentin Joe Biden gjatë inaugurimit të babait të tij, dhe përdoruesit e rrjeteve sociale kanë qenë...

“Më treguan videot e vajzës”/ Vrasja në Dragoç, babai i autorit: Jemi ngujuar si fis

Prej 15 ditësh, familja Hasaj në Postribe të Shkodrës, është e ngujuar nga frika e gjakmarrjes. Ata nuk mund të ndalin nga banesa për shkak...

A jeni në listë? 3 kombinimet më të përshtatshme të shenjave të horoskopit

Jeni kuriozë të dini se cilat shenja të horoskopit krijojnë marrëdhëniet më harmonike dhe të suksesshme? Në astrologji, disa kombinime shenjash kanë një harmoni...

Trump e nis me shkarkime, pushon nga puna mijëra punonjës të Shtëpisë së Bardhë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është në procesin e shkarkimit të mijëra punonjësve të Shtëpisë së Bardhë, të cilët nuk janë në përputhje me...

Lajme të tjera

Web TV