Pse duhet njohur historia e errët e Shërbimeve Sekret, ruso – sovjetike?!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Spartak Topollaj

Historia e shteteve dhe sidomos e perandorive të mëdha, nuk do të mund të kuptohej, pa njohur shërbimet sekrete të tyre, rolin dhe rëndësinë që kanë spiunazhi, zbulimi dhe kundërzbulimi në ekzistencën e shteteve dhe pushteteve! Kështu, edhe Perandoria Ruse, shteti më i madh në botë për nga sipërfaqja, por edhe me ekspansion të pandalshëm e të përhershëm shoven, nuk mund të bënte përjashtim nga kjo! Carët e Rusisë janë kujdesur vazhdimisht të mbajnë në këmbë regjimin e tyre represiv, me ushtri, polici dhe shërbim të fshehtë. Kështu, Cari i parë i të gjithë Rusisë, Ivani IV Vasiljeviç (1530-1584) i njohur si Ivani i Tmerrshëm, që e quante Moskën “Roma e Tretë”, Cari Pjetri I (i Madh), që ngriti Shën Peterburgun, Ekaterina I dhe Ekaterina II (e Madhe), etj , patjetër patën spiunët e tyre, por në kuptimin modern, policia e fshehtë e në Rusi, zë fill nga 1826, me Car Nikollën I, fill mbasi kishte shtypur me gjak Lëvizjen Dekabriste të 1825-s! Ajo u mbiquajt “Seksioni i Tretë”, “Tretije Otdeljenije” dhe ekzistoi me këtë emër deri në fund të 1880, nën regjimin e Car Aleksandrit II, kur kaloi në varësi të Departamentit të Policisë, në Ministrinë e Brendëshme dhe mori emrin famëkeq OKHRANA (Dëgjimi)!

“Seksioni i Tretë” ndahej në 5 Zyra:

1)-Survejimi i organizatave revolucionarëve e individëve anticar.

2)-Mbajtja e Fortesave Pjotër dhe Pavel, me të dënuar politikē,

3)- Merrej me vëzhgimin e të huajve dhe forcat politike të lidhura me ato.

4)-Kontrollonte Lëvizjet fshatare dhe kryengritjet e mundëshme.

5)- Censura e shtypit, librave, shfaqjeve teatrale etj.

Krerët e Seksionit të Tretë ndër vite ishin:

Beckendorf, Orlov, Dolgorukov, Shuvalov, Potapov, Mezencov, Drentel’n dhe Çerenvin! Mezencov u vra nga Sergej Kravçinskij, ndërsa Drentel’n u plagos rëndë nga Lev Mirskij! Sa për OKHRANA-n, dihet që ishte një polici politike e frikshme e carëve, deri té i fundit Car, Nikolla II Romanov, përmbysur nga Revolucioni Bolshevik i Tetorit 1917, udhëhequr nga Lenini, i cili nuk mund t’ia falte carit, ekzekutimin me varje të të vëllait Aleksandër më 20 Maj 1887 pas atentatit të dështuar ndaj Carit dhe pa kaluar viti, saktësisht duke u gëdhirë 17 Korriku i 1918, miratoi kërkesën plot devocion, të Jakov Mik’hailoviç Svjerdllovit dhe Feliks Edmundoviç Xherxhinskij, për ekzekutimin e Car Nikollës II (që kish abdikuar nga Froni, qysh në Mars 1917, duke ia lënë pushtetin Qeverisë Provizore të Aleksandër Fjodoroviç Kerenskijt 1881-1970) dhe gjithë familjes së tij (Careshës Aleksandra Fjodorovna, aq e përfolur për raportin me famëkeqin, Grigorij Efimoviç Rasputin, (1869-1916), vajzave, Ollga, Marija, Tatjana, Anastasija, përfshi edhe djalin e sëmurë nga hemofilia, Aleksejin 11 vjeçar), bashkë me tërë personelin e ngushtë të shërbimit pranë familjes perandorake, Demidovën, Truppin, Sharitonovin, deri edhe doktorin personal të familjes, Jevgenij Sergejeviç Botkin, djali i shkencëtarit të madh Sergej Petroviç Botkin, që zbuloi sëmundjen e Verdhëzës, njohur si Morbus Botkin, pra gjithësj 11 vetë ?!!! Ekzekutimi u krye në bodrumet e Shtëpisë Ipatjev në Jekaterinburg, ku mbaheshin të izoluar nga një skuadër bolshevikësh gardistë të kuq, muzhikë, me ekstremistin Jakov Mikhailoviç Jurovskij, (1878-1938) një ish orëndreqës dhe Mjedvjedjev, Kabanov, Strekotin etj.!

Vetë Jurovskij nuk pati fund të mirë, madje vdiq nga një ulçer kanceroze në stomak, krejtësisht i harruar, ndërkohë që edhe vajzën Rimma, (1898-1980) ia internuan për 10 vite në një gulag në Kazakistan gjatë viteve të Purgës së madhe staliniane!

Krimi makabër u justifikua me frikën, se mos forcat bjellogardiste dhe ato të Divizionit çekosllovak komanduar nga Admirali Kollçak, mund të rrëmbenin Carin! Një tjetër akt makabër dhe histori turpi për qeveritë komuniste të BS ndaj romanovëve, mbetet përdhosja, varrimet e çvarrimet e kufomave të tyre deri vonë, kur më në fund eshtrat e tyre, u gjetën dhe u varrosën njerëzisht më 17 Korrik 1998 (9 prej tyre), në Katredralen e Shën Pjetrit dhe Pavlit në Shën Peterburg dhe dy të tjerët, kur edhe u gjetën, më 2007! Për Leninin, ka ekzistuar dhe ekziston akoma, teoria konspirative, se ai, ishte rekrutuar nga Policia Sekrete gjermane, në prag të Luftës I Botërore, për të kryer misionin e ngarkuar prej tyre në Rusi! E po kështu, për ta mbyllur me OKHRANA-n, gjithnjë në kuadrin e teorive konspirative, thuhet, që edhe vetë Stalini, ishte një nga agjentët e saj, por kuptohet, se ai e pati kohën, mundësinë dhe forcën ta zhdukte dosjen personale ju Sapo erdhën në pushtet bolshevikët sovjetikë, me në krye Vladimir iliç Leninin – Uljanov, si Kreu i Këshillit të Komisarëve të Popullit, u kujdesën për ngritjen e Policisë Sekrete, qysh më 20 Dhetor 1917, gjatë një mbledhje të SOVNARKOM, duke emëruar në krye të saj, Feliks Edmundoviç Xherxhinskijn (1877-1926), i mbiquajtur “Feliksi i Hekurt”, që i përkiste një familje aristokratësh polakë, por që braktisi klasën e tij dhe kaloi në ekstremin marksist revolucionar bolshevik leninist, mbasi kish bërë edhe 11 vite burg! Si Seli Qendrore, u zgjodh hijerënda Lubjanka, aë ia morën Shoqërisë së Sigurimeve “Rossija”, ndërtuar me tulla të verdha nga arkitekti Aleksandr V. Ivanov më 1897-1898 dhe u rikonstruktua në vitet 1940-1947, prej Aleksej Viktoroviç Shçusev, ndërsa rikonstruksioni i fundit u bë në kohën e Jurij Andropovit më 1983. Përpara saj, qendron statuja e të frikshmit Xherxhinskij, larë në ar 16 karatësh. Xherxhinski ishte një njëri i akullt, apo prej dylli, si ato statujat e muzeumeve të madam Tussauds, i ashpër, e i pamëshirshëm, por edhe i pakorruptueshëm financiarisht.

Emrin e parë, policia sekrete sovjetike e pati VEÇEKA, shkurt ÇEKA, (Çrezviçajna Komisija), i plotë në shqip ishte: Komisioni i Jashtëzakonshëm Panrus i Luftës ndaj Kundërrevolucionit dhe Sabotazhit! Ishin vitet e Luftës Civile dhe Intervencionit të huaj, kur u rrezikua seriozisht ekzistenca e pushtetit sovjetik, ndaj jo më kot, Lenini zgjodhi të pamëshirshmin dhe të frikshmin Xherxhinski në krye të ÇEKA-s, i cili e justifikoi, madje edhe e tejkaloi besimin e dhënë, deri sa edhe vetë Lenini i kritikoi ashpër atë dhe Stalinin, për dhunën e tepruar në shtypjen e revoltave gjeorgjiane, gjatë procesit të dhunshëm të rusifikimit! Mjafton një shifër e vetme, për të vërtetuar egërsinë e ÇEKA-s dhe kreut të saj, si bolshevik fanatik dhe ekstremisht i indoktrinuar: numëri i të vdekurve nga uria dhe i të vrarëve prej tyre gjatë Luftës Civile, luhatet mes 3-7 milionëve, kjo po të kemi parasysh për vetë kohën, se askush nuk mund ta dijë asnjëherë të vërtetën e saktë! Xherxhinski ishte kundër Traktatit të Paqes poshtëruese për Rusinë në Brest-Litovsk (3 Mars 1918) dhe u afrua me Trockijn, ndërsa pas vdekjes së Leninit më 21 Janar 1924, ai paraqitej si një stalinist i i flaktë, madje, teksa po mbante një fjalim të zjarrtë në mbrojtje të tij dhe duke sulmuar ashpër Trockijn, Kamenievin, Pjatakovin etj, gjatë një mbledhjeje të stuhishme të Komitetit Qendror, shpërthen në një ekstazë histerike, pëson infarkt dhe vdes në vend aty, më 20 Korrik 1926!

Po kaq i ashpër ai kish qenë edhe me bashkëshorten polake, Zofia Sigizmundovna Xherxhinskaja (1882-1968) dhe birin e vetëm, Jan Feliksoviç Xherxhinski (1911-1960)!

Pavarësisht emrave të institucionit, që ndryshonin ndër vite, nga ÇEKA në GPU, apo OGPU, represioni, egërsia, dinakëria, politika goditëse dhe njerëzit e saj, madje edhe vetë Xherxhinskij mbeti në krye, i pandryshuar gjer në vdekjen e tij më 20 Korrik 1926. Si mik i hershëm dhe konfident i Leninit, ai mbante njëkohësisht edhe portofolin e Ministrit të Komunikacionit (1921-1924), për vetë rëndësinë që kishte ky dikaster në atë kohë, si edhe u zgjodh në krye të Këshillit të Lartë të Ekonomisë Kombëtare, fill pas vdekjes së Leninit !

Lufta Civile, Intervencioni i huaj, uria masive, kishin detyruar Leninin të zbatonte politikën e ashpër dhe shtrënguese të “Komunizmit të Luftës”, ndaj të cilit shpërthyen revolta kudo, përfshi edhe Kryengritjen e marinarëve të Kronshtadit, 1921, më të “kuqtë e të kuqve”, shtypur pas bombardimit të egër, nga vetë Ushtria e Kuqe komanduar nga Trockij, pas së cilës, Lenini filloi të zbatojë NEP- in (Novaja Ekonomiçjeskaja Politika – Politika e Re Ekonomike) !

Ai që e zëvëndësoi Xherxhinskijn, ishte Vjaçesllav Rudolfoviç Menzhinskij, (1874-1934), edhe ky me origjinë polake, i pari Komisar i Popullit për Financat në pak muaj, fill pas fitores së Revolucionit, i cili fliste shkëlqyeshëm si poliglot që ishte, 10 gjuhë, përfshi atë kineze, persiane, Koreane, turke, etj . Edhe pse besnik i stërbetuar i Stalinit, ai përfundoi i helmuar, po t’i referohemi pohimeve në gjyq, të atij që i zuri vendin, Genrich Grigorijeviç Jagoda, (1891-1938), paçka se zyrtarisht, vdekja e tij u konsiderua natyrale, mbasi ai vuante vitet e fundit nga një formë akute e angina pectoris, prej së cilës mbeti invalid, edhe nuk doli më nga zyra e tij në Lubjanka, ku ishte akomoduar deri sa vdiq në një divan?! Edhe vetë Jagoda u arrestua, gjykua dhe u ekzekutua me urdhër të Stalinit më 15 Mars 1938, pas një gjyqi farsë, të 21 të pandehurve si grup armiqsor, ekzekutim i kryer personalisht, nga ai, që gjithashtu e zëvendësoi në krye të NKVD-së Jagodën , Nikolaj Ivanoviç Jezhov (1895-1940) , autor i asaj që njihet si “Jezhóvçina” fushatë terrori dhe dënimesh të shumta, i cili, po me urdhër të Stalinit , ekzekutohet po ashtu prej pasardhësit të vet, Lavrenti Pavloviç Berija, (1899 – 1953) .

Me këta personazhe apokaliptikë, të rrëzuar si të ishin gurë dominoje, e më pas të ekzekutuar, Despoti i Kuq Kremlinit, realizoi Purgën e Madhe (spastrim drastik) të atyre, që paranoja e tij i konsideronte armiq! Spastrimet e mëdha, apo terrori i madh stalinian, nisi fill pas vrasjes së Sergej Mironoviç Kirovit, (1886-1934), Lideri prestigjioz i Leningradit, në orën 16.30 të 1 Dhjetorit 1934, në katin III brenda pallatit Smol’nyj, prej një njëriu të Jagodës, Leonid Vasiljeviç Nikolajev, ideuar prej Stalinit, që e konsideronte Kirovin rival potencial?! Nikolajev u arrestua menjëherë bashkë me 13 të tjerë, u gjykua për komplot dhe u ekzekutua ! Këtë fat, e patën edhe familjarët e tij, përfshi edhe bashkëshorten bukuroshe Mil’da Draule, për “nderin” e së cilës, ai qëlloi pas qafe me dy plumba të pistoletës Nagant M 1895 Kirovin e përfolur nga njerëzit e Jagodës, sikur kishte raporte intime me atë?! Badigardit, Mkhail Borisov, dy ditë pasi ishte vrarë Kirovi, i ndodhi një “aksident i çuditshëm automobilistik, që i mori jetën?! Në fillim të viteve ‘60, në arkivin e Institutit të M-L, Lidia Lebedinskaja, zbuloi një letër të Kirovit për Valerian Vladimiroviç Kujbishevin, nr.2 i qeverisë sovjetike, shkruar më 30 Gusht 1934, plot kritika të forta ndaj Stalinit! Pak muaj më vonë, Janar 1935, në moshën 46 vjeçare, edhe këtij i “pushoi” zemra?!

Lexo edhe :  80 milionë euro në vit për të mbajtur në burg hallexhinjtë

Nëpërmjet tre proceseve, u çuan në gjyq 62 personalitete, prej të cilëve, pas hetuesisë e torturave të llahtarëshme, 55 veta u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan! Prokuror i Përgjithshëm në këto procese të montuara, ishte, Andrej Januarijeviç Vishinskij dhe Kryegjykatës Vasilij Vasilijeviç Ulrich, të dy, bisha me fytyrë njëriu! Veç Lev Davidoviç Trockijt, që Stalini e përzuri nga BRSS më 1929 dhe urdhëroi ta vrasin në Meksikë më 1940, u ekzekutuan udhëheqës të shquar të Partisë e të Shtetit, si Zinovievi, Kamenievi, Buharini, Rikovi, Orxhonikixe, Pjatakovi, Tomskij, Bela Kun, Liber, Tukaçevskij, Jegorovi, Bljuher, tre të fundit, Mareshalë të Ushtrisë së Kuqe, nga pesë të tillë, etj etj…! Shifrat e të ekzekutuarëve, të të burgosurve politikë dhe të syrgjynosurve nëpër famëkeqët gulagë, në periudhën e Purgës së Madhe staliniane të gjysmës së dytë të viteve ’30-të janë të frikëshme !

Sipas vetë arkivave të NKVD, më 1936 ishin dënuar me vdekje 1.118 persona, ndërsa më 1937 dhe 1938, afërsisht 190.000 dhe 225.000 në vitet 1936-1939, shifër kjo që për 30 vitet e sundimit despotik gjakatar të Stalinit, shkonte në 340.000 !

Shtrenjtë e paguan hebrenjtë, në qendrimin ndaj të cilëve, Stalini pak ndryshonte prej Hitlerit, sidomos u arrestuan mjekë të famshëm hebrej në Kremlin, nën akuzën e komplotit për ta vrarë Stalinin me mjekim, që bënte tê kundërtën!

Holodomori, vdekja nga uria, mori gjithashtu miliona jetë njerëzish! Berija, gjeorgjian si edhe Stalini, ishte një monstër dhe pervers maniak seksual! Atij iu vërtetuan mbi 100 raste përdhunimesh, deri edhe vajzash adoleshente! Krimet e tmerrshme të tij, si Masakra e Katinit, miratuar nga Stalini, ku u ekzekutuan 22.000 oficerë nacionalistë polakë, është vetëm një nga kryekrimet që ka bërë, ndaj jeta, karakteri dhe krimet e tij, meritojnë një analizë më vete! Këtë sundim kriminal despotik, me dhunë dhe represion të Leninit dhe veçanërisht Stalinit, e kopjoi , madje e perfeksionoi më tej diktatori ynë Enver Hoxha dhe regjimi i tij gjakatar, e karkaturë njëkohësisht, të cilët, me të njejtat metoda, pasi i shfrytëzuan dhe i keqpërdorën të gjithë Ministrat dhe krerët e tjerë të Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit, i çuan në plumb! Fundi tragjik i tyre u mbyll me gjyqin dhe ekzekutimin e Kadri Hazbiut (mbi 25 vite Ministër, Feçor Shehut dhe hierarkëve të tjerë të lartë të Sigurimit), në Vjeshtën e 1983! Enver Hoxha i klasifikoi ata si pjesë e një komploti të madh me “poliagjentin” Mehmet Shehu, 27 vite kryeministër, në krye?! Gjyqi partiak në Byro dhe Plenum, konkludoi, se të gjitha “komplotet”, nuk i kish zbuluar Sigurimi, por Partia (pra vetë Enver Hoxha)?!

Akuza e dytë e rëndë ishte, se ata qenë rekrutuar nga KGB-ja sovjetike, madje këshilltarëve sovjetikë në Ministrisë së Punëve Brendshme, iu ishin dhënë listat e agjentëve tanë, çka ishte bërë sipas Platformës së Byrosë Politike me firmën e vetë Enver Hoxhës , madje edhe suksesi i ndonjë Radioloje të Sigurimit, ishte mbrritur falë superagjentit britanik , kthyer në sovjetik, Kim Filbi! Në librin trevëllimësh “Arkivi Mitrok’hin”, të Drejtorit të Arkivave të KGB-së, Vassilij Nikitiç Mitrok’hin ( 1922-2004), arratisur në Perëndim më 1992, me bashkautor historianin e famshëm Christopher Andrew, me rreth 300.000 dokumente në 2.000 kartela dhe shumë zarfe e mikrofilma, del qartë se pothuaj të gjithë udhëheqësit kryesorë të vendeve socialiste, apo krerët e Partive Komuniste në Perëndim, ishin rekrutuar prej Policë Politike Sovjetike dhe këtu nuk mund të përjashtohet as Ramiz Alia, e plot anëtarë të Byrosë Politike dhe KQ të PPSH-së, të cilët refuzuan ofertën bujare të Kancelarit bavarez Franz Josef Shtraus , Kryetar i CSU dhe Ministër i Mbrojtjes së RFGJ-së!

Që ka patur dhe ka veprimtari spiunazhi sovjetik në Shqipëri kjo dihet, se KGB – ja ka rekrutuar disa nga ata që qendruan me vite si studentë në BRSS-së, një pjesë e të cilëve, bënë karrierë deri në udhëheqje të Partisë –Shtet! Shumica e tyre nuk jetojnë më, por nostalgjia dhe detyra patjetër që ka bërë t’iu a trashëgojnë atë bijve të tyre! Nuk do të ketë qenë rastësi, që në prag të Zgjedhjeve të 26 Majit 1996, të braktisura nga socialistët me urdhër nga “lartë” rreth mesditës, erdhi si “turist” nr. 2 i Komitetit Shtetëror rus të Turizmit, de facto nr. 2 i KGB-së, Sergej Vladimiroviç Kozirev, vëllai i Ministrit të Jashtëm Andrej Vladimiroviç Kozirev!

Ai kërkoi apartamentin më luksoz të Hotel Dajtit, atë me nr. 215, ku edhe ka qendruar gjatë Enver Hoxha nga 28 nëntori i 1944, por edhe Leka Zogu në nëntor 1993! Kozirevi shoqërohej nga tre agjentë, njëri rreth të 70-ve dhe dy të tjerët rreth 35 vjeçarë me fizik boksierësh të peshave të rënda! Rrugës për në Sarandë, teksa u ndalën té Syri i Kaltër, krejt “rastësisht”, ata u takuan me katër presona, që u kish bërë “defekt” autovetura dhe po krejt “rastësisht”, koinçidoi, që të katër këta, të kishin studiuar në BRSS-së?! Edhe helmimi i çuditshëm i familjes se një gjenerali rus (Sergej Burenkov me gruan, Natalia, vajzën Jekaterina dhe dhëndërrin Nikita Bjellousov) në një Hotel Luksoz në Qerret, buzë Adriatikut, kurrë nuk mund të jetë pa një lidhje me Spiunazhin rus?! Policia e fshehtë politike në BRSS, ndrroi shpesh emrat, ajo herë ndahej, e herë bashkohej me Ministrinë e Brendëshme! Pak rëndësi kanë akronimet e saj: nga VEÇEKA, ÇEKA, NKVD, GPU, OGPU, GRU, KGB, SVR, FSB. Ajo ishte dhe mbeti represive, një oktapod me tentakula plot helm, madje edhe simboli i saj, stema apo emblema, ka në mes një shpatë të mprehtë, që e përshkon vertikalisht nga lartë poshtë! Fill pas vdekjes së Stalinit (5 Mars 1953), shpërthyen revoltat antisovjetike në RDGJ (16-23 Qershor 1953), që nisën në Berlinin Lindor dhe u përhapën në shumë qytete. Ato u shtypën egërsisht nga ushtria sovjetike, KGB-ja e Berijas dhe STASI gjerman, filial i saj! Walter Ulbricht, Wilhem Pick dhe Otto Grotewohl, trojka udhëheqëse gjermano-lindore, u treguan më sovjetikë, se vetë sovjetikët?!

U vranë 55 protestues (4 ishin gra)! Kriza e rëndë ekonomike dhe destalinizimi i vonuar, si edhe urrejtja ndaj sovjetikëve (Masakra e Katinit, nuk mund t’iu falej kurrë), bënë të shpërthenin revoltat edhe në Poloni, kryesisht në Poznan, nga 28-30 Qershor 1956, që gjithashtu u shtypën egërsisht nga ushtria polake e Konstantin Rokossovskit, Ministër i Mbrojtjes së Polonisë dhe njëkohësisht Mareshal i BRSS-së! Të vrarët ishin 57 – 100 dhe të plagosurit 600, por edhe nga ushtria e policia, pati 80 të vrarë! Në krye të Partisë dhe Shtetit ishte Edward Mieczyslaw Ochab (1906-1989) që në Parti u zëvëndësua nga Wladyslaw Gomulka, i porsa dalë nga burgu, si edhe Kardinali Stefan Wishinsky, dënuar nga Stalini qysh më 1949! Përgjegjës për situatat që kaloi Polonia e pas Luftës II-të, ishin udhëheqësit kryesorë komunistë, Boleslav Bierut, Jozef Adam Zygmunt Cyrankiewicz, Marian Spychalsky etj. Nga 23 Tetori deri më 11 Nëntor 1956, për të njejtat shkaqe si në RDGJ dhe Poloni, shpërtheu Revolucioni Liberal Demoratik hungarez, i shtypur ky, edhe më me egërsi nga çizmet dhe tanket e ushtrisë sovjetike, e cila vrau 2.652 hungarezë dhe vetë pësoi 720 të vrarë dhe 1.540 të plagosur, pjesë trupave të Mareshalit sovjetik Ivan Stepanoviç Konjev (1897-1973), i pari Kryekomandant i forcave të armatosura të Traktatit të Warshavës! Hrushovi, Andropovi, Serovi e përgatitën çorbën ruse ndihmuar nga Erno Gero Janosh Kadar, Andrash Hegedush etj! Imre Nagy aë udhëhoqi Revolucionin , kërkoi strehim politik në Ambasadën Jugosllave në Budapest , por pabesisht Tito e dorëzoi té sovjetikët, të cilēt e ekzekutuan më 16 Qershor 1958! Ndryshe ndodhi me Kardinalin Joszef Pehm Mindszenty,(1892-1975) që muk iu dorëzua as sovjetikëve dhe as autoriteteve hungareze, nga Ambasada Amerikane, në të cilën qëndroi për 15 vite ‘56-‘71, pasi kish kërkuar strehim politik aty! Aktualisht, ashtu si në mbi 100 vite, ambasadat e Rusisë janë të mbushura me agjentë të shërbimeve sekrete inteligjente, ndërsa diplomatë karriere ka pak, e kundërta kjo me ambasadat e vendeve perëndimore!

Ethshëm është rritur, sidomos në Ballkan, e veçanërisht në Serbinë e Vuçiçit, prania e agjenturës ruse, maskuar pas aktiviteteve në institucione gjoja shkencore, studimore, tregtare, ekonomike, kulturore, sportive etj etj.

Ja cilët ishin krerët e Inteligjencës sovjetike dhe ruse ndër vite, pas Berias:

Sergej Nikiforoviç Kruglov-Jakovlev. 1907-1977, vdes i shtypur nga treni. Nikolaj Dudorov, Ivan Aleksandroviç Serov, Aleksandër Nikolajeviç Shelepin, Vladimir Efimoviç Semiçastnij, Jurij Vladimiroviç Andropov, Lider i Partisë e Shtetit Sovietik, Vitalij Vasiljeviç Fedorçuk, Vladimir Aleksandroviç Krjuçkov, Viktor Mikhailoviç Çebriqkov, Vadim Viktoroviç Bakatin, Boris Karloviç Pugo 1937-1991 (vret gruan dhe veten), Viktor Barannikov, Nikolaj Golushko, Sergej Stepashin, Mikhail Barsukov Nikolaj Kovaljev, Vladimir Vladimiroviç Putin, Kryeministër e President i Rusisë, Nikolaj Platonoviç Patrushev, i përzier në helmimin e Litvinjenkos, Skripalëve, babë e bij, vrasjen e Opozitarit të fortë Boris Njemcov, më 27 Shkurt 2015, si edhe para tij , edhe gazetares së njohur Anna Stepanovna Politkovskaja (7 Tetor 2006), ngjarjet në Mal të Zi, e kudo në Ballkan. Kreu aktual i FSB-së sot, është Aleksander Bortnikov, por fuqia dhe roli i saj, nuk është më ai i dikurshmi!

Të fundit

Aktorja thotë se e ka humbur virgjërinë në moshën 35-vjeçare: Prisni derisa të jeni gati

Rebel Wilson, në një intervistë për People, i tregoi botës e e ka humbur virgjërinë në moshën 35-vjeçare. Ajo...

“Ema, babi yt i heq jorganin vajzave…”/ Egla ngacmon Jetmirin, ja si reagon ai

Ditët në shtëpinë më të ndjekur të ‘BBV3’, vazhdojnë të jenë të zhurmshme. Pasditen e sotme, teksa qëndronin në oborr, Egla ka sulmuar Jetmirin...

Detaje të reja nga vrasja e Pëllumb Metës/ Arma u ble 1 ditë para krimit, tjetër person..

Rreth një muaj më parë, opinioni publik u shokua nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në Shënavlash të Durrësit, ku Pëllumb Meta u...

Porositi ekzekutimin e ish-bashkëshortes, jepet pretenca për avokatin Alban Bengasi

Prokuroria ka kërkuar këtë të enjte 6 vite e 6 muaj burg për avokatin Alban Bengasi i cili akuzohet se ka porositur eliminimin e...

Gazetarja Anduena Llabani: Jam ngacmuar nga politikanë dhe personazhe të botës së krimit

Flirtet dhe ngacmimet në sferën politike, e kudo, kundrejt personazheve vajza dhe gra, kanë ndodhur dhe mesa duket ende vazhdojnë të bëhen nga persona...

Lajme të tjera

Web TV